Të shpresojmë se do shohim futboll! Tallavaja dhe "gazetaria" aty do jenë në mijëvjeçarë

Postuar në 09 Qershor, 2024 15:46

Janë përcjellë sot pamjet e mbërritjes së ekipit kombëtar të futbollit në Gjermani ku pritet të nisë kampionati europian.

Qeleshe, flamuj, festë, e gjitha sipas një zakoni të ri tonit që zhurmën dhe kapardisjen ta quajmë festë globale. Si pak kush në botë. Ndjesë: bota ka shansin të kuptojë si bëhet festa!

Sa më shumë afron europiani, aq më shumë nacionalizohet gazetaria sportive, që bashkë me atë të kronikës së zezë, përfaqësojnë një kulturë të vërtetë impotence shqiptare. Ku një vrasës që heroizohet, ku një shqiptar që bën namin në Ekuador, ku një talent i ri që kërkohet me ngulm nga të gjitha ekipet, pastaj një gol klasi më tej, me duart kryqëzuar në gjoks. Një shfaqje dhe skenar majmunësh të lumtur me veten që nuk duan të kuptojnë se janë bishti i kavallit në këtë botë. Nuk po hyjmë e të merremi me atë që thonë këta heronj të shqiptarisë së “tregut të Medresesë”, as me shqipen që shpërthen nga ato gojë publike, ku truri të duket një oaz i zhdukur nga çdo konsideratë arkeologjike, por të mbetemi te shfaqja histerike dhe shumë e ligë me Kombëtaren.

Ka disa javë, qëkurse trajneri i ri Silvinjo zyrtarizoi ekipin, që nuk pushon vajtimi i gazetarëve të sportit, panelistëve të këtij zhanri gjestikulativ, të cilët flasin për lojtarë që mbetën jashtë, e sesi këta lojtarë përbetohen se për Shqipërinë do bënin namin, e sesi padrejtësia këtu është bërë mullar.

Një neveri e neverive që i ngjan asaj llucës që nuk të lë të ecësh, të mban lidhur, që të kujton se çfarë gjymtimi psikologjik sundon këtë vend e debatin publik të çdo sfere në të, sesi interesat e vockla, mëritë, mllefet, mosbegenisja sidomos – po a ka mëkat më të madh sesa të mos begenisësh një Shqiptar, të shohësh punën tënde – hapin katinarët e urrejtjes më të thellë të një shpirti të mbuluar nga ligësia, ngushtësia dhe nevoja për të plasur marazin sheshit?

Një përfaqësi në futboll konsiderohet sikur është falanga e Aleksandrit të Madh, mundësia e fundit dhe sublime e të dalit në pah, more po shans i madh global që edhe bota të plasë sytë e të shohë se çfarë talentesh ka këtu! Mendësia është fare banale: çfarë rëndësie ka rezultati! Një nga ne duhet të jetë aty, duhet ta rregullojmë që të jetë se pastaj e shohin dhe ku i dihet. Kështu në politikë, në administratë, në shkollë, në muzikë, kudo. Një mik, një ndërhyrje, pa vari leshtë të tjerave! Harrohet qëllimisht se trajneri është marrë për atë punë, shyqyr zotit është profesionist, merr përgjegjësinë të humbjes dhe fitores dhe mandej pasojnë vendimet. Qëndron, ose ikën. Jo o xhan jo. Jemi edhe ne këtu. Do llapim nga mëngjesi në darkë. Po edhe flamurin do ta ngremë se e duam mëmëdhenë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ca ke me ne te Medresese ti o plak? Vertet jemi china town por kemi cmime te mira.
Per kusurin: po, ja kemi var kumonen njonit, ta leme ta tundi. Secili nga ne diletantet do bente nje ekip ndryshe nga i Silvinjos. Ndryshimi eshte se ai e ben si profesionist.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.