Utopia europiane e Stefan Cvajgut
Veprat dhe mendimi i autorit hebreo-austriak, Stefan Cvajg, janë të pandashme nga ideja e tij për Evropën. Vizioni i tij përfshin një vajtim nostalgjik për një botë të humbur (së bashku me një mënyrë për ta parë dhe për ta jetuar), pritshmërinë për një ëndërr që nuk është realizuar ende, dhe ndërtimin e hapësirave utopike përmes përvojës dhe kujtesës.
Të dy dimensionet e Evropës së Cvajgut – e kaluara dhe e ardhmja, nostalgjia dhe utopia – gjallërohen dhe ndërthuren në autobiografinë e tij të vitit 1942, “Bota e djeshme”. Nëntitulli i saj, "Kujtimet e një evropiani", jep më shumë se një aluzion për rëndësinë e Evropës për të kuptuar jetën, veprën dhe trashëgiminë shpirtërore të autorit.
Nostalgji për atë që ka mbetur pas
Që në fillimet e saj, autobiografia e Cvajgut – “Evropianit të Madh” sipas fjalëve të poetit francez Jules Romains – është përshtatur dhe përkufizuar nga përvoja dhe dëshmia e “lëkundjeve pothuajse të vazhdueshme vullkanike që ka pësuar kontinenti ynë, Evropa”.
Cvajgu i shkroi këto rreshta pasi u arratis në Amerikë për shkak të persekutimit nazist të hebrenjve evropianë. Ai shkruan nga ai mërgim mizor dhe i dhimbshëm, i shenjuar nga humbja e shtëpisë së tij, e lexuesve dhe, mbi të gjitha, e asaj që ai e quan "shtëpia e vërtetë e dëshirës së zemrës sime, Evropa".
Cvajgu u përpoq ta nxirrte thelbin e idesë së tij për Evropën nga humnera e kujtesës. Mënyra si e rikrijon Vjenën në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX – e përshkruar si një epokë e artë për njerëzimin – përjetësoi vizionin e tij plot emocion dhe shkëlqim poetik.
Megjithatë, të ankorosh Evropën e Cvajgut në të kaluarën – në atë që nuk do të kthehet, dhe që për këtë arsye është e pakuptimtë në rastin më të mirë dhe konservatore apo edhe reaksionare në rastin më të keq – do të thotë të minimizosh potencialin e vizionit të tij për kontinentin. Por nëse guxojmë ta lexojmë përmes prizmit të alternativës, të frustruarit, të parealizuarës, bota e djeshme e Cvajgut shfaqet si historia e një utopie të dështuar, një tregim i orientuar drejt së ardhmes që përqendrohet në projektin etik dhe politik të një Evrope të bashkuar, pa kufij.
Ëndrra evropiane
Në projektin europian cvajgian nuk do të gjejmë propozime praktike të natyrës ekonomike apo politike që monopolizojnë debatet tona sot. Përkundrazi, do të gjejmë një program etik që na fton të rimendojmë se çfarë do të thotë Evropa, së bashku me natyrën e angazhimit tonë dhe përgjegjësinë për hapësirat dhe institucionet që përcaktojnë ekzistencën tonë të përbashkët. Nga ky këndvështrim, çfarë do të thotë të rikthehemi te ëndrra evropiane e Stefan Cvajgut?
Para së gjithash, Evropa e Cvajgut bazohet në një zhytje në të kaluarën si një hapësirë për të reflektuar dhe kuptuar të tashmen. Prandaj mund të kuptohet si një projekt humanist që hedh dritë të re mbi mendimtarët e njohur – ai shkroi biografitë e (ndër të tjerë) Erasmus-it, Castellio-s dhe Montaigne-s. Lufta e tyre për tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë në një Evropë të shkatërruar nga luftërat fetare e frymëzoi autorin austriak të artikulonte kërkesën e tij për paqe dhe respekt të ndërsjellë.
Punimet e tyre gjithashtu e ftuan atë të ekspozonte dhe sfidonte diskurset – politike, ekonomike, shkencore dhe teknologjike – që standardizojnë peizazhin dhe çnjerëzojnë individin në shekullin XX. Në fiksionin e tij, ne shohim se si Mekaniku Turk apo Shitësi i Librave dhe shumë të tjerë bien viktimë e këtij izolimi intelektual dhe mendimit verbues.
Në veprat e tij gëlojnë gjithashtu kundërshtarë të ndërgjegjes, nëna të dëshpëruara për të shpëtuar fëmijët e tyre nga tmerret e luftës dhe refugjatë që nuk do të kthehen më në shtëpi. Nëpërmjet tregimeve të tyre, si dhe atyre të profetit Jeremia dhe revolucionarit gjerman Adam Lux, Cvajgu eksploron dhe zgjeron idenë e Evropës si një projekt pacifist i ndërtuar mbi një retorikë jkundër dhunës.
Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Evropa pushoi së premtuari horizontin e prekshëm të përparimit që Cvajgu kishte dashur. Në vend të kësaj, ai u bë objekt dëshire dhe detyre që ai e përshkroi në mënyrë alegorike si Kulla e Babelit: një monument i braktisur, një testament për Evropën që mund të ishte dhe një imazh i përpjekjeve të bëra për të luftuar forcat e ndarjes, izolimit dhe konfliktit.
Një zë që i reziston kohës
Veprat e Cvajgut, në veçanti kujtimet e tij, mbeten testament i luftës së tij për të neutralizuar efektet e "atij nacionalizmi-murtajë fundor", burimi kryesor i mosmarrëveshjes midis popujve dhe kombeve të Evropës.
E parë në këtë mënyrë, si Vjena e rinisë së tij, ashtu edhe Brazili ku mërgoi, bëhen parajsë e multikulturalizmit dhe bashkëjetesës paqësore. Të dy vendet, edhe pse disi të deformuara si realitete historike, mishërojnë në mënyrë të përsosur thelbin e utopisë evropiane të Cvajgut si një hapësirë "detoksifikimi moral". Ato mishërojnë gjithashtu një formë të mendimit kozmopolit dhe transnacional që rezonon fuqishëm në këtë shekull dhe që po bëhet gjithnjë e më i nevojshëm, ndërsa skepticizmi dhe populizmi janë sërish në ngritje.
Në fund të fundit, Evropa e Cvajgut është një himn i pamohueshëm, i pandryshueshëm për lirinë. Së bashku me paqen, humanizmin dhe luftën kundër nacionalizmit toksik por të normalizuar, vizioni i tij për kontinentin përbën bazën e një rryme etiko-politike që përshkon punën e tij.
Duke i lexuar kujtimet e tij si rrëfim i orientuar drejt së ardhmes, një testament shpirtëror si dhe një paralajmërim për brezat që do të vijnë, ne nisim një udhëtim nga bota e djeshme në Evropën e së nesërmes. Kjo jo vetëm që shton një zë të rëndësishëm në debatet tona mbi identitetin e Evropës, por gjithashtu mund të ndihmojë në përcaktimin e kontureve të hapësirave që ndajmë dhe vlerave që formojnë ekzistencën tonë kolektive. Cvajgu na inkurajon t’i kujtojmë vetes se nuk duhet të biem pre e “vdekjes tragjike të kujtesës”.
*Profesor i asociuar në Universitetin e Barcelonës
David Fontanals mori bursën e doktoraturës APIF-UB nga viti 2016 deri në 2019, për të realizuar projektin e tezës së tij "Nga bota e djeshme, në Evropën e së nesërmes". Rezultatet e kësaj pune janë përmbledhur pjesërisht në këtë artikull.
Botuar në The Conversation
Add new comment