Garda duke lypur kushtet bazë
Një ankesë e bërë në MCN Tv nga disa punonjës të Gardës së Republikës për kushtet e punës dhe trajtimin e tyre, ka sjellë hetim administrativ nga institucioni. Përtej alibisë së njohur tashmë “bëj kërkesë zyrtare për informacion”, përfaqësues të Gardës së Republikës janë shprehur se Rregullorja e Gardës nuk lejon krijimin e sindikatave ndaj edhe ka nisur hetimi.
Kjo njëra anë. Ana tjetër është të dëgjosh pretendimet e punonjësve: kushtet dhe infrastruktura ka mbetur në vitet ’90, orët jashtë orarit nuk jepen, nuk zbatohen rregullat për pushimin zëvendësuese kur punohet me orë të zgjatura. Gjithçka pra që ka të bëjë me privilegjet apo kompensimet që ligji cakton për punonjës të kësaj trupe. Për të cilën qeveria e tanishme bëri ndërhyrje ligjore, u hoqi armën AK-47 nga përdorimi, e nxori nga detyrimi për ndërhyrje në protesta, të gjitha lidhur vetëm me ngjarjet e 21 janarit.
Mirëpo është mjerane të shohësh më 2024-n se edhe për një trupë si kjo, në një vend që ka apo nuk ka 6000 trupa ushtarake aktive, ngrihet zëri për çështje infrastrukture dhe financiare. Në një vend ku po rilind gjithçka, vija bregdetare, dinjiteti, autoriteti, po edhe shteti dhe lezeti i Shqipërisë, sikur nuk shkon që të ankohen ende se nuk jepen orët jashtë orarit. Sidomos tani që rrogat rriten cilësisht dhe sidomos për Gardën, të cilës i kanë prerë edhe një kostum kuqezi që të kujton ato fotografitë e vjetra të Haxhi Qamilit që ka qenë patjetër më serioz sesa haxhiqamilizmi që sundon në këtë vend.
Problemit i shtohet edhe paradoksi – ndoshta unik në historinë e botës – ku shumë ish-ushtarakë duhet të hapin gjyq fakti për të provuar vitet e punës dhe mandej të përfitojnë pension. Një vend që nuk ka dosje të rregullta personeli as për ushtrinë – dhe ushtri e NATO-s – ka shumë rrugë për të bërë përpara në atë që quhet shtet, nëse ndonjëherë mund të bëhet vallë. Sepse edhe brenda armës së ushtrisë të gjithë e dinë që kanë rëndësi pecet që vishen poshtë kambaleve se ato ta vrasin këmbën e të lënë shakull. Pastaj vijnë poturet me ngjyra e lule që duken sa për një kronikë.
Duhet vënë një rend në këtë punë pas 1 shekulli ekzistencë politike: mbajmë brekë të pastra e të lara njëherë, i mbajmë disa palë bashkë disa palë pece dhe çorapesh, pastaj merremi edhe me tenderin e kapeleve dhe dekoratave. Edhe këto pasi kemi qenë seriozë në zgjedhjen e njerëzve për armë si Garda, që nga parametrat fizikë, e deri te higjena personale, paraqitja, forma e kokës e me radhë. Se kanë rëndësi, nuk është çështje paragjykimi. Heqim pra erën e të dhjerës dhe djersës, të fshatit(për thonjtë hë për hë e lëmë se mund të jenë në modë) që të trokasim të paktën të larë në shekullin e 21-të. Më tutje shohim e bëjmë!
s.zaimi
Add new comment