60 vite nga Karta e Venecias
60 vite më parë u nënshkrua Karta e Restaurimit në Venecia, dokumenti qe vendosi parimet e trajtimit dhe ruajtjes së monumenteve. Në nje intervistë për MCN, një nga firmëtarët e saj Prof. Dr. Aleksandër Meksi, tregon se si ky moment shërbeu si një kthesë për të vlerësuar dhe për t'i dhënë rëndësinë e duhur monumenteve në vend.
Kjo Kartë u votua. Shqiptarët kur shkonin jashtë delegacioni zyrtar, që të votonte duhej të kishte autorizim nga qeveria. Ne e morëm vesh aty për aty, pamë njëri-tjetrin në sy. E vendoste drejtori ynë, unë isha 25 vjeç. Ngritëm dorën si gjithë të tjerët. Nuk raportuam kur erdhëm këtu që e kishim miratuar.
Vetëm tre vite pas nënshkrimit të kësaj karte nga zoti Meksi dhe akitekti i njohur Gani Strazimiri, në 1967, u ndalua feja në vend, me urdhër të dikaturës komuniste, ç’ka vuri në diskutim ruajtjen e monumenteve, edhe pse grupi i punës herë pas herë tentonte të shpëtonte disa prej tyre nga rrënimi. Një prej më të rëndësishmeve, që u shkatërrua nga ajo kohë ishte kisha e Vaut të Dejës, një dëshmi e fortë e kohës kur u ndërtua.
Ishte një dëshmi e plotë e një arkitekture të zhdukur në Shqipërinë e veriut dhe me piktura të vyera. Kishte të tjera si xhamia e Peqinit, e Kavajës, u prishën minaret e xhamive mbret të ndërtuara në 1492 gjatë kohës që në Shqipëri ndenji sulltan Bajaziti i dytë.
Ndërsa sot, sipas profesorit ka një qasje biznesi në trajtimin e monumenteve, edhe pse këto të fundit do ta çonin në një tjetër drejtim turizmin kulturor në vend.
Administrimi nuk është i rregullt. E kemi thënë aty ku thuhet, që janë prishur atelietë dhe monumentet bëhen të tëra me privatë, që nuk mund të jenë të specializuara për këtë punë. As materialet që përputhen me kërkesat shkencore. Bëhen tendera kur është marrëzi. Si p.sh. do bëjmë një operacion të mëlçisë dhe bëjmë tender cili doktor e bën. Ky është restaurimi.
Sipas profesor Meksit, vendi nuk ka nëvojë për një shkollë të posaçme restaurimi, pasi kjo lëndë është e integruar brenda degës së arkitekturës, por duhen politika afatgjata për ruajtjen dhe administrimin e monumenteve.
Add new comment