Mikrokreditë? Guvernatori ngre supet dhe propozon rregullime të reja
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2024/05/Sejko-1_2024_05_21_17.jpg?itok=qRrb0bin)
Ka dalë në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ai u thirr për skandalin e mikrokredive që ka kohë që zien në media, por për të cilin z. Sejko nuk ka folur. Ndër të tjera Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka pranuar se problemet me mikrofinancat janë evidentuar në vitin 2015, por mjetet për të vepruar sipas tij kanë qenë të kufizuara. Më tej Sejko solli disa propozime:
Ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore, për të adresuar procesin dhe për ta zgjidhur. Së pari Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjithë veprimeve me karakter procedurial të të gjithë përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Së dyti hartimin në bashkëpunim me BB të një ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jo banka.
Së treti përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të BSH mbi vendosjen e tavaneve për penaliteten dhe normat e interesit. Së katërti shndërrimin e institucioneve jo banka në shoqëri aksionere, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me dy nivele
Siç mund të merret me mend, zotëria në fjalë ka pranuar se ka dështuar në misionin kryesor të institucionit, mbikëqyrje dhe rregullim të sektorit. Sidomos nëse mbahet parasysh se problemet janë akumuluar prej 9 vjetësh. Është për t’u pyetur se pse masat e mësipërme nuk u propozuan më herët, pse nuk u ngrit alarmi për kamatat e shtuara, kufizimin e tyre e kështu me radhë, apo edhe normat e interesit? Pse reagon ky individ tani që skandali shpërtheu në media?
Me standardin e z. Sejko, i cili edhe për pyetjen: cili është kriteri i shpërndarjes së reklamave, përgjigjet: Sekret Bankar, do të thoshim se enigma e matufepsjes së Bankës është padyshim: Sekret Bankar! Një vend ku sekrete ka edhe Gent Sejko, merret me mend se çfarë është.
s.zaimi
Add new comment