Pa fanfara dhe dërdëllitje/Greqia si fuqi perëndimore në Ballkan duhet të afrojë fqinjët "e vegjël" drejt Europës
Kryeredaktori i gazetës greke “Kathimerini”, gazetari i njohur Alexis Papchelas, ka publikuar dje një shënim mbi dy ngjarjet e fundit rajonale që prekin Greqinë. Takimi i kryeministrit Edi Rama në një stadium në Athinë dhe deklarata e presidentes së Maqedonisë së Veriut që refuzoi të përdorte emrin kushtetues të vendit në fjalimin inaugurues të saj. Papachelas cilëson se “Greqia është vendi serioz, i fuqishëm, pastërtisht Perëndimor, pastërtisht demokratik dhe europian në një fqinjësi famëkeqe, të vështirë dhe të paparashikueshme”. Dhe si e tillë ajo nuk ka pse të ndihet e pasigurtë përballë fqinjëve që janë “shumë të vegjël në përmasën gjeopolitike dhe fuqi”.
Papachelas bën thirrje që vendi të mos viktimizohet dhe as të bjerë pre e emocioneve, pasi përqendrimi kryesor duhet të jetë në atë që është shqetësimi kryesor strategjik.
Fuqia jonë duhet të përkthehet në veprime të ftohta, pa fanfara dhe dërdëllitje të panevojshme për audiencën e brendshme. Greqia duhet të shfaqet si lojtari solid europian në Ballkan...që ka çdo arsye të distancojë fqinjët e vet nga ata që do të donin të ishin “mbrojtësit” anti-perëndimorë të rajonit, kushdo që ata janë dhe t’i sjellë ata më afër Europës. Ka një rol qendror për të luajtur si fuqia drejtuese perëndimore në Ballkan
shkruan Papachelas.
Sipas tij Greqia nuk duhet të tolerojë as shkeljen e Marrveshjes së Prespës as keqtrajtimin e pakicës greke në Shqipëri, por mesa duket me aksion diplomatik intensiv dhe jo përmes diplomacisë polemizuese. Në një farë mënyre ky qëndrim shpjegon edhe “indiferencën” e mbajtur nga politika greke ndaj zhurmës së stadiumit “Galatsi”, por edhe kalimit të butë ndaj qëndrimeve të presidentes maqedonase.
Add new comment