Lufta Hibride, një koncept dhe praktikë që zë fill që në Rusinë Cariste

Postuar në 16 Maj, 2024 14:57

Përmbledhja e mëposhtme(sjellë me disa shkurtime) është një trajtim për konceptin e Luftës Hibride, popullarizuar shumë këtë dhjetëvjeçar dhe atribuuar në media të Perëndimit si një gjetje operative apo koncept i ri për luftën, shefit aktual të Shtabit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov. Në të vërtetë ky është një ndër shkaqet pse Gerasimov mori një lloj fame.

Përmbledhja hedh dritë mbi pikat kryesore të këtij koncepti që është gati një shekull i vjetër. Madje mund të thuhet se ai është aplikuar për herë të parë nga bolshevikët. Dhe me sukses. Elementë të luftës hibride mund të gjenden të përshkruar në librin “Totalitarizmat e shekullit të XX-të” me autorë Leon Poliakov, Jean-Pierre Cabestan, ku flitet për elementë të tillë të konfliktit social në regjimin rus si socializmi policor, krijimi i nocionit të agjentit të dyfishtë, falsifikime të famshme si “Protokollet e të urtëve të Sionit”, lufta propagandistike mes komunistëve dhe caristëve, për t¡ ardhur mandej te Komunizmi i Luftës që është një formë ekstreme mbrojtjeje ndaj luftës hibride dhe konvencionale të kundërshtarit. Një tjetër libër i vjetër, “Konspiracioni i madh kundër Rusisë”, përfaqëson në vetvete një mjet propagandistik masiv që synon “vigjilencën dhe gatishmërinë” e shoqërisë ndaj një armiku permanent, duke përmbushur një ndër kushtet e mbrojtjes që sugjerohet ndaj luftës hibride: armifikimi i shoqërisë që nuk është detyrimisht militarizim konvencional.

Poliakov ka publikuar një ese të njohur “Mbi Dezinformacionin” pas krizës së vitit 1982, ku vë në dukje se sovjetikët përpunuan një librari të tërë antisemite, e popullarizuan atë sipas tij, për t’i dhënë kështu popujve arabë të Lindjes së Mesme një bazë ideologjike kundër SHBA dhe Izraelit, në alternativë të komunizmit.

Përmbledhja në fjalë megjithatë cilëson si autor të parë të konceptit të luftës hibride, Evgeny Messner, një oficer carist që u përball me sovjetikët në Luftën Civile dhe mandej në LIIB, ku konstatoi se natyra e luftës që udhëhiqnin komunistët ishe krejt e ndryshme nga lufta e mëparshme dhe se ajo në fakt synonte Psikologjinë e armikut.

Myatezh Voina – Lufta e Rebelimit nëse mund ta sjellim kështu shqip, është koncepti që përpunoi Messner, sipas të cilit aplikohen disa parime të reja metodologjike që synojnë krizë sistemike të kundërshtarit. Ajo që ka shumë rëndësi është filozofia nihiliste e MV-së, që do të thotë se ajo ndonëse mund të ketë synim instalimin e një ideologjie të caktuar, në ekzekutim nuk njeh asnjë normë etike dhe morale që kompromenton qëllimin kryesor që është: paaftësimi psikologjik i kundërshtarit për të rezistuar. Janë elementë të një përvoje të shumënjohur në ish-Lindjen Komuniste, ku lidhet ideologjia me veprimin shumëplanësh operativ, pa ndalesë kohore dhe territoriale, por që çuditërisht në Perëndim riprezantohen si të ishin diçka e re.                                                                                                                                                                                                                          s.zaimi

***

Adam Klus

Evgeny Messner(1891-1974) shërbeu si një oficer carist gjatë Luftës I Botërore. Më vonë luftoi kundër bolshevikëve në Luftën Civile Ruse. Pasi të Bardhët u mundën ai emigroi në Jugosllavi. Gjatë Luftës II Botërore ai bashkëpunoi me fuqitë e Boshtit. Pas lufte emigroi në Argjentinë ku punoi si akademik dhe shkrimtar. Pikëpamjet e Messner u formuan në pjesë të madhe nga trauma e humbjes në Luftën Civile Ruse, gjatë së cilës ai përjetoi në vetë të parë luftimin kundër një armiku që aplikonte betejë të parregullt, terror dhe propagandë në një shkallë masive. Më vonë, gjatë LIIB, ai pa nga afër luftën guerrile dhe anti-guerrile në llavën ballkanike.

Pasi emigroi në Amerikën Latine, Messner u përqendrua në konfliktet periferike dhe klandestine të Luftës së Ftohtë. Ai i pa ato si arenë kryesore të konfrontimit mes superfuqive. Messner u përpoq të kuptonte logjikën strategjike pas ngjarjeve të ndryshme, në dukje të shkëputura. Ai ishte i bindur se ato ishin elemente të një projekti të madh të hartuar dhe ekzekutuar nga komunistët. Messner e bazonte konceptualizimin e mënyrës së re komuniste të luftës mbi disa vëzhgime që i lidhte me evolucionin e luftës në përgjithësi. 

Zhdukja e dikotomisë paqe-luftë. Sipas Messner, të menduarit në terma binarë të luftës dhe paqes ishte bërë e pakuptimtë. Përherë e më shumë, natyra e akteve armiqësore mes shteteve, nuk konformohej me intervalet e dallueshme të definuara nga deklarata të traktateve të luftës dhe paqes.

Një gjendje de jure e paqes apo e luftës mund të mos reflektojë më natyrën de facto të një marrëdhënieje mes shteteve. Dikotomia paqe-luftë mbetet e vlefshme nga një pikëpmaje legaliste, por e humbet rëndësinë në aspektin e vet politiko-ushtarake. Messner vuri në dukje se komunistët mendojnë rreth paqes si një periudhë gjatë së cilës nuk zhvillohet asnjë luftë formale konvencionale. Një përkufizim i tillë nuk nënkupton ndalimin e veprimtarive armiqësorë mes vendeve. Në fjalë të tjera. Objektivat politikë(dhe synimet armiqësore) mbeten të pandryshueshme por ndiqen me një bashkësi tjetër mjetesh dhe taktikash.  

Nuk ekziston një linjë fronti. Mesner vuri në dukje përderisa nuk kishte një vijë të qartë ndarëse mes paqes dhe luftës, nuk kishte as një linjë tq qartë demarkacioni ku të zhvilloheshin aktivitetet kryesore. Linja e frontit zhduket, duke e bërë të gjithë territorin shtetëror një fushëbetejë potenciale. Ushtarë të një lloji të ri; terroristë, grupe guerrileje, apo propagandist mund të veprojnë në pjesë të ndryshme të vendit që kanë zgjedhur të sulmojnë. Në operacionet e tyre ata janë më pak të lidhur nga gjeometria konvencionale e fronteve dhe konfigurimi klasik i linjave të furnizimit. Një ndër pasojat kyçe të zhdukjes së linjës së frontit është fakti se popullsia civile e shtetit të sulmuar, me gjasë merr pjesë më shumë në luftën e re sesa forcat e rregullta të armatosura.

Qendra e gravitetit është zhvendosur në fushën psikologjike për shkak të vitalitetit të shtuar të domeinit fizik. Një tjetër aspekt i rëndësishëm që ndikon evolucionin e luftës është zhvendosja e qendrës së gravitetit në një konflikt që shoqërohet nga një vitatlitet i rritur i një shteti. Messner vinte në dukje se gjatë LIIB, shkaktimi i dëmeve të rënda ndaj bazave fizike të armikut nuk çoi në fitore të shpejtë. Për më tepër, pushtimi i territorit armik dhe shkatërrimi i forcave të armatosura të rregulla të tij, nuk e mbyll konfliktin – por thjesht e kalon atë në fazën tjetër ku aspektet jokonvencionale dhe të parregullta do të luajnë me gjasë një rol qendror. Qendra e gravitetit zhvendoset nga domeini fizik në atë mental me fitoren që nuk sigurohet më nga suksesi në fushëbetejë – por në të vërtetë kërkon thyerjen e shpirtit luftarak të armikut.

Faktorët psikologjikë marrin një vend qendror në luftën bashkëkohore. Siç u përmend më siëpr, konflikti nuk ka të bëjë më me marrjen e territorit por me “dominimin e shpirtrave”. Si sulmuesi, ashtu edhe mbrojtësi duhet përherë e më shumë të konsiderojnë ndikimin psikologjik më tepër sesa atë fizik në çdo operacion të madh. Fitoret dhe humbjet kanë rëndësi më shumë nga pikëpamja e ndikimit të tyre psikologjik. Trupa nuk i ndan më udhërat në të lehtë dhe të vështirë, por popullorë dhe jopopullorë.

Drejtimi i luftës i nënshtrohet një vulgarizimi të përhershëm. Lufta po bazohet përherë e më shumë mbi elementë jokonvencionalë dhe të parregullt që si mesatare përfaqësojnë një cilësi, standaerde etike dhe moral më të ulët. Kjo e bën drejtimin e luftës më pak profesionale dhe më të paparashikueshme. “Lufta e pistë” bëhet një aspekt qendror i një konflikti që çon në vulgarizimin dhe barbarizimin e tij.

Kompleksi politiko-strategjik i një konflikti bëhet dominues. Kompleksiteti i luftës rritet përherë e më shumë për shkak të numrit në rritje të palëve që përfshihen në konflikt dhe diversitetit të tyre. Konfliktet nuk mbeten më lokalë; në të vërtetë ato tërheqin përherë e më shumë aktorë të jashtëm. Rezultati është një hapësirë beteje me një mozaik pjesëmarrësish që operojnë në konfigurime në zhvendosje. Në fakt, procesi mund të çojë në një situatë ku dinamikat politiko-strategjike të konfliktit të bëhen të pakuptueshme dhe paperceptueshme për të jashtmit. 

Të kuptosh konceptin e Myatezh Voina

Messner ishte i bindur se komunistët kishin perfeksionuar një tip të ri luftimi jo-ortodoks që u lejonte atyre të sfidonin dhe me gjasë të mundnin Perëndimin pa frikën se do të provokonin një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak. Bazuar në vëzhgimet e tij ai zhvilloi gradualisht konceptin e myatezh voina.

Karakteristikat kyçe të Myatezh Voina

Jokonvencionale dhe jo-ortodokse. Arti strategjik, taktik dhe operacional i Myatezh Voina përqendrohet mbi metodat dhe mjetet jokonvencionale si tradhtia, terrori, apo dizinformacioni. Ushtria klasike konvencionale luan në rastin më të mirë një rol margjinal. Tipari dallues i MV-së është përdorimi i gjerë i akteve të ndryshme të dhunës si grabitjet me armë, pengmarrjet, rrëmbimet apo pirateria.

Projekti strategjik mbetet shumë ambig. Për të vënë re dhe kuptuar MV-në duhet parë projekti i madh strategjik pas akteve të dhunës që në dukje janë të zakonshëm dhe të palidhur me njëri-tjetrin. Nëse MV ekzekutohet siç duhet, viktima e sulmit mundet madje as të kuptojë, apo të paktën të arrijë consensus të mjaftueshëm politik që është edhe shënjestra e një fushate të mirë-koordinuar të armikut.

Së pari duhet parë logjika strategjike që lidh p.sh manifestimet e dhunës, grevat, serialin e pengmarrjeve dhe sulmet guerrilje.

Planifikuar dhe ekzekutuar profesionalisht. Pavarësisht natyrës në dukje kaotike dhe amorfe, MV realizohe në një mënyrë të mirëmenduar dhe sistematike. Ajo planifikohet profesionalisht, organizohet dhe ekzekutohet nga një qendër komande e dedikuar. Ndonëse ngjarjet individuale mund të të duken spontane, deri edhe iracionale, roli I emocioneve dhe improvizimi në nivel strategjik, reduktohen në minimum.

E zgjatur dhe gradualiste në natyrë. Ndryshe nga revolucioni, që është i shpejtë dhe radikal, MV është e zgjatur dhe gradualist në natyrën e vet. Shmang veprime që për shkak të shkallës dhe ashpërsisë mund të solidizojë vendosmërinë e armikut dhe fuqizojë instinktet e tij të vetëmbrojtjes. Kurba e përshkallëzimit të MV-së nuk është shumë e pjerrët dhe synon një paralizë graduale të armiut ndërkohë që shmang krijimin e panikut të menjëhershëm. Ky i fundit mund të shkaktojë rreziqe duke ushqyer më shumë sesa duke minimizuar dëshirën për të luftuar të një shënjestre. Niveli kumulativ i dhunës së ushtruar gjatë një fushate të MV-së konsiston në sulme të shumta të vogla, të përhapura në hapësirë dhe kohë, më tepër sesa disa akte të mëdha dhune.

Udhëhequr nga parimet bazë të luftës. Pavarësisht karakterit të vet heretik, jo-ortodoks, MV mbetet në thelbin e vet, subjekt i parimeve bazë të luftës. Messner thekson qartë faktorë të tillë si: rëndësia e befasissë ndaj armikut, roli qendror i shërbimeve inteligjente, përpjekja për të fituar me koston më të ulët të mundshme dhe ruajtja e iniciativës. Kështu MV nuk përfaqëson një ndryshim paradigmatik të luftës, por më tepër një manifestim të ri të parimeve të vjetra të ndërluftimit.

Bazuar në parime nihiliste. Ndonëse MV mund të zhvillohet për të çuar përpara një ideologji specifike si p.sh komunizmi, parimet filozofike të saj qëndrojnë mbi nihilizmin. Një nga karakteristikat kyçe të strategjisë është se nuk njeh vlera, ligje apo konventa, përfshirë ato të ideologjisë që duhet çuar përpara. Natyra amorale dhe nihiliste është një ndër karakteristikat kyçe që e bëjnë Myatezh Voina kaq të rrezikshme. Ndonëse në parim, strategjia mund të aplikohet nga çdo aktor i aftë dhe me burime të mjaftueshme strategjike, ajo është natyralisht më pak e përshtatshme për demokracitë liberale perëndimore.

Domeini psikologjik ka rëndësinë më të madhe. Karakteristika kryesore e MV është se ajo ka në qendër mjedisin psikologjik.

Së pari, objektivi final i strategjisë është të ndikojë, në një mënyrë të favorshme, psikën e armikut.

Së dyti, propaganda është një mjet esencial i strategjisë.

Së treti, operacionet kinetike(ato që përfshijnë luftimin direkt shen.red) planifikohen dhe ekzekutohen bazuar mbi ndikimin e tyre psikologjik.

Së fundmi, përpjekja e shërbimeve sekrete është shumë e përqendruar mbi kërkimin e dobësive kyçe kulturore, psikologjike apo sociologjike të kundërshtarit.

Objektivat e Myatezh Voina

MV zhvillohet kryesisht në mjedisin psikologjik. Çdo veprim, taktik, operacional apo strategjik, konsiderohet fillimisht përmes potencialit që ka mbi moralin e armikut. Siç Messner e shpreh metaforikisht: “Myatezh Voina synon në “çarjen e psikës së armikut” dhe “pushtimin e shpirtit armik”.  Në terma praktikë objektivi kryesor është paaftësimi psikologjik i kundërshtarit. Qëllimi kyç i operacioneve psikologjike të MV është ta tjetërsojë psikologjikisht armikun deri sa ta paaftësojë për të rezistuar. Messner propozon sipas rëndësisë listën e mëposhtme të objektivave që duhen ndjekur nga një aktor që zhillon MV:

  • Shkatërrimi i moralit armik
  • Mposhtja e grupeve më aktive të armikut, p.sh ushtria, guerrilja, aktivistë
  • Kapja ose shkatërrimi i objekteve me rëndësi të madhe psikologjike
  • Kapja apo shkatërrimi i objekteve me vlerë të madhe materiale
  • Afektimi i moralit të aleatëve të armikut

Aktorë të Myatezh Voina

Një ndër tiparet kryesore të MV është varieteti i madh i atyre që përfshihen në zhvillimin e saj. Ata mund të konsistojnë në demonstrues, agjitatorë, propagandisë, kriminelë, sabotatorë, terroristë, guerrilje dhe luftëtarë të parregullt. Natyra eklektike dhe oportuniste e strategjisë e bën listën pa fund. Njësitë e rregullta të ushtrisë mund po ashtu të marrin pjesë në MV, por në dallim nga konfrontimi klasik konvencional, ato do të luajnë vetëm një rol ndihmës. Messner i klasifikon aktorët e MV në katër kategori të gjera:

  • Masat e revoltuara (мятежные массы) – grupe të mëdha civilësh të irrituar që inskenojnë protesta publike dhe krijojnë paqëndrueshmëri sociale.
  • Forcat kripto/klandestine (мятежные колонны) – grupe dhe individë që veprojnë fshehtas përgjatë një spektri të gjerë aktivitetesh të dhunshme, që nga sabotazhi tek aktet e terrorizmit.
  • Lëvizjet e rezistencës (мятежное ополчение) – njësi të parregullta që sulmojnë armikun duke përdorur kryesisht taktika guerriljeje.
  • Forcat e rregullta të armatosura.

Secila kategori përfaqëson nivele të ndryshme aftësish, besueshmërie dhe dhune. Një aktor mund të lëvizë mes kategorive të ndryshme dhe respektivisht lart ose poshtë në spektrin e dhunës. P.sh një individ mund të nisë si një demonstrues(kategoria e masave të revoltuara), mandej nis të angazhohet në akte sabotazhi(kategoria e kripto-ushtrisë) dhe më vonë i bashkohet një lëvizjeje guerriljeje. Procesi mund të funksionojë në të kundërt.

Si të mbrohesh kundër Myatezh Voina?

Sipas Messner baza e mbrojtjes kundër MV duhet bazuar mbi njohjen e ekzistencës së rrezikut, p.sh: ngjarje të ndryshme të dhunshme janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përfaqësojnë një sulm strategjik i nisur nga një kundërshtar i sofistikuar. Kjo kërkon një ndryshim themelor në kuadrin mental dhe konceltual të përdorur në Perëndim për të qenë I aftë në identifikimin dhe emërtimin e një kërcënimi të ri.

Filozofia e një strategjie mbrojtjeje duhet të bazohet mbi të njëjtat parime me ato të MV. Për ta ilustruar këtë pikë, Messner përdor krahasimin me luftën revolucionare dhe kundër-revolucionare. Ai vë në dukje se për të qenë i suksseshëm, kundër-revolucioni duhet të bazohet në parime revolucionare, jo ato reaksionare(në kuptimin e kundërveprimit). P.sh: duhet të marrë formën e një ri-revolucioni. Sipas Messner një nga arsyet kyçe pse forcat e Të Bardhëve u mundën gjatë Luftës Civile Ruse, ishte fakti se ato u përpoqën të luftonit të Kuqtë përmes taktikave klasike kundër-revolucionare. Ai jep po ashtu shembullin e gjeneralit Francisco Franco në Luftën Civile Spanjolle, që nga ana e vet përdori një bashkësi të ndryshme parimesh revolucionare(fashizmi) për të mposhtur revolucionin komunist në Spanjë.

Kështu, për të përballur Myatezh Voina nuk duhet thjesht të mbrohesh kundër saj, por më tepër duhet zhvilluar një formë e veta e MV-së që synon sulmuesin. Një strategji e tillë kundër-MV duhet të përfshirë të gjithë sektorët shtetërorë për të adresuar një spektër të gjerë të sulmeve potenciale. Kjo nga ana e vet mund të kërkojë një mobilizim nacional. Nuk duhet ngatërruar kjo me militarizimin klasik të shoqërisë bazuar në stërvitjen ushtarake të qytetarëve dhe thirrjen e rezervistëve. Në vend të kësaj, duhet konsideruar armifikimi i vetë shoqërisë, pra pëdorimi i funksioneve të ndryshme të shoqërisë për zhvillimin e luftës.

Një ndër çështjet më të rëndësishme të vëzhguara nga Messner është nevoja për ndryshimin e standardeve etike për ta bërë kundër-MV efektive. Ai propozon aplikimin e standardeve të kohë-luftës, p.sh: pengje të mundshëm nuk duhen shpëtuar me çdo kusht, por më tepër duhen parë si Robër Lufte. Në tërësi etika duhet “reduktuar në minimum”. Mbrojtësi duhet të reduktojë aktivisht asimetrinë potenciale në standardet etike për të përballuar kërcënimet nihiliste të MV. Në përshkrimin e tij, Messner shkon aq larg saqë propozon krijimin e një një organizate si SMERSH(smert shpionam – agjenci e ngarkuar me ekzekutimin fizik të të infiltruarve në Ushtrinë e Kuqe shën.red) që do ta luftonte terrorin me terror.

Ai jep disa këshilla praktike mbi “ndarjen e punës” mes aparatit të sigurisë së një mbrojtësi:

  • Trupat e brendshme duhet të shënjestrojnë kryengritësit dhe guerriljen
  • Kundërzbulimi dhe policia sekrete duhet të shënjestrojë terroristët dhe sabotatorët
  • Propagandistët duhet të shënjestrojnë propagandistët

Ndonëse të zakonshme në natyrën e vet, këshillat theksojnë çështjen e rëndësishme të nevojës që ka një mbrojtës për të zhvilluar një spektër të gjerë mjetesh.

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.