Lukashenko: Të parandalojmë Luftën e Tretë Botërore
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, thotë se Lufta e Tretë Botërore duhet parandaluar, sepse në të kundërt një apokalips bërthamor është i pashmangshëm.
"Ne duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore. Përndryshe, një apokalips bërthamor është i pashmangshëm. Prandaj duhet të bashkohemi të gjithë," tha Lukashenko në ceremoninë e vendosjes së luleve në monumentin e Fitores si pjesë e aksionit patriotik "Bjellorusia kujton", në Minsk.
Ai theksoi se njerëzimi tashmë ka arritur të bashkohet kundër së keqes një herë në historinë e tij, gjë që çoi në fitore. Lukashenko shtoi se Perëndimi, ashtu si para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, është gati të përballet me çdo të keqe për hir të ruajtjes së dominimit dhe përfitimit personal. Me rastin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Moskës dhe Minskut për përdorimin e armëve bërthamore taktike, Lukashenko tha se Rusia dhe Bjellorusia nuk kanë ndërmend të sulmojnë askënd.
Add new comment