Katër vende të BE-së do të njohin shtetin e Palestinës
Spanja mund t'i bashkohet Irlandës dhe "partnerëve të tjerë të BE" në njohjen e Palestinës si shtet më 21 maj. Kjo lëvizje do ta detyronte kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez të ndjekë kërkesën e partnerit të koalicionit Sumar.
Një ditë më parë, transmetuesi publik irlandez RTE raportoi se Irlanda, Spanja dhe "partnerët e tjerë të BE" mund të njohin "Shtetin e Palestinës" më 21 maj - informacion që sipas RTE është verifikuar "me dy burime të ndryshme".
Spanja, nga ana e saj, ka konfirmuar se do ta njohë Palestinën si shtet "shumë shpejt".
“Vendimet e Këshillit të Ministrave nuk janë asnjëherë të parashikuara. Po bisedojmë me disa nga kolegët tanë evropianë për të analizuar momentin më të mirë për të bërë këtë njohje. Do ta dini me vendimin e Këshillit të Ministrave”, tha ministri i Jashtëm, José Manuel Albares Albares.
Albares tha gjithashtu se Spanja do të bëjë këtë hap për arsye tërësisht humane, sepse populli palestinez nuk mund të mbetet "një popull refugjatësh".
Albares konfirmoi edhe se Spanja do të votojë pro anëtarësisë së Palestinës me të drejta të plota në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të premten.
Sipas RTE, kjo nisma për njohjen e shtetit të Palestinës mbështetet edhe nga Sllovenia dhe Malta.
Më 22 mars, të katër vendet nënshkruan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të njohjes së Palestinës si shtet, një mënyrë kjo për të kontribuuar në zgjidhjen me dy shtete, si alternativa e vetme politike "e zbatueshme" për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë izraelito-palestinez.
Deri më sot, 141 vende e kanë njohur shtetin palestinez.
Në Bashkimin Evropian, vendet që e njohin aktualisht janë: Bullgaria, Qiproja, Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Suedia.
Add new comment