Trupat amerikane tërhiqen nga Nigeri dhe Çadi, i lënë vendin trupave ruse
Uashingtoni do të tërheqë plotësisht trupat nga Nigeri dhe po zhvendos edhe personelin ushtarak të vendosur në Çad, pasi po shqyrton mundësinë e vijimit të misionit antiterrorist të Amerikës në rajonin e Sahelit.
Vendimi vjen pas kërkesave të qeverive ushtarake të të dy vendeve afrikane që forcat amerikane të ndërpresin operacionet atje. Muajin e kaluar, udhëheqja e re e Nigerit ndërpreu marrëveshjen e sigurisë me SHBA-në, duke e deklaruar si të padëshiruar praninë e 1000 trupave amerikane të stacionuara në vendin e Afrikës Perëndimore.
Çadi, i cili është në kufi me Nigerin, ka ngritur pikëpyetje mbi marrëveshjen ekzistuese.
Sekretari i shtypit i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder u tha gazetarëve se Uashingtoni do të "ripozicionojë" kontigjentin prej rreth 100 trupash të vendosur në Çad.
"Ky është një hap i përkohshëm si pjesë e rishikimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit tonë të sigurisë, i cili do të rifillojë pas zgjedhjeve presidenciale të Çadit të 6 majit," tha Ryder.
Që nga marrja e pushtetit në një grusht shteti korrikun e kaluar, qeveria e re e Nigerit ka rishikuar marrëveshjet ushtarake me partnerët e angazhuar nga udhëheqësit civilë të rrëzuar, duke përfshirë Francën dhe SHBA-në, të cilët kanë kryer operacione antixhihadiste në Sahel që nga viti 2013. Këto misione janë konsideruar të paefektshme në të gjithë rajonin dhe Franca – koloni e të cilës ka qenë Nigeri – u urdhërua të largonte trupat e saj në fund të vitit të kaluar.
Qeveria tranzitore e Abdourahamane Tchiani është orientuar drejt bashkëpunimit me Rusinë. Në prill, ai diskutoi së bashku me presidentin rus Putin mbi mundësitë e bashkëpunimit kundër terrorizmit në rajonin e Sahelit. Mediat lokale raportuan më pas se instruktorët ushtarakë rusë kishin zbarkuar në Niamey me një aeroplan me pajisje për të ndihmuar ushtrinë nigeriane në trajnimin kundër terrorizmit, pavarësisht se SHBA shpreh shqetësimin për thellimin e marrëdhënieve të Nigerit me Rusinë.
Add new comment