Të vdesësh nga korrenti në anë të rrugës
Kur udhëton në këmbë, me biçikletë, me motor, por dhe me makinë, nuk mjafton të mbash ekuilibrin për të mos rënë dhe të kesh kujdes në drejtim. Duhet të ruhesh jo vetëm nga makinat, shpeshherë me shpejtësi garash që ke majtas dhe pas, por do gjesh një hapësirë milimetrike që të ndan nga dy lloje rreziqesh vdekjeprurëse. Ndërsa nga njëra anë mund të të përplasin, nga ana tjetër rrezikon të biesh në korrent. Rasti i fundit tragjik ishte i një 43-vjeçari në Lezhë që ra në korrent anës rrugës, kur po kthehej nga puna me biçikletë. U ruajt nga makinat i ndjeri, por fatal për të ishte korrenti.
Sikur të mos mjaftonte bilanci tragjik i aksidenteve në rrugët tona, ku të dehur, të droguar, fëmijë pa patentë duke bërë video për rrjetet sociale marrin jetën e njerëzve në rrugë. Shtojmë këtu dhe ndonjë të vrarë apo të plagosur të gjendur rastësisht në rrezen e zjarrit në atentate, megjithëse saktësia dhe precizioni i vrasësve me pagesë, në fakt, kanë kursyer kalimtarët.
Gjithashtu, thuajse çdo vit ishim mësuar të dëgjonim raste, ku autokombajnera humbin jetën në korrent, çobanë duke kullotur bagëtitë e deri fëmijë që kanë gjetur vdekjen duke i dhënë ujë kalit në lum; madje dhe fëmijë duke luajtur në parkun e dekoruar për festat “e rëndësishme” të të rriturve. Për mos të lënë pa përmendur fëmijë dhe të rritur që kanë gjetur vdekjen në korrent duke zënë peshk, natyrisht në mënyrë të paligjshme.
Tani gjen vdekjen nga korrenti dhe në anë të rrugës. Si mos të ndodhin në vendin me linja tërësisht të amortizuara, ku janë spostuar linjat e tensionit të lartë për biznese, ku mania e ndriçimit është e papërmbajtur? Ndriçohen mure, lulishte, pemë, statuja, rrugë ku kalojnë vetëm qentë, kalatë etj. Tela e kabuj pa fund nga të gjitha anët. Dikur kishte një elektrifikim të sforcuar për të çuar dritën dhe zërin e partisë në çdo cep të Shqipërisë, kurse sot ka një ndriçim të sforcuar për të tërhequr klientë e për të mahnitur njerëzit. Burime pa fund drite që tërheqin insektet deri në verbim, peshqit në det para se t’i mbështjellë rrjeta, po ashtu dhe njerëzit. Me sa duket, shkalla e diferencimit evolutiv të llojeve të lartpërmendura është më madhe në formë se në përmbajtje. Mënyra e përdorimit të arritjeve teknologjike mund t'i kthejë ato në bumerangë vetëvrasës.
Add new comment