Injoranca duhet studiuar
“Kurrë nuk është vonë” është cilësuar nga UNESCO si një nga programet më të mira televizive të bëra ndonjëherë për luftën kundër analfabetizmit. Kjo falë Alberto Manzi-t, i cili e bëri atë një revolucion të veçantë në metodën e edukimit të të rriturve, i njohur dhe i cituar në literaturën pedagogjike në mbarë botën. Dy fjalë për historinë e tij.
Familjariteti tërësisht italian me këtë yll fatsjellës, së bashku me një forcë të jashtëzakonshme shtytëse për t'u ringritur nga rrënojat fizike dhe morale të një lufte shkatërruese, e kishin bërë këtë vend ende të humbur të ecte drejt të ashtuquajturës "mrekulli ekonomike", në fund të viteve ‘50 dhe të gjashtëdhjetave. Italia aktive dhe e pasur, punëtore edhe pse jo mjaftueshëm industriale, e cila aspironte rinovimin dhe përparimin, u karakterizua nga tensione radikale sociale, presione migratore, zona të prapambetura të dominuara nga analfabetizmi (10% e popullsisë në mesin e viteve 1950) dhe nga "një gjuhë kombëtare e papërsosur që mbulon një trup fragmentar historiko-shoqëror” (Pasolini). Ashtu si televizioni ende në hapat e parë (1954), në përpjekjen e tij të vazhdueshme për përmbajtje, mbështetet në modele kulturore para-ekzistuese (teatër, estradë, gazetë ose leksioni akademik model i Prof. Cutolo, "Një përgjigje për ty"), ai shndërrohet (me vetëdije, mbase) në një medium të aftë për të riformësuar funksionet e shkollës tradicionale në mënyrë që të ngrejë nivelin mesatar të shkrim-leximit dhe t’i shërbejë si unifikues një gjuhe kohezive, të përbashkët, të aksesueshme dhe të menjëhershme, përtej çdo dialektizimi.
Kështu lindën strukturat e Rai-t si Teleshkolla dhe kryesisht “Nuk është kurrë vonë”, një program në italishten e masës, i konsideruar megjithatë, kryesisht në aspektin arsimor dhe operacional. Televizioni origjinal, falë atij transmetimi, i drejtuar nga një mjeshtër i vërtetë, Alberto Manzi (nga viti 1960 deri në 1968), i cili propozoi zhvillimin e mësimeve shkollore, fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm. I transmetuar herët në mbrëmje, me një rrjet prej 2000 pikash të shpërndara në të gjithë gadishullin edhe për ata që nuk kishin televizor, ai integroi temat ministrore me aktualitetin, në një përzierje të kulturës dhe mësimdhënies, nga shkronjat e alfabetit te veprimet matematikore, nga jeta e përditshme te sistemi diellor. Mësimdhënia në burgun e të miturve Aristide Gabelli në Romë, menjëherë pas luftës, dhe karriera e tij e gjatë si mësues dhe edukator më vonë në shkollat fillore, kishte formuar një drejtues atipik, me një qasje të butë, të drejtpërdrejtë dhe tejet ironike (në stilin e natyrës së tij romane). Përvojat e fituara gjatë udhëtimeve të shpeshta në Amerikën e Jugut, për periudha mësimore dhe kërkimore mbi kushtet sociale dhe kulturore të komuniteteve të magjinalizuara, kishin arritur të përsosnin një metodë pedagogjike që ishte gjithmonë në zhvillim, duke transformuar veprimtarinë mësimore dhe arsimore në një platformë përgjegjësie dhe ndërgjegjësimi për realitetin kontekstual.
Po, është bukur të mësosh lexim dhe shkrim, aq sa, pas vitit të parë të programit, 35 000 njerëz morën diplomën (më shumë se një milion ishin të rriturit që mësuan shkrim e këndim), por duhet bërë (ky është kushti) pa u distancuar nga bota, sepse solidariteti dhe liria, neveria ndaj të gjitha formave të dhunës dhe racizmit, mbeten koordinatat brenda të cilave duhet të inkorporohet rruga e qenieve njerëzore të integruara në një mjedis natyror dhe social të karakterizuar nga respektimi i rregullave. Regjistri i imagjinatës së veprave të tij për fëmijë (mbi 120) si “Grogh, historia e një kastori” (1952) dhe Orzoëei (1955), të prirura për të provokuar trazim me objektivin për të formuar, diplomat e mëvonshme në biologji, filozofi dhe pedagogji, dëshmojnë një “tension konjitiv” të vazhdueshëm, pra dëshirë për të njohur realitetin, për të kërkuar përgjigje, mbi të cilat mësuesi bashkëndërton me nxënësit rrugën e mësimdhënies dhe të të nxënit. “Nëse duam të mposhtim gjënë më të tmerrshme nga të gjitha, injorancën, duhet ta studiojmë atë. Vetëm arsimi mund të garantojë që i gjithë njerëzimi të mund të jetojë më mirë." Përmbledhja: "Të edukosh për të menduar".
/ Ultima Bozza /
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Add new comment