Holanda mbyll fushën më të madhe të gazit në Europë
Holanda ka mbyllur zyrtarisht fushën e gazit Groningen, pasi autoritetet vendosën t’u japin fund operacioneve të shpimit në vend për të kufizuar rreziqet sizmike.
Që nga tetori i vitit 2023, fusha e gazit ka prodhuar me kapacitet të reduktuar për shkak të shkurtimeve të prodhimit, masa të marra gradualisht pas dëmtimit të mijëra ndërtesa gjatë viteve. Megjithatë, 11 puset e saj mbeten të hapura në rast të një dimri të ashpër dhe për shkak të situatës së pasigurt ndërkombëtare në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë.
Vendimi për mbylljen e fushës së gazit u mor nga Senati holandez, pasi qeveria njoftoi se prodhimi nuk do të rifillojë kurrë për të kufizuar rreziqet sizmike në rajon.
Vendimi u parapri nga debate pasi disa parti mbrojtën mbajtjen hapur të fushës së gazit.
E hapur në vitin 1963, fusha më e madhe e gazit në Evropë u bë një kontribuues i madh në ekonominë holandeze dhe ende ka rezerva të mëdha gazi. Ajo prodhoi më shumë se 50 miliardë metra kub gaz në kulmin e saj dhjetë vjet më parë. Megjithatë, rajoni ka regjistruar mbi 1 600 tërmete që nga viti 1986 dhe si pasojë janë dëmtuar 85 000 ndërtesa. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse mbyllja e fushës do të mjaftojë për të parandaluar aktivitetin sizmik në rajon, pasi kavitete boshe mbeten nën tokë.
Në shkurt, Shell dhe Exxon NAM, të cilat në bashkëpunim kanë operuar në fushën e Groningenit, i kërkuan një gjykate arbitrazhi të vendosë nëse qeveria duhet të japë kompensim për mbylljen e prodhimit të gazit në vend.
Sipas Reuters, fitimet e gazit përllogariten rreth 363 miliardë euro në Holandë që nga fillimi i prodhimit, ndërsa fitimet e Shell dhe Exxon nga Groningen arritën në afro 66 miliardë euro gjatë së njëjtës periudhë.
Përpara nisjes së operacionit ushtarak të Moskës kundër Ukrainës, sipas agjencisë holandeze të statistikave, një e katërta e importeve të gazit të Holandës merrej nga Rusia.
Add new comment