Humbja e Ukrainës vë në diskutim vlerën e shtetit-komb si njësi e sistemit ndërkombëtar

Postuar në 17 Prill, 2024 12:34
Skerdilajd Zaimi

 

Në një opinion publikuar sot në “Politico” vihet në dukje perspektiva e afërt e Ukrainës që shënon fjalën: Humbje! Që nga ministri i Jashtëm, Kuleba e deri te zyrtarë të lartë ushtarakë që nuk duan të identifikohen, pranohet një gjë: pa ndihmën e Perëndimit me armatime, ofensiva e afërt e verës që paralajmërohet nga Rusia pritet të çajë frontin. Më keq, në lojë tashmë është qyteti i dytë i Ukrainës, Harkovi, ose Kharkiv siç e quajnë ukrainasit, që është edhe kryeqyteti i parë i vendit.

Problemi është strategjik në çdo kuptim dhe për ta kuptuar atë do të duhej që të kishte transparencë të plotë, çka as mund të mendohet në luftë: si shpjegohet që një vend si Rusia, përshkruar nga çdo media e Perëndimit si një autokraci e dështuar, e korruptuar dhe nën sanksione globale thuajse, për të cilën madje u përfol edhe shpërbërja, arrin që të mbajë një operacion ushtarak masiv si ky, të stabilizojë linjat e furnizimit, të përmirësojë ndjeshëm aftësinë luftuese, të tregojë elasticitet në front, të përballojë tensione të brendshme dhe pas gati 2 vitesh e gjysmë të diskutojë fitoren?

Si mundet që i gjithë Perëndimi nuk arrin të aftësojë aleatin e vet, Ukrainën, ndërkohë që Rusia arriti të maksimiziojë rezultatin vetëm me ndihmën e Kinës dhe Iranit? Pyetjes i mungon përgjigja me të dhëna faktike të besueshme: në të vërtetë sa shpjegohet kjo krizë në front me mungesën e ndihmave dhe sa me faktin se ukrainasit kaq po japin?

Kuleba thotë se Ukrainës i duhen edhe 500 000 trupa shtesë, mirëpo që të bëhet kjo gjë, duhet një urdhër mobilizimi masiv. Shefi i Kabinetit të Presidencës ukrainase, Yermak, citohet të jetë shprehur se një dekret i tillë nuk është vënë në lëvizje sepse “për Zelenskiyn si “president i popullit” është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos bëjnë diçka vetëm sepse janë urdhëruar”.

Në Kiev, njerëzit bëjnë çdo gjë për të mos e cenuar normalitetin e tyre dhe kështu kemi paradoksin e madh të një shteti në luftë, një pjesë e madhe e shoqërisë së të cilit refuzon të angazhohet në të. Ky është një aspekt edhe më i rëndë strategjik se sfida strikt ushtarake me të cilën përballet sot Ukraina. Sepse ai vë në dukje në mënyrën më të paturpshme faktin se, ndonëse sistemi ndërkombëtar përbëhet nga shtete-kombe, të cilat deklarojnë se kanë kufij dhe ushtri kombëtare, se ndjekin parimet e integritetit territorial dhe sovranitetit, se madje aplikojnë në themel arsimin nacional që afirmon unitetin kombëtar, në të vërtetë për të gjitha këto, për sigurinë e të gjithë sistemit përgjgjen vetëm fuqitë e mëdha.

Dikush do ta bëjë luftën për mua. Pse duhet të vritem unë për një kryeministër/president të korruptuar?

Ja pyetja anestezike e kujtdo qytetari normal që përcakton natyrën e krizës thelbësore të sotme. Për sigurinë europiane, të belgut që prodhon çokollatën, italianit që prodhon makaronat, apo edhe spanjollit, përgjigjet SHBA. Pushteti i saj dhe kontrolli prej saj i pjesës më të madhe të hallkave të sigurisë. Përgjigjet edhe Britania e Madhe, e deri diku edhe Franca. Të tjerët konsumojnë një siguri që shpallet si kolektive, nën okelion e unitetit formal shtet-komb, por që në të vërtetë nuk duket se janë më të gatshëm të sakrifikojnë asgjë për të.

Nga kjo pikëpamje, pra nëse do ta shohim luftën e Ukrainës, si një shembull të dështimit praktik të shtetit-komb, patjetër që do të duhet të pyesnim: çfarë kufijsh dhe shteti do të restauronte apo instauronte një paqe me Rusinë? Kush do të përgjigjet për sigurinë e shtetit të ardhshëm, nëse sot konfirmohet se pjesa më e madhe e shoqërisë së tij nuk ka dëshirën minimale të kryejë detyrën bazë?

E njëjta pyetje na vjen edhe në Ballkan, apo në Shqipëri ku veprojnë të njëjtat parime formale: komb, shtet, kufinj, ushtri, arsim nacional. Mirëpo kush do të mobilizohej realisht në një rast si ky i Ukrainës? Si t’i përgjigjesh pyetjes: pse për plaçkën e Edi Ramës, Sali Berishës dhe Zamir Manes do luftoj unë?

Është e qartë deri dikur si 30-vjetëshi tranzicion dhe kapitalizëm traumatik që preku një pjesë të vendeve të ish-Lindjes komuniste, si dhe hiperkonsumizmi në një pjesë të Perëndimit kanë vënë në krizë efektive të gjithë vlerën e narrativës zyrtare, jo ligjërimit për paqen dhe prosperitetin, por narrativës që implikohet nga arkitektura aktuale politike dhe institucionale: nuk ka sot asnjë shtet në botë të mos ketë në bazë: ligjin si akt sovraniteti, ushtrinë si instrument të zbatimit dhe mbrojtjes së tij dhe gjykatat si tregues i rendit. Sa vlerë ka kjo gjeometri totemesh laike në kohën tonë? Sa përputhet ajo me nocionin e Shtetit si aktor përfaqësues dhe sa nuk është rrëgjuar thjesht në shtratin e një infrastrukture Pushteti? Sa ndikon në irelevancën e kësaj narrative dhe fiksionalizimin e saj dukuria e emigracionit?

Ndoshta këto pyetje po i vijnë vërdallë një sistemi ndërkombëtar që nuk po i përgjigjet më simetrikisht krizave aktuale, pasi mesa duket Kombet nuk përfaqësojnë më zona autonome pushteti politik që të justifikojnë të drejtën e organizimit politik dhe subjektivizimit ndërkombëtar. Nëse Ukraina bie është e qartë se ky nocion relativiziohet edhe më shumë dhe relativizohet edhe në anën e kundërt: me shtrëngimet e mëdha që do të kërkonte SHBA ndaj aleatëve të vet, që ose do të dëshmojnë se janë në gjendje të përgjigjen për krizat që po vijnë, ose si të tilla, herët apo vonë, do të dalin nga skena. Politika nuk vepron mbi mëshirën, kjo dihet qysh prej fillimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.