Zonjat e mjedisit fitojnë betejën ligjore me qeverinë e Zvicrës
Një grup zonjash të moshuara fituan betejën me Zvicrën për çështjen e klimës. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut u dha të drejtë grave të grupit “Klima Seniorinnen”, rreth dy mijë aktiviste zvicerane (mesatarisht 75 vjeç) që denoncuan vendin e tyre për mosveprim kundër krizës klimatike. Vendimi i gjykatës është i detyrueshëm për të 46 shtetet e Këshillit të Evropës.
Gratë i denoncuan si të pamjaftueshme përpjekjet e qeverisë zvicerane në luftën kundër krizës klimatike, e cila rrezikon jetën dhe të drejtat e njerëzve nga valët e të nxehtit dhe ngjarjet ekstreme të motit.
Sipas gjykatës, Zvicra ka dështuar në respektimin e objektivave të reduktimit të gazit serrë, duke shkelur kështu disa prej të drejtave të njeriut. Vendimi mund të ketë efekt kaskadë për të 46 shtetet e Këshillit të Evropës, duke qenë se hap një precedent historik.
Sipas gjykatës, qeveria zvicerane ka shkelur të drejtën e njeriut "për jetën private dhe familjare" duke dështuar në zbatimin e politikave të mjaftueshme kombëtare për të adresuar ndryshimet klimatike.
"Kjo përfshin dështimin për të përcaktuar, nëpërmjet një buxheti karboni ose tjetër, kufijtë kombëtarë të emetimeve të gazeve serrë," tha kryetarja e kësaj gjykate, Siofra O'Leary.
Dënimi nuk mund të apelohet.
Padia e Klima Seniorinnen është i vetmi rast - nga tre të tilla - për të cilin gjykata vendosi në favor.
Add new comment