“Plani kinez për paqen, më i miri”
Rusia e vlerëson si më të arsyeshmin planin e paqes që ka propozuar Kina. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ky është plani më i mirë që është propozuar deri tani.
Pekini parashtroi një dokument prej 12 pikash më shumë se një vit më parë që përcaktonte parimet e përgjithshme për përfundimin e luftës, por nuk hynte në detaje. Plani u prit vakët në atë kohë si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se Kina po përpiqej të paraqitej si paqebërëse, por duke reflektuar "narrativën e rreme" të Rusisë.
"Gjëja më e rëndësishme për ne është se dokumenti kinez bazohet në një analizë të arsyeve për atë që po ndodh dhe nevojën për t’i eliminuar këto shkaqe rrënjësore. Ai është i strukturuar në logjikë nga e përgjithshme në atë specifike", citohet Lavrov nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA.
Ky plan u kritikua se ishte i paqartë... Por ky është një plan i arsyeshëm që qytetërimi i madh kinez propozoi për diskutim.
Lavrov do të takohet së shpejti me homologun e tij kinez, ndërsa presidenti Vladimir Putin tha muajin e kaluar se po e konsideron udhëtimin në Kinë, i pari jashtë shtetit në mandatin e tij të ri.
Rusia thotë se është e gatshme të hyjë në bisedime për Ukrainën, por se këto duhet të pasqyrojnë atë që ajo e quan "realitetet e reja" në terren, ku forcat e saj kontrollojnë pak më pak se një të pestën e vendit dhe Moska i pretendon katër rajone ukrainase si të sajat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka paraqitur formulën e tij të paqes që bën thirrje për ndërprerje të armiqësive dhe tërheqje të plotë të Rusisë nga i gjithë territori i pushtuar.
Add new comment