Çmimi i shtrenjtë i emigrimit
Përgjatë dekadës së fundit kanë qenë me qindra tragjeditë që kanë përfshirë emigrantët në përpjekje për të arritur brigjet e Europës.
Agjencia e Emigracionit në Kombet e Bashkuara (IOM), përllogarit në raportin e fundit se që nga viti 2014 janë më shumë se 27 mijë njerëz të vdekur ose të zhdukur në ujërat pranë kontinentit të vjetër.
Në total në të gjithë botën, të paktën 63 285 njerëz kanë vdekur në përpjekje për të arritur në një vend tjetër si emigrantë.
Viti me numrin më të madh të viktimave është viti 2023 me 8 500 të tilla.
Rreth 60 për qind e vdekjeve të dokumentuara vijnë nga mbytja në ujë.
Shumica e vdekjeve në Mesdheun Qendror u dokumentuan në brigjet e Libisë. Por IOM ka regjistruar një "rritje të nisjeve dhe, përkatësisht, mbytjet e anijeve" në brigjet e Tunizisë. Të paktën 729 njerëz vdiqën në brigjet e Tunizisë në vitin 2023, krahasuar me 462 vitin e kaluar.
Numri mendohet të jetë akoma më i madh për shkak të vështirësisë në marrjen dhe verifikimin e informacionit.
Në rrugën e Atlantikut nga bregu perëndimor i Afrikës në Ishujt Kanarie të Spanjës, anije të tëra thuhet se janë zhdukur në ato që njihen si "mbytjet e padukshme të anijeve". Në mënyrë të ngjashme, shumë vdekje në shkretëtirën e Saharasë besohet se nuk raportohen.
Edhe kur regjistrohen vdekjet, më shumë se dy të tretat e viktimave mbeten të paidentifikuara. Në më shumë se gjysmën e të gjitha rasteve, IOM nuk ka arritur të përcaktojë as gjininë as moshën e viktimave.
Add new comment