Edhe Britania po krijon Njeriun e Ri

Postuar në 16 Mars, 2024 14:13

Një muze që zotërohet nga universiteti i Kembrixhit në Britaninë e Madhe, muzeu Fitzwilliam, ka ardhur në vëmendje të mediave vendase për shkak të një qëndrimi “revizionist” të eksponateve të veta që paraqesin fshatin anglez. Kodrat dhe peizazhet rurale.

Pikturat e kodrave të rrumbullakosura angleze mund të nxisin ndjenja të krenarisë kundrejt një atdheu

citohet drejtori Luke Syson, që sqaron megjithatë se paranteza nuk lidhet me lëvizjen “Woke”.  

Një “anë e errët” e këtyre peizazheve ka të bëjë me faktin se ato evokojnë një mjedis që përforcon ndjesi identitare, që “implikojnë se vetëm ata me një lidhje historike me tokën kanë të drejtën e përkatësisë”. Ndaj muzeu për të krijuar një ndjesi “përfshirëse dhe përfaqësuese” ka riorganiuar eksponatin në kategori tematike si “Burri duke parë gruan”, “Identiteti”, “Migrimi dhe Lëvizja” dhe “Natyra” brenda të cilave paraqiten piktura të Constable, Grainsborrough, Palmer; skena franceze nga Pisarro, Renoir, Monet dhe Cezanne.

Kështu shpresohet që vizitori të mos viktimizohet apo ndikohet nga ndjeistë nacionaliste që vijnë natyrshëm te njeriu kur kundron një pamje me elementë identitarë.

Edhe portretet në muze konsiderohen nga drejtori se evokojnë “në mënyra komplekse, imperializmin britanik dhe institucionin e skllavërisë ndëratlantike”. Më e rëndësishmja: pas këtij ndryshimi qëndron një raport i një grupi filantropik, “Ëildlife and Countryside Link” që vlerësonte se “fshati britanik ka qenë ndikuar nga trashëgimie raciste koloniale”. Dhe kjo vlen edhe për “hapësirat e gjelbra britanike” që të paraqitura në pikturë duken si të ndikuara nga “vlerat e britanikëve të bardhë”.

Rasti në fjalë tingëllon absurd në kërkimin e shkaqeve të një keqkuptimi të supozuar të njerëzve me artin e dy shekujve më parë. Absurd sepse pikënisja e këtij revizionimi është neutralizimi i identiteteve reciproke: artit si akt individual dhe historik dhe vizitorit si subjekt që ndikohet dhe ndikon.

Presioni që ushtrohet për këtë retushim radikal të interpretimit të artit na kujton disi debatin për të filmat e kohës së komunizmit në Shqipëri, ndonëse arsyeja në rastin tonë është disi më ndryshe. Megjithatë është e pakonceptueshme që kuratorë të pasurive të tilla të marrin një rol të tillë ndërmjetësues me shikuesit, duke ndërfutur bindje të vetat si pjesë të estetikës dhe etikës që arti përçon te njeriu.

Çdo të duhej të thoshte një atesit në kishat e mbushura me afreske religjioze në Itali? Absurdi këtu shkon larg pasi frekuentuesit e pikturës dhe artit figurativ përgjithësisht kërkojnë të shohin nga afër vepra që janë tashmë të njohura përmes botimeve dhe edukimi këtu nuk mund të injorojë kontekstin e kohës. Përpjekja është identike me atë të krijimit të njeriu të ri të kohës së komunizmit, me dallimin e vetëm se për herë të parë ndoshta në histori, njeriu synohet të zhvishet nga polariteti i vet estetik dhe etik, për të kaluar në një qenie neutrale, kundruese, pa qëndrim dhe gjykim hierarkik mbi botën sociale, çka përfaqëson padyshim një ndër sipërmarrjet më të rrezikshme për kulturën dhe kuptimin inherent të botës nën ombrellën e luftës së të mirës me të keqen.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.