Kur u martova, humba jetën time
Dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore është gjerësisht e përhapur në Azinë Qendrore. Por në mënyrë të veçantë, në Taxhikistan, një shoqëri thellësisht patriarkale, përmasat e saj janë akoma më të mëdha. Një raport i hartuar nga Partneriteti Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IPHR) me titull "Kur u martova humba jetën time": Zbulimi i epidemisë së dhunës në familje kundër grave në Taxhikistan", nxjerr në pah dështimin e shtetit në luftën efektive ndaj këtij fenomeni.
Në Taxhikistan, rolet gjinore mbeten tradicionale dhe qëndrimet stereotipe kontribuojnë në vazhdimësinë e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Në vitin 2024, Komiteti i OKB-së për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave ngriti shqetësime rreth qëndrimeve të rrënjosura patriarkale në Taxhikistan. Këto qëndrime ulin ndjeshëm mundësitë dhe cilësinë e jetës për shumë gra dhe vajza, të cilat përballen me pengesa për të hyrë në arsim dhe për të fituar pavarësinë ekonomike.
Në rastin e vajzave, prioriteti kryesor i familjes së saj është gjetja e një burri. Kjo sjell martesat në moshë të vogël. Që nga viti 2022, shkalla e martesave me të mitur është rritur me 60%.
Këtyre vajzave, pas martesës u ndalohet të punojnë ose të studiojnë dhe si pasojë hyjnë në izolim social.
Edhe në nivelin më të lartë, problemi është i pazgjidhur. Përfaqësues të organeve shtetërore nuk kanë arritur të dënojnë fuqishëm dhe publikisht dhunën në familje – një faktor që ka kontribuar në mosndëshkimin e autorëve. Taxhikistani ka në fuqi prej mëse 10 vjetësh Ligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje, por pak është bërë për t’i mbrojtur gratë nga dhuna.
Gratë që marrin guximin të denoncojnë dhunën në shumë raste nuk gjejnë mbështetje te policia. Kjo e fundit përpiqet t'i bindë ato të pajtohen me burrat e tyre, në vend që të hetojë rastin.
Në raport përmenden raste kur efektivë të policisë tallen me viktimat, ose thjesht hedhin poshtë pretendimet e tyre. Një rast ekstrem i referuar në raport lidhte me një grua të plagosur në fytyrë me thikë nga i shoqi, i cili e kishte kërcënuar se do t’i përdhunonte vajzën e saj. Por përgjigja e policisë ishte: "Ti ke fëmijë, do të bëhet mirë, duhet të qëndroni bashkë".
Mënyra si reagon policia ndaj këtyre rasteve, reflekton sipas organizatave të shoqërisë civile, nevojën imediate që ajo ka për trajnime gjithëpërfshirëse, në mënyrë që sfidojë qëndrimet stereotipe ndaj grave. “Shumica e tyre [oficerët e policisë] e shohin dhunën në familje si normale,” citohet një aktiviste e të drejtave të grave.
Shpesh viktimat e dhunës shihen si fajtore. Udhëzimet e brendshme të policisë për trajtimin e incidenteve të dhunës në familje i orientojnë oficerët të identifikojnë se kush e filloi "konfliktin", duke treguar se dhuna në familje shihet si një "konflikt" midis dy personave.
Pavarësisht se qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të adresuar problemet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, situata e përgjithshme nuk është përmirësuar gjatë dekadës së fundit dhe duket se mungon vullneti politik për të shpenzuar para për trajtimin e problemit. Rishikimi i Kodit Penal që diskutohet do të ndëshkojnë vetëm disa lloje të dhunës – dhunën fizike, izolimin, frikësimin, kontrollin dhe privimin ekonomik dhe neglizhencën – por do të anashkalojë dhunën psikologjike, përdhunimin martesor dhe sulme seksuale.
Add new comment