“Vatikani i së nesërmes”, tjetër letër anonime brenda Kishës Katolike
Brenda gjirit të Kishës Katolike, zërat për largimin e Papa Françeskut kanë nisur të shtohen. Pas tekstit me titull “Demos” dy vjet më parë, pas të cilit më vonë u zbulua se qëndronte kardinali George Pell, një tjetër dokument i kësaj natyre shfaqet në internet. "Vatikani i së nesërmes" u publikua nga faqja e internetit “La nuova Bussola Quotidiana” dhe u shpërnda në mediat sociale nga përfaqësues të Kishës, si kardinali Joseph Zen.
Teksti i ri përcakton shtatë prioritetet e konklavës së ardhshme «për të riparuar konfuzionin dhe krizën e krijuar nga papa aktual».
Letra me sa duket është shkruar nga një kardinal, por në fakt është anonime sepse “sinqeriteti nuk është i mirëpritur dhe pasojat e saj mund të jenë të pakëndshme”, thuhet në letër.
Nëse nga njëra anë, "pika e fortë e Papa Bergoglios" është "theksi i shtuar që ai i ka vënë dhembshurisë ndaj të dobëtve, solidaritetit ndaj të varfërve dhe të margjinalizuarve, shqetësimit për dinjitetin e krijimit njerëzor dhe për çështjet mjedisore”, në të njëjtën kohë pontifikati i Françeskut akuzohet për “një stil qeverisjeje autokratike, ndonjëherë në dukje hakmarrëse; dozë pakujdesie në çështjet e ligjit; intolerancë ndaj mosmarrëveshjeve, dhe, më e rënda, ambiguitet për çështjet e besimit dhe moralit që shkakton konfuzion tek besimtarët. Konfuzioni sjell ndarje dhe konflikt. Ai minon besimin në Fjalën e Perëndisë. Dhe rezultati sot është një Kishë më e fragmentarizuar se në çdoherë përgjatë viteve të fundit”.
Dokumenti, krahas italishtes, është botuar në anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht dhe polonisht dhe "ka për qëllim të qarkullojë midis kardinalëve në funksion të konklavës së ardhshme dhe midis besimtarëve si nxitje për të menduar mbi prioritetet e Kishës”.
Add new comment