Turizmi si gjethe fiku për forcimin e Lekut. Shqipërisë i mungon një raport zyrtar për ekonominë informale

Postuar në 26 Shkurt, 2024 17:48

Në një analizë të publikura në revistën “Monitor”, Guernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka përcjellë disa mendime mbi qëndrimin e Bankës për forcimin e lekut gjatë vitit që lamë pas. Duke marrë në shqyrtim dy argumente që janë hedhur gjerësisht për këtë temë nga shumë ekspertë, pra përmirësimi strukturor i ekonomisë dhe paraja informale, Sejko nënvizon se forcimi i monedhës sonë, ka ardhur për shkaqe të matshme të ekonomisë legale.

Në një këndvështrim të përgjithshëm, teprica e ofertës valutore në tregun e brendshëm diktohet nga rënia e shpejtë e defiçitit tregtar dhe atij të llogarisë korrente gjatë viteve të fundit dhe përmirësimi i raportit të financimit të tij me Investime të Huaja Direkte.

Në raport ndaj PBB-së, suficiti korrent vlerësohet në 0.2%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deficiti korrent ishte në masën 4.7% ndaj PBB-së. Ky zhvillim përfaqëson një përmirësim të shpejtë e të paprecedentë të bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, të nxitur nga përmirësimi strukturor i bilancit të shkëmbimeve tregtare në mallra dhe shërbime.

Paralelisht me përmirësimin e bilancit tregtar dhe atë të llogarisë korrente, Investimet e Huaja Direkte kanë pasur një trend të qartë rritës gjatë viteve të fundit. Për pasojë, raporti i tyre ndaj deficitit të llogarisë korrente ka pasur trend të vazhdueshëm rritës…

Për më tepër, ky përmirësim strukturor ka pasqyruar reduktimin e deficitit të eksporteve neto, rrugëtim i cili e ka zbritur këtë deficit nga një mesatare prej rreth 20% të PBB-së në gjysmën e parë të dekadës së kaluar, në një nivel prej më pak se 4.5% të PBB-së në nëntëmujorin e parë të vitit 2023.

Reduktimi i deficitit të eksporteve neto gjatë kësaj periudhe është diktuar nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve Eksportet shqiptare janë rritur nga një nivel mesatar prej rreth 28% të PBB-së në gjysmën e parë të dekadës së kaluar, në 39% të PBB-së në dy vitet e fundit

shkruan Sejko.

Sipas tij me eksporte neto duhen kuptuar më shumë shërbimet – turizmi – dhe shumë më pak mallrat. Nëse shohim një element tjetër të sjellë nga Guvernatori është raporti me injektimit të valutës nga eksportet(TURIZMI)  që shkon në 2 miliardë euro për 9 muajt e parë të vitit 2023, remitancave që shkojnë në 676 milionë euro dhe investimeve të huaja direkte që shkojnë 800 milionë euro, ose siç preferon t’i prezantojë Sejko, 08 miliardë euro.

Thënë ndryshe, Leku ka kërcyer sipër nga turizmi dhe remitancat. Çfarë sigurie jep një analizë e tillë për të folur se kemitë bëjmë me përmirësime strukturore të ekonomisë sonë? Dhe aspekti tjetër: si shpjegohet që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë injoron tërësisht si variabël të funksionit të mbiçmimit të lekut me 8.6% në një vit të vetëm, argumentin se paraja informale ka dhënë kontributin e vet qoftë edhe duke shtuar ofertën në treg, që përbën siç thotë z. Sejko, parimin lëvizës në një kurs të lirë këmbimi.

Ekspertë të ndryshëm kanë diksutuar sot mbi këtë temë dhe asnjë nuk duket se ndan të njëjtën ide me Guvernatorin Sejko, çka përbën një problem pasi për çështje të tilla ngjan anormale të ndahen opinione diametralisht të kundërta.

Mendoj se përtej faktorëve fondamendalë janë dhe prurjet e parave informale që janë me efekte të forta në ekonominë tonë të brendshme. Është e vështirë përllogaritja, ka gjithmonë vlerësime që janë jashtëzakonisht të mëdha, pra dhe në BSH vlerësohet se gati 4.5 miliardë euro qarkullojnë, por nuk e dimë se sa është struktura që dominohet nga monedhat e huaja, por flasim për shifra që mund të shkojnë dhe në 8 miliardë euro, një shifër jashtëzakonisht e lartë, çka do të thotë se mundësia për të deformuar sjelljen e shëndetshme të kursit të këmbimit është e lartë

është shprehur Selami Xhepa në ediconin ekonomik në MCN Tv.

Mjafton shifra 4.5 miliardë euro informale që është vlerësim edhe i Bankës për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fluks gati 2 miliardë euro më shumë sesa të gjitha ato që përmend z. Sejko. Edhe sikur këto të jenë injektuar në një kohë të gjatë, qarkullimi i tyre në ekonomi nuk do të mundësonte që luhatja e kursit të këmbimit të ishte kaq drastike.

Tregues negativë që nuk shkojnë paralel me rritjen e peshës së lekut kundrejt monedhave të huaja sheh edhe Petraq Milo. Rënia e eksporteve dhe importeve, sipas tij nuk justifikojnë zhvlerësimin e euros. Po ashtu, sipas tij, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në rajon për nivelin e kredive për banesa, tregues ky që nuk justifikon vrullin e ndërtimeve të reja. 

Unë gjykoj se, pavarësisht nga treguesit, ca gjëra që janë shumë të dukshme dhe pavarësisht diskutimeve, ato qëndrojnë. FMN thotë se 39% e ekonomisë shqiptare është informale. Informale në pagesa, janë transaksionet, pra ne kemi krijuar një shtrat shumë konkret që lulëzon kjo ekonomia informale dhe këtë ne nuk mund ta zhbëjmë. Kjo që nxjerr BSH apo INSTAT është ajo që duket të paktën që deklarohet.

Pastaj themi pse euro është zhvlerësuar dhe cilët janë faktorët dhe këtu mund të themi se ato që janë të dukshme janë faktorë negativë, treguesit e eksporteve janë në rënie, 9.5% më pak në 2023 krahasuar me 2022. Nga eksportet kemi rënie të futjes së euros, por ashtu dhe importet, pra këtu kemi një tregues shumë të qartë, por këto janë tregues zyrtarë dhe ne nuk analizojmë dot ndikimin e parasë informale

tha ai.

Mendime të tilla vënë në dukje së paku një defiçencë të dhënash në analizën e z. Sejko dhe Banka e Shqipërisë nëse do të ishte me të vërtetë një institucion serizo do të duhet të kishte një raport zyrtar edhe mbi ndikimin e ekonomisë informale për të davaritur çdo dyshim. Nga ana tjetër duhet thënë se nëse turizmi përbën një të dhënë cilësisht të re në strukturën e bilancit tregtar të Shqipërisë, atëherë edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë nuk do të duhej të konformohej tërësisht me atë të Eurozonës, por do të duhet të reflektonte dinamikën e brendshme që bën përjashtim nga vendet e tjera.

Në çdo rast, mospublikimi i një raporti për ekonominë informale, ndërkohë që sipas Xhepës vetë Banka e Shqipërisë në diskutime të brendshme pranon se ka 4.5 miliardë euro në qarkullim të paregjistruara dhe kur kjo shifër nuk përputhet proporcionalisht me kreditë për shtëpi ndërkohë që ndërtimi shpërthen, është një gjethe fiku që nuk mbulon dot asgjë.

Ndoshta eksperti Buxhuku pati të drejtë kur tha se "analiza e Sejkos ishte në fakt për ndërkombëtarët".

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.