Politika e Perëndimit nuk kuptohet më as në Perëndim

Postuar në 16 Shkurt, 2024 23:36
Skerdilajd Zaimi

 

Shumëkush që ndjek politikën ndërkombëtare mund ta kuptojë mirë ta zëmë politikën e Kinës, Turqisë, Iranit, Rusisë, Hungarisë apo edhe Donald Trump. Është politika e aktorëve që nuk ndihen rehat me rendin e tanishëm që u rri ngushtë dhe në të vërtetë sfidon me rregullime të vjetra ambicie dhe realitete të reja. Është një rend ndaj të cilit nuk po zhvillohen kundërshti, por një qasje e strukturuar për ta ndryshuar. 

Brenda kësaj logjike, Donald Trump nuk është opozita e politikës së tanishne amerikane, ai është edhe padashur, për shkak të aplikimit retorik të kontestimit tërësor, një Amerikë ndryshe. Një Amerikë tjetër. Mund të jesh kundër, mund të jesh pro. Pak rëndësi ka për sensin e kuptimit të qëndrimeve në fjalë. Me këtë logjikë ne mund të kuptojmë fare mirë edhe Netanyahun.

Mirëpo kur vjen puna të interpretosh politikën e Perëndimit gjërat vështirësohen. Nuk ndërlikohen. Vështirësohen. Për ta kuptuar mund të marrim Ballkanin. 

Nga një anë flitet për ndikime malinje, nga ana tjetër agjentët e këtyre ndikimeve ulen në tryezë dhe pranohen si varianti më i mirë. Predikohet demokraci dhe sundim i ligjit, por po nga Perëndimi ngrihet shqetësimi se kemi zëvendësuar demokracinë me stabilokracinë

Miratohen raport progrese pozitive, por vendime për pranim nuk ka asnjëherë. Parlamenti Europian miraton rezoluta për zgjedhje të parregullta në Serbi, por Komisioni Europian ka politikë të hapur mbështetjen e shkelësit të akuzuar. Diplomatët amerikanë flasin për kërcënime stabiliteti në Kosovë për shkak të qeverisë që zbaton prerogativat e veta, ushtarakët e NATO-s citohen se janë të gatshëm për çdo përballje. 

Në Shqipëri u arrit deri aty sa një sekretar Shteti lejon të keqpëedoret aq sa të deklarojë se shqiptarët e Shqipërisë kanë një kryeministër shumë të mirë dhe një udhëheqës të shquar. Kur sesi është kryeministri e dinë së pari qytetarët.

U arrit deri aty sa edhe pyetjet u korrigjuan, opozita u injorua tërësisht, sërish për të shtuar paqartësitë mbi atë që është politika e ShBA dhe Europës këtu. 
E vetmja pikë që po lexohet është se investimi kryesor është ruajtja e status quosë dhe zhbërja e kundërvajtjeve politike ndaj çdo ndryshimi me njerëz që cilësohen se e përmbushin këtë mision, apo detyrë.

Perëndimi po minon edhe vetë vlerën e zgjedhjeve si instrument ndryshimi duke zhbërë një predikim vjeçar. Për çfarë? Për faktin se nuk ka më kapacitet apo metodë të adoptohet me thyerjet e peizazhit politik që ka nisur të mbërthejë një pjesë të vendeve. 
Kjo status quo ushqehet me çmimin e tolerimit të korrupsionit sistemik për të cilin edhe z. Blinken diçka do ketë dëgjuar.

Dhe këtu vjen në vështrim një tjetër çështje serioze që përsërit në nivel mikro paradoksin që përmendëm më sipër: cili është kuptimi i një politike që investon mbështetje te qeveri të korruptuara për të kaluar mandej në lojën se reforma në drejtësi do të funksionojë?

Si mund të besohet kjo gjë kur sheh këtë politikë pa drejtim real, pa horizont

Rënia e bazës së kësaj politike është çështje kohe. Nuk ka asnjë shans objektiv që të ketë sukses një politikë që kërkon një shoqëri shurdhmemece, e  cila detyrohet të shpenzojë energji në një besim të rremë, zëdhënës të së cilës janë një kategori e diskredituar dhe që po merr borxh sigurinë e vet nga fuqi si ato në Perëndim prej nga ku vijnë fjalë të mëdha, shumë fjalë, por asgjë që të ketë me të vërtetë kuptim praktik. 

Sa për Shqipërinë, historia na ka mësuar se të zgjedhurit, apo të vetëzgjedhurit e Perëndimit kanë përfunduar në det, të harruar e fshirë nga çdo memorie dhe kjo ka arsye më të thella sesa çdo pretendim – qoftë ky edhe i letrarizuar – për fitoren e obskurantizmit oriental.

Mbase koha për ta lexuar historinë kaq naivisht, duke krijuar edhe komplekse të rreme si rrjedhojë e hierarkive të paqena kulturore historike, ka ardhur në fund dhe ndoshta edhe shqiptarët do të dinë të bëjnë zgjedhjen e vet gjeopolitike në dijeni të asaj që ndodh. Përtej statistikave cinike me 95% dhe 99% pro. Në fund të fundit fitorja e një strategjie është të mbërrish apo ta çosh tjetrin në destinacion. Neve na kanë lënë në mes të rrugës. Jo vetëm një herë.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Neve na kane lene ne mes te rruges, e? Jo mer vlla, ne na kane qit jashte rruge fare e nuk e marrim vesh as vete se ku jemi, as harte e as busull.

Submitted by Nje qytetar obj... (not verified) on

Nuk te dergoi njeri me dhune ne Amerike, vete shkove. Kthehu e jeto ne Shqiperi po nuk te pelqeu. Bashkohu A Llapaj ose A Qorres dhe ata te zgjidhin gjithshka. Po qe se i adresohesh popullit, mos fol kur nuk jeton ketu. Kujtuat se do te hani me luge argjendi ne SHBA.

Submitted by Anonymous (not verified) on

"Mbase koha për ta lexuar historinë kaq naivisht, duke krijuar edhe komplekse të rreme si rrjedhojë e hierarkive të paqena kulturore historike, ka ardhur në fund dhe ndoshta edhe shqiptarët do të dinë të bëjnë zgjedhjen e vet gjeopolitike në dijeni të asaj që ndodh."

Shume interesante, z. Zajmi, por mund ta shtjelloni dhe konkretizoni pak me tej idene se ka ardhur koha qe edhe shqiptaret do te dijne te bejne zgjedhjen e vet gjeopolitike. Se shume opsione nuk duket te kete ne horizont.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.