Vihet në testim operativ seksioni bullgaro-serb i gazit azer në Europë
Është vënë në testim operativ seksioni Serbi-Bullgari i gazsjellësit nga Azerbajxhani. Në një ceremoni të posaçme, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, ai bullgar, Rumen Radev, ai azer Ilham Aliyev dhe përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret kanë shtypur në mënyrë simbolike së bashku butonin në një stacion në Nish.
Ministrja serbe e Energjisë dhe Minierave, Dubravka Djedoviç Handanoviç e ka cilësuar projektin si të rëndësishëm në aspektin ndërkombëtar pasi ndihmon në furnizimin me gaz të Europës Qendrore.
Presidenti bullgar ka vlerësuar se me projektin në fjalë ndryshon harta energjetike e Europës, ndërkohë që Aliyev ka cilësuar se furnizimi me gazin azer ndihmon në sigurinë energjetike të Serbisë.
Projekti është një arterie e re dhe alternativë ndaj gazit rus që përfaqëson një ndër levat kryesore të presionit të Kremlinit ndaj Europës që pas nisjes në krizës ukrainase. Në përgjithësi me gazin lidhet edhe refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Add new comment