Premtohet ulja e ndotjes, por dyfishohet prodhimi i lëndëve të djegshme
Prodhuesit e lëndës së djegshme në botë po planifikojnë zgjerime që do të dyfishojnë buxhetin e karbonit në rang botëror. Gjetjet e një raporti të OKB-së, ekspertët i quajtën "çmenduri" që mund të vënë “në pikëpyetje të ardhmen e njerëzimit".
Planet energjetike të shteteve të naftës bien ndesh me politikat dhe premtimet e tyre për klimën, thuhet në raport. Këto plane do të çonin në 460% më shumë prodhim qymyri, 83% më shumë gaz dhe 29% më shumë naftë në 2030 sesa do të ishte e mundur të digjej nëse rritja e temperaturës globale do të mbahej në 1.5 gradë Celcius, për të cilën është rënë dakord ndërkombëtarisht. Këto plane do të sillnin prodhimin e 69% më shumë lëndë djegëse fosile sesa kufiri i sipërm prej 2 gradë Celcius.
Vendet përgjegjëse për emetimet më të mëdha të karbonit nga prodhimi i planifikuar i karburanteve fosile janë India (qymyri), Arabia Saudite (nafta) dhe Rusia (qymyr, naftë dhe gaz). Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja synojnë të njëtin nivel me Arabinë Saudite.
"Varësia ndaj lëndëve djegëse fosile i ka ende kthetrat e saj thellë në shumë vende," thotë Inger Andersen, drejtoresha ekzekutive e programit mjedisor të OKB-së. “Këto plane vënë në pikëpyetje të ardhmen e njerëzimit. Qeveritë duhet të ndalojnë së thëni një gjë, ndërkohë që bëjnë një tjetër.”
Neil Grant, analist në qendrën e mendimit Climate Analytics dhe një autor i raportit, thotë për The Guardian: “Pavarësisht premtimeve të tyre për klimën, plani i qeverive është të lëvrohen akoma më shumë para në një industri ndotëse, që po vdes, ndërsa mundësitë janë të shumta në një sektor të lulëzuar të energjisë së pastër. Përveç çmendurisë ekonomike, është një katastrofë klimatike e krijuar nga ne.”
Raporti profilizon 20 kombe prodhuese të lëndëve djegëse fosile, të cilat ishin burimi i 84% të emetimeve të CO2 në 2021. Prej tyre, 17 ishin zotuar ta ulnin në zero nivelin e emetimeve.
Add new comment