Krizë mes Izraelit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së
Izraeli ndodhet aktualisht në një krizë të dyfishtë që përfaqëson në të vërtetë sinjalet se bota ku jetojmë nuk miraton më unanimisht vendimet e aleatëve të tij. Përveç problemeve me situatën e sigurisë dhe Hamasin, ka një lloj tensioni diplomatik në prag të një krize për shkak të disa deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres i cili duke folur për krizën e tanishme, ndër të tjera deklaroi se:
Populli palestinez i është nënshtruar prej 56 vjetësh një pushtimi mbytës. Është e rëndësishme të pranohet se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakuum
Përkundrejt këtyre qëndrimeve, Ministria e Jashtme e Izraelit ka reaguar shumë ashpër duke kërkuar madje edhe dorëheqjen e Guterres. Në mes të kësaj që ka ndodhur ka hyrë edhe Ministria e Jashtme e Portugalisë, vendi i origjinës së Guterres.
Ne kuptojmë plotësisht dhe ndjekim pozicionin e Antonio Guterres, që ishte i paekuivok kur dënoi sulmin terrorist të Hamasit. Nuk ka asnjë mënyrë për të thënë se Guterres në ndonjë mënyrë po shfajëson terrorizmin
është shprehur ministri João Gomes Cravinho.
Edhe qeveria gjermane ka mbështetur portugezin në krye të OKB-së, teksa një zëdhënës i saj ka shprehur besim te Sekretari i Përgjithshëm. Si reagim ndaj këtij tensioni, Izraeli i ka refuzuar vizën hyrëse Nën-sekretarit të Përgjithshëm, Martin Griffiths, ndërkohë që ministri i Jashtëm, Eli Cohen ka deklaruar se nuk do të takohet më me Guterres. Në vijim të komenteve të veta, Guterres edhe sot u shpreh se:
sulmet e tmerrshme të Hamasit nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez
një qëndrim ky që provon se mbi krizën e tanishme Izraeli nuk ka mbarë botën me vete, për shkak të mënyrës sesi reagoi.
Add new comment