Të linjëzuar për rikthimin e status quosë para Banjskës

Postuar në 13 Tetor, 2023 00:28
Skerdilajd Zaimi

 

Në një intervistë për Tv Prva, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç ka deklaruar se nuk do të ketë sanksione ndaj Serbisë. Sipas tij qytetarët dhe ekonomia nuk do të kenë asnjë ndikim, por do të merren disa masa ndaj tij personalisht. Me këtë rast Vuçiç ka akuzuar përfaqësuesit e opozitës se ata janë sjellë si bashkëpunëtorët e nazizmit. 

Ky është një mesazh force nga z. Vuçiç që ka marrë garanci se asgjë nuk do të ndodhë dhe ai u ka kërkuar serbëve në Veriun e Kosovës të angazhohen për zgjedhje lokale. Siç shihet, Serbia, një vend kandidat për në BE, që ka marrëdhënie partneriteti ekonomik me BE-në dhe vendet anëtare, ka dalë hapur kundër politikës së BE-së, ka marrë në mbrojtje vrasësin e Banjskës, Milan Radoiçiç dhe asgjë nuk po ndodh. Asaj do t’i paraqiten disa propozime të reja krahas Kosovës, që janë siç tha një tjetër gjenerator krize në Ballkan, ambasadori amerikan në Beograd Hill, “propozime ineteresante”. Ky i fundit është shfaqur në pozitën e një karagjozi të plotë në një intervistë me televizionin serb, N1, kur u pyet se a i beson hetimeve nga pala serbe ndërkohë që presidenti Vuçiç ka deklaruar se ka aleat të akuzuarin kryesor. 

Nuk dua të merrem kush ka shok kë. Ne duam rezultatet e hetimeve

tha Hill duke u vënë në siklet. 

I pyetur për faktin se Radoiçiç është non grata nga ShBA dhe ai mbrohet nga Vuçiç, Hill me përsëritjen “ne duam paqe në Ballkan”, deklaroi në mënyrë vetëposhtëruese se “ne na intereson të dimë se çfarë ndodhi në Banjskë”. 

Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Do të thotë që beteja diplomatike Kosovës sapo ka nisur dhe teza se “negociatat nuk janë prioritet, siguria po”, është kyçi. Jo vetëm sepse kjo mban në këmbë qëndrimin për të mos hyrë në dialog me një shtet terrorist, por edhe sepse nëse siguria do të deklarohet nga aktorët ndërkombëtarë, atëherë masat ndaj Kosovës do të duhet të hiqen për të lënë eventualisht Vuçiç personalisht jashtë negociatave direkte. 

Kjo do të thotë po ashtu se Perëndimi po vepron me presion për të rivendosur një satus quo në terren që lidhet në fakt me atë kërkesën serbe për rikthimin e policë e serbë në Veri, që do të justifikonte të ashtuqajturit de-përshkallëzim dhe do të rimerrte në dorë zonën për ta bërë sërish vrimën e zezë të krimit dhe tensioneve. Diçka që Kosova nuk mund ta lejojë sepse ajo ka marrë me shumë mund kontrollin në territor dhe i ka hequr Serbisë opsionin e destabilizimit me veprime në distancë. Shikoni se çfarë sikleti ka sot Serbia me Banjskën dhe hetimin e saj. Deri dje ishin barrikadat dhe radoiçiçët e paprekshëm. 

Ky ishte ai “Veriu tokë e askujt” që u bë de facto tokë e Kosovës, ose nëse duam, pushoi së qeni territor serb. 

Dhe në fund kjo politikë do të thotë se moslinjëzimi me BE-në i një vendi kandidat nuk sjell asnjë pasojë. Asnjë. Ndaj edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gënjeu dje në Parlament, i gënjeu të gjithë. 

Moslinjëzimi me qëndrimin e BE-së nuk është një fjalë goje për një vend kandidat.  Nuk është akt heroizimi, po mbetet një akt kundërshtie në linjën e BE-së. Ajo që bëmë ishte një moslinjëzim mosdakordësie konstruktive për atë që ndodhi. 

Nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral siç janë një pjesë gjestesh nga qeveria e Prishtinës. Mbajtëm qëndrim parimor e kontruktiv për të patur një qëndrim të unifikuar në BE. Pozicioni i vetëdobësuar i Kosovës në raport me BE-në e SHBA-në e vetëviktimizimi i Beogradit e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë

tha ai. 

Asnjë pasojë nuk do të kishte Shqipëria e cila me gojën e Edi Ramës ka zgjedhur të jetë e barazlarguar mes Serbisë dhe Kosovës. Ka zgjedhur sepse nuk besohet se BE-ja ka kërkuar nga Shqipëria me shtrëngim p.sh një draft për Asocacionin. Jo. Kjo është zgjedhja e Edi Ramës për atë që e quan politikë të jashtme të një niveli tjetër. Ky është në të vërtetë linjëzim me një politikë që po vepron vetëm kundër Kosovës në atë kuptim që kanë interesat tërësore të saj dhe se për ironi, këtë linjëzim e prishi idioti i Beogradit më 24 shtator. Të cilin po e asistojnë sot sërish për të rivënë në punë atë proces që pësoi defekt të rëndë në Banjskë. Mes të cilëve edhe shejtan budallai i Tiranës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.