Projekt me 6 pika për rendin ndërkombëtar. "Ndikimi perëndimor, një skemë gjigande piramidale lufte dhe ekspansioni"

Postuar në 07 Tetor, 2023 18:09

Presidenti rus Vladimir Putin ka folur për nevojën e rindërtimit të rendit ndërkombëtar gjatë një takimi të përvitshëm në Valdai Club, që këtë vit kishte temën: "Multipolaritet i ndershëm: Si të garantohet siguria dhe zhvillimi për të gjithë". Në fjalën e vet Putin fajësoi Perëndimin për gjendjen e tanishme ndërkombëtare duke akuzuar elitat e tij për “qasje kolonialiste”. Ndërkohë pala ruse ka hedhur në qarkullim idenë e një “qasjeje qytetërimore” si pjesë thelbësore të “ideologjisë ruse në evoluim”.

Sipas presidentit rus barra financiare e luftës në Ukrainë do të ndikojë më shumë në Europë sesa në SHBA, për shkak të gjendjes së tanishme dhe rënies së PBB-së në kontinent. 

Historia e Perëndimit është në esencë një kronikë e ekspansionit të pafundëm. Ndikimi perëndimor në botë është një skemë e jashtëzakonshme piramidale, ushtarake, politike dhe financiare që në mënyrë të vazhdueshme ka nevojë për më shumë karburant që të mbështesë veten, me burime natyrore, njerëzore dhe teknologjike të cilat u përkasin të tjerëve. Kjo është arsyeja se pse Perëndimi nuk mundet dhe nuk do të ndalet

është shprehur Putin.

Duke folur për qasjen alternative ruse, presidenti rus ka vënë në dukje se propozimet e Moskës, në dritën e zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë tingëllojnë naive.

Pati një moment kur unë thjesht sugjerova: ndoshta ne duhet po ashtu të hyjmë në NATO. Por jo, NATO nuk ka nevojë për vende si yni…Ne menduam të bëhemi pjesë e turmës, të vëmë një këmbë te dera. Nuk kishte më konfrontim ideologjik. Cili ishte problemi? Mendoj se problem ishte interesi i tyre gjeopolitik dhe arroganca ndaj të tjerëve

vijon Putin.

Një tjetër moment me rëndësi për të zbuluar pikëpamjen ruse në krizën e tanishme, është edhe ai kur presidenti rus ka folur për natyrën e konfliktit në Ukrainë.

Kriza në Ukrainë nuk është një konflikt territorial dhe dua ta bëj të qartë këtë. Rusia është vendi më I madh në botë në termat tokësorë, ne nuk kemi interes të pushtojmë më shumë tokë. Ne kemi ende shumë për të zhvilluar si duhet në Siberi, Siberinë Lindore dhe Lindjen e Largët. Ky nuk është një konflitk territorial dhe as një përpjekje për të vendosur balancën gjeopolitike rajonale. Kjo çështje është shumë më e gjerë dhe më themelore dhe është për parimet mbi të cilat ngrihet sistemi ndërkombëtar

është shprehur ai.

Putin nuk e ka fshehur se ai ka një problem serioz në perceptimin sesi SHBA drejton punët në botë dhe sesi elita e saj kërkon të imponohet. Sipas tij sot dëgjohet vazhdimisht nga SHBA të thuhet se “ju duhet të”, “të paralajmërojmë seriozisht”, “jeni i detyruar të”, për të vazhduar me pyetjen:

Kush jeni Ju për ta bërë këtë?

Për shekuj një sjellje e tillë ka çuar në riprodhimin e një gjëje: luftërave të mëdha. Sot kjo është veçanërisht e rrezikshme. Siç e dini njerëzimi ka mjetet për të shkatërruar lehtësisht të gjithë planetin dhe manipulimi i vazhdueshëm i mendjes, i pabesueshëm në shkallën e vet, çon në humbjen e sensit të realitetit

është shprehur Putin që ka bërë thirrje që Perëndimi të pranojë botën për entitetet dhe kulturat që ka.

Jam i bindur se bota po lëviz drejt një sinergjie shteteve-qytetërimore, hapësirash të mëdha, komuniteteve që identifikohen si të tillë…jo një fragmentarizimi të mëtejshëm mes segmenteve rivale, apo bllloqeve rivale

ka thënë ai, duke paralajmëruar se aktualisht është duke u përpunuar një koncept tjetër për rendin ndërkombëtar që rivalizon me rregullimin perëndimor. Një koncept që është paraqitur në gjashtë pika:

  1.   Një botë e hapur e ndërlidhur pa barriera artificiale
  2.   Një botë e larmishme që ruhet si e tillë ku nuk mund të detyrohet mënyra e jetesës
  3.   Përfaqësim maksimal me vendime kolektive
  4.   Siguri universale dhe paqe afatgjatë në respekt të interesave të kujtdo.
  5.   Drejtësi për të gjithë
  6.   Barazi

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.