Ushtria serbe në Kosovë? Lojë e Beogradit për të fituar kohë

Pala serbe është përpjekur të sqarojë sot se lajmet për përqendrim trupash në kufi me synim ndërhyrjen në Kosovë janë të pavërteta. Ndonëse ministri i Mbrojtjes Milosh Vuçeviç ka deklaruar se nëse urdhëri jepet, ushtria do të ndërhyjë, ai ka shtuar se kjo do të ndodhë duke informuar KFOR-in. Një deklaratë politike që ngjan disi pa kuptim në kushtet kur KFOR ka shtuar kontigjentin e vet duke bërë të qartë se është aty për t’u përballur në rrugë ushtarake nëse e kërkon nevoja. Nga ana e vet, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Serbe, Mojsilloviç ka deklaruar se pretendimet e përcjella së fundmi, kur në kufirin me Kosovën Serbia ka vetëm 8 500 trupa, nga pikëpamja ushtarake janë tërësisht pa kuptim.
Çështja është se Serbia po lejon qëllimisht ambiguitetin, duke dëmtuar besueshmërinë e vet. Dhe kjo ka arsye politik. Analisti serb i çështjeve të sigurisë, Aleksander Radiç, citohet nga gazeta “Danas” se lidershipi serb po luan mediatikisht, duke krijuar një imazh të rremë. Dhe kjo u pa edhe me grupin e sulmit në Banjskë.
Synimi është të bindet qytetari mesatar se ky vend është i gatshëm të mbrojë ushtarakisht serbët në Kosovë dhe në fund doli që një formacion jashtë sistemit ndërhyri në Kosovë dhe ai u provua që ishte i patrajnuar dhe jo profesional...Hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244 varet nga pozicioni i KFOR-it dhe KFOR është në thelb NATO. Ndaj pa konsensusin e NATO-s, Ushtria Serbe nuk mund të hyjë në Kosovë
shprehet analisti në fjalë.
Çështja këtu është me natyrë strikt politike. Për cilën arsye do të autorizohet ushtria serbe të hyjë në Kosovë nga KFOR, pa një marrëveshje politike paraprakisht. Një mision sigurie i kësaj ushtrie për komunitetin serb do të thoshte që çdo instrument i deritanishëm ka dështuar dhe Kosova është në kaos, diçka që nuk ka asnjë shans logjik.
Por në kushtet e tanishme, lojërat me ushtrinë janë asgjë më shumë se një mënyrë për të fituar kohë, për të mos lejuar që të flitet për përgjegjësitë e ngjarjes së Banjskës dhe kështu të rihapet nga e para diskutimi për dialogun, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Megjithatë, Serbia kësaj radhe ka humbur shumë dhe me këmbët e veta. Duke vrarë diplomacinë e vet dhe arritjet e deritanishme me një ditë të vetme. Në Banjskë.
Add new comment