Njeriu i ndërlikuar që mori drejtimin e Egjiptit otoman
Khaled Fahmy është pedagog i Studimeve Bashkëkohore Arabe në Universitetin e Cambridge dhe autor i librit “Mehmed Ali” (Botimet Oneworld). Në këtë intervistë, tentojmë të ndriçojmë dy fytyrat e Perandorisë Otomane nga këndvështrimi i një historiani egjiptian.
Muhammad Ali of Egypt, i njohur në Greqi si Mehmet Ali Pasha, në historinë otomane njihet si Kavalali Mehmed Ali, me emrin domethënë që i referohet vendit ku lindi, në Kavala. Në historinë greke është një figurë negative, sidomos i biri Ibrahimi, që emri i tij lidhet me katastrofën që shkaktoi në Peloponez, kur tentoi të shtypte revolucionin grek. Por kush kërkon të mësojë më shumë rreth tij, do të surprizohet që në disa tekste greke, paraqitet madje edhe si filogrek. Çfarë lloj personaliteti për ju ishte Mehmet Ali Pasha?
Mehmet Aliu është ndër otomanët më të komplikuar të shekullit të XIX. Njëmend që fama e tij nuk u kufizua vetëm në botën otomane, por u shtri edhe në Europë dhe nuk do të ishte e ekzagjeruar, po të krahasohej mprehtësia e tij politike me atë të Ministrit të Jashtëm britanik dhe më pas Kryeministër, Lord Palmerson, të princit e kancelarit austriak Meternih, madje edhe të Napoleon Bonapartit, me të cilin krahasohej shpesh. I lindur në Kavala më 1770, mbërriti në Egjipt në 1801 si pjesë e një force të madhe otomane, që u përqëndrua nga Ballkani për të dëbuar francezët nga Egjipti. Katër vjet më vonë, në 1805, sulltani e emëroi udhëheqës të Egjiptit, vend të cilin e mbajti për 43 vjet deri ditën e vdekjes së tij nga një sëmundje vdekjeprurëse.
Gjatë kohës së sundimit të tij jetëgjatë, origjina kavaliote ishte njësoj e rëndësishme me bazën egjiiptiane të pushtetit të tij, tok me familjarizimin e tij të thellë me çështjet otomane dhe pjesëmarrjen ndër to. Ishte kritik shumë i mprehtë karakteresh njerëzorë, me vetëbesim e vetëvlerësim shumë të lartë, priste gjithmonë çastin e duhur, pa u ngutur asnjëherë. Ishte i qetë edhe në kushte stresi, bujar me aleatët e tij, i thjeshtë në pëlqimet e veta dhe shumë sharmant. Ndërkaq, ishte i pamëshirshëm me armiqtë dhe nuk e harronte kurrë një ofendim, sado i parëndësishëm që të ishte. Ndër herët e pakta që humbiste gjakftohtësinë, zemërimi i tij ishte i përbindshëm. Nën petkun e qetësisë sipërfaqësore, fshihej një tru diabolik. Energjia e pashtershme, vëmendja e papërshkrueshme që i kushtonte detajit, dhe njëkohësisht aftësia për të rrokur krejt pamjen, ishin tiparet e tij më përfaqësuese.
Përse vendosët të angazhoheni me figurën e tij dhe e zgjodhët ndër kaq personalitete historike?
Pavarësisht karakteristikave të tij unike, që do të tërhiqnin vëmendjen e çdo biografi, fillimisht nuk më tërhoqi. Përkundrazi, para 35 vjetësh, kur nisa të merrem me historinë e Egjiptit të gjysmës së parë të shekullit të XIX, zgjodha të merrem me një institucion dhe jo me një personalitet, sado shumëngjyrësh që të ishte ky personalitet. Si rrjedhojë, punova shumë vite mbi ushtrinë që themeloi Mehmet Aliu gjatë karrierës së tij të gjatë. Ky studim, mbi bazën e të cilit zhvillova doktoraturën time në Oksford dhe që u publikua më vonë si libër, me titullin ”All the Pasha's Men: Mehmed Ali, His Army and the Making of Modern Egypt (1997)”, më bëri të vetëdijësohem mbi vuajtjet që kaluan miliona egjiptianë nën zgjedhën e tij.
Me mijëra bujq egjiptianë, që shërbyen në ushtrinë e tij, pësuan fatkeqësi të papërshkrueshme, aq sa u detyruan të urrejnë Mehmeti Aliun dhe gjithçka që ai përfaqësonte. Vetëm atëherë, u ndjeva i gatshëm të merrem me Mehmet Aliun dhe të hulumtoj karakterin e tij. Biografia ime për Mehmet Aliun u botua në Angli në vitin 2008 dhe tani po punoj për përkthimin në arabisht. Gjatë viteve, që u mora me këtë biografi, mendoj se arrita të kuptoj e të vlerësoj karakterin e tij të ndërlikuar. Por, nuk mendoj se ia dola të krijoj simpati për të.
Cila ishte origjina e tij? Si u gjend familja e vet në Kavala?
Ekzistojnë shumë teori rreth origjinës së tij të familjes, por më e sakta është ajo që i rrëfeu i biri, Ibrahimi, një këshilltari francez në vitin 1833. Në këtë intervistë, Ibrahimi tha që kishte dëgjuar nga i ati, që babai i tij, pra gjyshi i Ibrahimit e kishte origjinën nga Anadolli qendror dhe konkretisht nga Konya dhe se familja e të atit ishte vendosur në Kavala dy ose tre breza më parë, domethënë në filllim të shekullit të XVIII. Etnikisht ishin turq të Anadollit ose po të hulumtojmë më tepër, familja mund të rridhte nga Turqia lindore e u vendosën në Konya, që të shpëtojnë nga një gjakmarrje. Janë këto prejardhje më të thella, që mbështesin një teori tjetër, sipas së cilës rrjedh gjak kurd në familje.
Nga ana e të ëmës, Mehmet Aliu lidhet me Nikiforon e Dramës, që është vendlindja e saj. Nga Nikiforo, e ka prejardhjen edhe bashkëshortja e tij, Emineja. Sipas historisë, ungji i nënës së Mehmet Aliut, që ishte guvernator i Kavalës, dëgjoi për Eminenë dhe ia prezantoi Mehmetit. Kish pas qenë e martuar, por mbeti vejushë para së të përfundonte martesa dhe trashëgoi një prikë të madhe.
Si arriti një njeri i paarsimuar nga Kavala, të arrijë kaq lart në Perandorinë Otomane?
Nëse Mehmet Aliu do të kishte qëndruar në Kavala, me shumë mundësi të kishte qenë një dayi vendor (ashtu sikurse në adoleshencën e tij) ose tregtar duhani (siç u bë pas martesës së tij me Eminenë). Metamorfoza e tij totale, që erdhi pas vendosjes së tij në Egjipt, kishte si rrjedhojë që ai të bëhej një nga burrat më të rëndësishëm të Perandorisë otomane dhe një udhëheqës me famë ndërkombëtare.
Në Egjipt, Mehmet Aliu ndërtoi një bazë pushteti, që i dha mundësinë të ketë rol qendror në çështjet ndërkombëtare gjatë dhjetëvjeçarëve të 1820-s, 1830-s e 1840-s. Këtë e arriti, duke tërhequr gradualisht pjesëtarët e drejtpërdrejtë të familjes së tij, të afërm të largët e bashkëpunëtorë kavaliotë, që të shpërngulen në vendin e tij të adoptuar dhe ta ndihmojnë ta shndërrojë Egjiptin në qendër pushteti, që të baraspeshonte pushtetin e Stambollit. Në qendër të përpjekjeve të veta ishte kontrolli, që ai dhe administrata e tij kishin mbi fuqinë njerëzore të Egjiptit, me qëllim që të krijonte një ushtri të fortë. Falë kësaj ushtrie arriti ta shtrinte ndikimin e tij mbi një pjesë të madhe të territoreve të Sulltanit dhe po kjo ushtri nxiti ndryshimet më të thella që njohu Egjipti.
Me këtë ushtri të fuqishme Mehmet Aliu ndërhyri në Kretë, në More, në Hejaz, në Jemen dhe kryesisht në Siri. Në fushatën e Sirisë, që zgjati nga viti 1831 gjer në 1840, ushtria egjiptiane mundi katër herë ushtritë otomane dhe u ndal, vetëm atëherë kur Pasha Ibrahimi, komandanti i ushtrisë egjiptiane, përshkoi malet e Taurus në Anadoll, mbërriti në Stamboll dhe nxiti një krizë shumë të madhe, që përforcoi vendin e Mehmet Aliut në Perandorinë Otomane.
Pavarësisht se ishte i paarsimuar, keni shkruar që arriti të arsimohej vetë e të bëhej politikan i aftë, që shpeshherë joshte europianët, diçka që e lakmonte vazhdimisht. Si ia doli mbanë?
Mehmet Aliu ishte një njeri i zgjuar dhe i çuditshëm. Kishte kontakt të vazhdueshëm me tregtarë europianë, udhëtarë e diplomatë, të cilët i priste në pallatin e tij në Aleksandri. Ngaqë ishte thjesht vali (pra guvernator periferik) dhe jo hegjemon i pavarur, nuk i lejohej të kishte përfaqësues në Europë dhe vizitorët e shpeshtë europianë, përbënin një burim i rëndësishëm informacioni për çështjet europiane. Shumë prej tyre ishin sharlatanë e matrapazë. Por, si njohës shumë i mirë i karaktereve njerëzorë, Mehmet Aliu arrinte gjithmonë t’u vilte informacionet e nevojshme, ndërkaq që u linte të besonin se po argëtoheshin në “Lindje”.
Mbi të gjitha, Mehmet Aliu kishte këshilltarë shumë të mirë, që e informonin për çështjet otomane e europiane. Agjenti i tij në Stamboll, Mehmed Najib Effendi kishte ndikim shumë të madh në kryeqyetin europian dhe e furnizonte me informacione, për gjithçka që ndodhte korridoreve të pushtetit atje. Këshilltari i tij armen për çështjet e jashtme, Boghus Yousofian, ishte një diplomat i mprehtë dhe tregtar poliglot (fliste frëngjisht, italisht, otomanisht e arabisht) dhe këshillonte pashain për çështjet europiane. Shefi i kabinetit të tij, greku Sami Bey e furnizonte me informacione për gjithçka ndodhte në Egjipt.
Në 1821, Mehmet Aliu themeloi shtypshkronjë në Bulaq, në Kajron veriperëndimore. Kjo shtypshkronjë nxirrte diamante të letërsisë klasike arabe, manuale mjekësore e shkencore për politeknikumet e shumta të pashait, sikurse edhe një gazetë qeveritare. Gjithashtu, publikoi përkthime në turqisht të biografive të politikanëve europianë, duke përfshirë edhe Katerinën e Madhe dhe Napoleonin. Pashai ishte lexues fanatik i këtyre biografive dhe me raste ndërhynte në politikën botuese të shtypshkronjës, duke zgjedhur disa libra për përkthim e duke refuzuar disa të tjerë.
Një një rast të njohur, refuzoi të përkthehej “Princi” i Makiavelit, duke thënë se nuk ka asgjë në libër, që s’e dinte.
Ndeshi rezistencë në Egjipt?
Kur mbërriti në Egjipt, në 1801, në moshën 31 vjeçare, ushtria pushtuese franceze kishte dështime të shumta dhe u tërhoq shpejt pas tri vitesh pushtimi. (Bonaparti i kishte braktisur më parë burrat e vet, kur kuptoi se fushata ishte e destinuar të dështonte). Otomanët kishin dërguar dy armata, që të rimerrnin provincën e tyre të famshme, një nga toka përmes Sirisë dhe një nga deti, pjesë e cilës u bë dhe Mehmet Aliu. Për më tepër, luftëtarët e vjetër mamelukë kërkonin vazhdimisht që të ktheheshin në zotërimet e tyre bujqësore dhe të ristrukturonin forcat e tyre të shpërbëra pas tri vitesh luftërash.
Pra, skena ku mbërriti Mehmet Aliu në Egjipt ishte skena e një vendi të përçarë, kaotik e të shkatërruar, pas kaq vitesh luftrash të brendshme, pushtimi të huaj, thatësire e murtaje. Këtë gjendje shfrytëzoi Mehmet Aliu, që të ndërtonte bazën e pushtetit të vet. Me ndihmën e një toge të vogël kavaliote, e cila ishte pjesë e një fuqie shqiptare shumë më të madhe, shumë shpejt arriti ta shtrinte bazën e pushtetit, duke përçarë forcat politike mes tyre.
Në fillim, popullsia vendore e Kajros u kthye kah tij, duke shpresuar se do i jepte fund konflikteve të brendshme. Pasi i mori njerëzit me të mirë, u kthye kundër mamelukëve, klasës luftarake të Egjiptit dhe i theri në kuptimin e plotë të fjalës në ngjarjen e 1 marsit 1811. Pas kësaj ngjarjeje, u bë sundimtari i vetëm i vendit. Çdo reagim popullor ishte i kotë.
Donte në vërtetë të imitonte Napoleonin, sikurse thonë disa?
Dy janë figurat me të cilat Mehmet Aliu donte të krahasohej. Shpesh thoshte, që sikurse edhe Aleksandri i Madh ishte edhe ai maqedonas, që e kishte origjinën nga Greqia e Veriut dhe përfundoi të qeveriste Egjiptin. Ndërtoi muzeun e famshëm të Aleksandrisë dhe shumë institucione arsimore në krejt vendin, përveç Bulaq Press. Dhe teksa në Bulaq kishin monopol kultivimin e sesamit dhe eksportonin vajin e tyre në Mesdhe, Mehmet Aliu monopolizoi pambukun dhe e eksportonte në fabrikat e Liverpulit e Mançesterit. Njeriu i dytë me të cilin krahasonte veten ishte Napoleoni. Shpesh thoshte, që kishin lindur në të njëjtin vit, gjë që s’ishte e vërtetë, sepse Napoleoni lindi më 1769, kurse Mehmet Aliu besohet që lindi në 1770.
Në Francë, gjatë periudhës së monarkisë juliane dhe më konkretisht në kohën e entuziazmit kombëtar mbi riatdhesimin e eshtrave të perandorit francez nga Shën Helena për t’u varrosur në Hôtel des Invalides, fama e Mehmet Aliut ishte në kulmin e vet dhe shumë e krahasonin me Napoleonin, sidomos përsa i përkiste qëndrimit të tij provokues kundër Britanisë së Madhe.
Gjatë bisedimeve intensive të atij viti, 1840-s, për zgjidhjen e krizës së dytë siriane, kur ushtria e Mehmet Aliut ishte shumë pranë shkatërrimit të perandorisë otomane, ngjan të ketë thënë që s’do t’ia lejonte kurrë Europës t’i sillej siç iu soll Napoleonit 25 vjet më parë. Dhe rezultoi që kishte të drejtë: nuk u internua dhe kaloi nëntë vitet e jetës së tij duke shijuar frytet e mundeve të veta.
Ishte besimtar fanatik?
Mehmet Aliu ishte shumë gjëra, por jo besimtar fanatik. E vërteta është që ishte mysliman i përkushtuar dhe praktikonte rregullisht ceremonitë islamike (u bë haxhi, pas pelegrinazhit në Mekë në 1813-n). Por, ishte tolerant ndaj gjithë komuniteteve fetare. Kur trupat e tij pushtuan Sirinë e Palestinën, u hoqi taksën pelegrinëve hebrenj që mbërritën nga Rusia në Jeruzalem. Kur vizitoi Sudanin në 1838, u lejoi të krishterëve të ndërtonin një kishë në Hartum, kisha e parë që u ndërtua atje.
Administrata ishte e mbushur me të krishterë të të gjitha dogmave, si armeni Boghus Yousofian, që ishte ministri i tij i Jashtëm. Doktori i tij personal ishte Gaetani Bey, italian katolik, kryemjeku i ushtrisë ishte Antoine Barthelemy Clot-Bey, francez katolik. Edhe koptët, edhe hebrenjtë egjiptianë nuk u dëbuan kurrë dhe vuajtjet e tyre nuk qenë më të mëdha nga ato të bashkëpatriotëve të tyre myslimanë.
Si shpjegohet roli i tij dhe i të birit Ibrahim kundër revolucionit grek dhe shkatërrimit të Peloponezit dhe marrëdhënia kaq e mirë që kishte me komunitetin grek të Egjiptit?
Mehmet Aliu dërgoi ushtrinë e tij në Kretë (1822) dhe në Peloponez (1824) që të shtypë rebelimin ndaj sulltanit. I biri, Ibrahimi, u emërua kryegjeneral i ushtrisë së porsaformuar. Qëllimi i tij ishte të shtypte me çdo kusht rebelimin, që të tregonte vlerën e tij para sulltanit. Mendonte se bëhej fjalë për një luftë, që duhej kryer me egërsi e epërsi dërrmuese.
Por, në atdheun e vet (Mehmet Aliu nuk shkoi kurrë në Peloponez - atje luftoi vetëm i biri), ai e kryente luftën me mjete diplomatike. Dhe si politikan i mprehtë dhe tregtar i zgjuar që ishte, qe i vetëdijshëm mbi rëndësinë e tregtisë dhe rëndësisë vendimtare të ruajtjes së Aleksandrisë si liman i rrahur. Aty flirtoi dhe me komunitetin grek.
Pas mbarimit të luftës, Mehmet Aliu ftoi shumë grekë që të vendoseshin në Egjipt, zgjeroi statusin e tyre mbrojtës dhe u dha shumë privilegje.
A ishte negativ Mehmet Aliu me revoltën greke dhe me grekët para se të merrte urdhër nga Porta e Lartë?
Mehmet Aliu, që në fillim nuk kishte dëshirë të shkonte në Greqi. Kishte frikë se pjesëmarrja e tij në përpjekjen e sulltanit që të nënshtronte revoltën, do t’i shteronte rezervat ekonomike. Për më tepër, ushtria e tij ishte e papërgatitur, pasi kishte vetëm dy vite jetë. (Urdhrat e parë të pjesëmarrjes datojnë nga shkurti i 1822-shit). Një revoltë shumë e madhe kishte shpërthyer në Egjiptin e Sipërm më 1822 pas krijimit të ushtrisë dhe një tjetër në Egjiptin e Poshtëm për të njëjtën arsye – pra baza e pushtetit të tij në Egjipt nuk ishte e sigurtë. Pra, që t’i përgjigjej ftesës së Sulltanit ishte me rrezik. Por, në rast se s’i përgjigjej, ekzistonte rreziku të shpallej si rebelues. Domethënë, Mehmet Aliu, nuk kishte as ndjenja negative dhe as pozitive kundrejt revoltës greke.
Përllogaritja e tij ishte strategjike dhe kishte të bënte me Stambollin e vezirët atje, shumë pre të cilëve deshën ta hiqnin qafe, siç hoqën Ali Pashën e Janinës. Por, që nga momenti që vendosi t’i përgjigjej ftesës së sulltanit, nuk kishte zgjidhje gjysmake. Zemërimi i ushtrisë së re do të shtrihej te grekët e pafat, sikurse ishte përdorur ndaj rebeluesve në Egjipt (Në revoltën e 1822-shit në Egjiptin e Sipërm morën pjesë 20.000 burra e gra, prej të cilëve 3000 u vranë).
Si çdo anë e karakterit te Mehmet Aliut, trashëgimia e tij në Egjipt është e ndërlikuar. Është e vërtetë që krijoi institucionet, që e bënë Egjptin bashkëkohor: ushtrinë, flotën, administratën, politeknikumet, shtypshkronjën. Në të njëjtën kohë, egjiptianët vuanin tmerrësisht gjatë mbretërisë së tij. Tatimi i rëndë, sistemi i monopoleve dhe mbi të gjitha politika e të dërguarit ushtar, e bënin jetën e tyre të mjerueshme.
Përse ishte kaq i dhunshëm Ibrahimi në Peloponez? Përse dogji vendbanime, ullishte dhe pemë frutore?
Ibrahimi ishte një drejtues i mençur ushtarak. Ishte sa i dhunshëm, aq dhe dinak. Nisi karrierën e tij ushtarake kur ishte adoleshent, kur shkatërroi mamelukët e mbetur, ata që patën shpëtuar nga therorja e famshme e 1811-s. Për shumë muaj i ndiqte në Egjiptin e Sipërm e deri në Nubi. Gjatë rrugëtimit dogji parcela, plaçkiti pasuri e vrau njerëz. Disa vite me vonë, në 1816-n i ati e dërgoi në Arabi që të shtypë revoltën e wahhabit-ëve kundër sulltanit (Wahhabit-ët janë një sekt heretik mysliman). Taktika e tij e zgjuar dhe kujdesi i madh në çështje furnizimi e rifurnizimi e ndihmuan që të rrethonte me kujdës Darijën, kryeqytetin e wahhabit-ëve dhe aleatëve të tyre saudoarabëve. Në 1818-n e rrafshoi qytetin dhe dërgoi udhëheqësin saudoarab në Kajro dhe nga andej në Stamboll, ku i prenë kokën dhe ia lanë trupin të kalbej për ditë me radhë.
Pra, ajo që bëri Ibrahimi në Peloponez nuk ishte e pangjarë. Dhe në vazhdim, gjatë viteve ’30, Ibrahimi do t’i ripërsëriste këto mizori në shkallë shumë të madhe. Ajo që dallon luftën në More nga luftrat e tjera që zhvilloi Ibrahimi, është se nuk i kishte duart e lira. Sepse, që kur i ati filloi të përfshihej në luftën greke, Ibrahimit iu desh të bashkëpunonte me komandantin osman, që në të shkuarën kishte armiqësi me Mehmet Aliun. Ky ishte Husrev Pasha, kapedan pasha, pra komandanti i flotës osmane.
Armiqësia mes Husrevit e Mehmet Aliut daton që prej 1803-it, kur Mehmet Aliu e dëboi nga Egjipti dhe e pushtoi ai vilajetin e pasur. 20 vite më vonë, të dy burrave iu caktua nga sulltani, sunduesi i tyre, vepra e shtypjes së revoltës greke. Kësisoj, kur Ibrahimi u dërgua nga i ati, iu desh të bashkëpunonte me një mik të vjetër të familjes. Në çaste të rëndësishme të luftës (p.sh., gjatë pushtimit të Psaron në gusht 1824 dhe në vazhdim, gjatë përgatitjeve për rrethimin e Mesolongjit në 1826), Ibrahimi besonte se Husrevi nuk koordinohej me të dhe që ai (pra Husrevi) në realitet përpiqej të asgjësonte prërpjekjet e tij, që t’i tregonte sulltanit se vetëm ai mund ta bënte këtë punë. Me pak fjalë, ndonëse Ibrahimi ishte i pamëshirshëm për nga natyra dhe mbartte një histori të gjatë të gjakatare, u gjend që të kryente një luftë në Peloponez në kushte shumë të pafavorshme. Kjo gjë nuk përmendet, që të justifikohen mizoritë e tmerrshme që kreu atje, por që të integrohen në një kontekst historik.
Për Morenë disa historianë thonë, që donte të dëbonte banorët e vendit e të sillte egjiptianë. A vlen kjo gjë? A kishte njëmend një plan të tillë?
Jo, nuk kam ndeshur asnjë të dhënë rreth kësaj në arkivat egjiptiane. Mehmet Aliu besonte që Egjipti ishte i lënë pas dore dhe që për realizimin e veprave të shumta, kërkohej fuqi punëtore. Pra, ideja e shpërnguljes nga Egjipti, që të vendoseshin në Greqi, nuk ka kuptim.
Mehmet Aliu konsiderohet themeluesi i Egjiptit të ri, diçka që ne grekët nuk dimë shumë gjëra. Pati rol pozitiv a negativ për egjiptianët sipas mendimit tuaj?
Si çdo anë e karakterit te Mehmet Aliut, trashëgimia e tij në Egjipt është e ndërlikuar. Është e vërtetë që krijoi institucionet, që e bënë Egjptin bashkëkohor: ushtrinë, flotën, administratën, politeknikumet, shtypshkronjën. Në të njëjtën kohë, egjiptianët vuanin tmerrësisht gjatë mbretërisë së tij. Tatimi i rëndë, sistemi i monopoleve dhe mbi të gjitha politika e të dërguarit ushtar, e bënin jetën e tyre të mjerueshme.
Lexova në një intervistë tuajën që reformat që bëri në shëndetësi, si vaksinimi nga sëmundja e lisë, të cilin e pranuan bujqit egjiptianë sepse e kuptuan që ishte në favor në tyre. Më la shumë mbresë që hartoi dhe një program vaksinimi dhe që arriti t’i bindte.
Ilaçi kundër sëmundjes së lies u zbulua në fund të shekullit të XVIII. Dhe shumë mjekë punonin për pashain, europianë e egjiptianë nuk kishin asnjë problem që të prodhonin sasi të madhe vaksinash për fëmijët.
Problemi nuk ishte shkenca. Problemi ishte logjistika: Si do arrinin organet kompetente të identifikonin këta fëmijë, përderisa nuk ishin të gjithë të regjistruar? Por edhe pas identifikimit të këtyre fëmijëve, me ndihmën e kryetarëve të fshatrave e lagjeve, si do arrinin organet të dorëzonin në kohë të dhënat e tyre në në qendrat e vaksinimit? Cili ishte protokolli i çertifikimit të fëmijëve të vaksinuar, që të dëshmonte vaksinimin? Kush do e bënte vaksinimin? Mjekët që do të dërgoheshin nga Kajro, mjekët e provincës, berberët - kirurgë të fshatrave apo infermeriet lokale? Me gjetjen e përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, u krijua sistemi bashkëkohor shëndetësor egjiptian.
Ia vlen të thuhet, që përpjekja e parë e vaksinimit kundër lisë së dhenve në shkallë të madhe u bë në të vërtetë ne Kretë rreth viteve 1830 (ushtria egjiptiane pushtoi Kretën nga viti 1822 deri në 1840).
Ibrahimi, në krahasim me të atin ishte një përsonalitet më i pak i fuqishëm dhe i rëndësishëm? Si do e karakterizonit? Cili është impakti i tij historik?
Ju dhashë përgjigjen, kur komentova barbarizmin e tij në Peloponez. Ajo çka mund të shtoj është, që problemi kryesor i Ibrahimit ishte, që kishte baba Mehmet Aliun. Psikologjikisht, nuk është e lehtë të kesh një baba si Mehmet Aliu, shumë kërkues dhe që akuzonte përherë vartësit e vet për paaftësi e ngadalësi ekzekutimi. Me Ibrahimin, Mehmet Aliu kishte një frikë të thellë dyshimi, që mund ta përdorte ushtrinë kundër tij. Kësisoj, kjo marrëdhënie nuk ishte e lehtë. Do mund të realizohej një vepër marramendëse në teatër ose kinema.
Burimi: lifo.gr
Përktheu për ResPublica: Eleana Zhako
Comments
Edhe Mehmet Aliun e "vodhen"
Edhe Mehmet Aliun e "vodhen" greket.
Nuk ka rendesise ne kemi Napoleonin dhe Sandra Bulokun
Mehmet Ali I Kavallës
Meqë i jeni futur sqarimit të kësaj teme, përktheni edhe këtë tekstin më poshtë, se ndoshta ndriçon më shumë se sa kjo Vasiliqia.
https://www.britannica.com/biography/Muhammad-Ali-pasha-and-viceroy-of-E...
Add new comment