Nuk mund të ketë negociata të reja pa rezultatin hetimor të ngjarjes së Banjskës

Në Serbi po flitet tashmë për opsionet ligjore të trajtimit të ngjarjes së Banjskës dhe autorit të vetëdeklaruar të saj, ish-nënkryetarit të Listës Srpska, Milan Radoiçiç. Në një prononcim për mediat serbe, një avokat, Ivan Niniç, shprehet se pas deklarimit të Radoiçiç, ky i fundit duhet arrestuar.
Nëse shteti i Serbisë do të zbatonte rigorozisht Kushtetutën dhe ligjin, pas konferencës për shtyp të avokatit të Radoiçiçit, Serbia duhet ta arrestojë atë dhe zyra e Prokurorit të Krimin e Organizuar duhet të urdhërojë ndalimin e tij. Ata duhet të marrin një deklaratë prej tij, të identifikojnë të gjithë anëtarët e grupit dhe të urdhërohet ndalimi i të gjithëve, në mënyrë që hetimi të kryhet lirshëm. Kanë humbur jetën disa njerëz në një territor të cilin Serbia e konsideron të vetin. Të gjithë pjesëmarrësit në atë konflikt të armatosur duhen sjellë para drejtësisë dhe gjykata duhet të vendosë se kush është përgjegjës për viktimat njerëzore
citohet avokati.
Avokati nuk përmend këtu se hetimi duhet të përfshijë edhe bazën logjistike të të grupit, origjinë e armëve, lëvizjen e njerëve në Serbi e me radhë.
Problemi këtu është i shumëfishtë. Menjëherë pas ngjarjes autoritetet në Beograd deklaruan se që nga viti 1999 nuk kanë autoritet në Kosovë dhe Metohi, duke njohur kështu se Serbia nuk ka juridiksion efektiv mbi territorin në fjalë. presidenti Vuçiç ka bërë thirrje në deklarimin e tij të parë se për “vrasjen e policit Afrim Bunjaku, autoritetet relevante duhet të reagojnë”. Në zbatim të kësaj thirrjeje dhe në kushtet kur Serbia nuk ka juridiksion efektiv mbi zonën ku ndodhi incidenti, ajo duhet të dorëzojë Radoiçiçin autoriteteve relevante që mund të jetë Policia e Kosovës dhe EULEX, për të vijuar mandej gjykimin.
Këtu perspektiva ligjore kushtetuese krijon kurth për Serbinë sido që ta shohësh: nëse Radoiçiç arrestohet në Beograd dhe ndiqet rruga e propozuar nga Niniç, atëherë Serbia do të pranojë se nuk është në gjendje të zbatojë Kushtetutën e vet në 1/3-ën e territorit, duke njohur kështu mungesën e sovranitetit në një pjesë për të cilën lufton politikisht. Nëse e dorëzon Radoiçiçin për gjykim në Prishtinë, ajo pranon se në Merdarë nuk ka një kufi thjesht administrativ dhe mundëson që ai të deklarojë origjinën e veprimeve të veta, mbështetjen dhe mandej implikimin e Listës Srpska.
Aspekti juridik i çështjes është siklet i madh për Beogradin dhe ndaj Prishtina nuk mundet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye të pranojë vijimin e negociatave pas zberdhjen e ngjarjes së Banjskës. Kjo është a-ja e logjikës dhe interesit të vendit.
s.zaimi
Add new comment