"Haje jetën, përndryshe ajo do të të hajë ty"

Postuar në 25 Shtator, 2023 18:39

90 vjeçe, me pesë martesa pas krahëve dhe ambicien e një vajze 18-vjeçare, Joan Collins është një nga aktoret më të njohura britanike. Me një energji që thotë se e bën të ndihet ende 40 vjeç, Collins rikthehet në vitet kur karriera e saj ishte në majë, përmes një interviste me The Guardian.  

“Oreksi yt për jetën duket i pashuar”, është komenti i intervistuesit, ndërsa përgjigjja është leksioni më i mirë që një grua që ka moshën dhe jetën e saj mund të të japë: "Po, absolutisht. Duhet ta hash jetën ose jeta do të të hajë ty."

Fama e Collins shtrihet përtej viteve të jetës së shumë prej atyre që i lexojnë këto rreshta. Ajo nisi të punonte si aktore në moshën 17-vjeçare, me rolin e saj në filmin "Besoj në ty". Në filmat e saj të parë, ajo luajti rolin e vajzave të këqija, krejt e kundërta e tipit të saj.

Në vitin 1955, ajo nënshkroi një kontratë me 20th Century Fox dhe u shpall si Elizabeth Taylor e re. Ajo zgjodhi të braktiste famën për të rritur fëmijët e saj në vitet ’60. Pasi iu rikthye ekranit, zgjodhi filma horror, të tillë si Tales From the Crypt, në fillim të viteve 1970. Një Collins krejt tjetër u shfaq në fund të viteve 1970 me dy filma jashtëzakonisht të suksesshëm soft-porno, The Stud dhe The Bitch. Kjo i hapi rrugën rolit të saj më të njohur, si narcistja mashtruese Alexis Colby në telenovelën amerikane Dinasty.

Ajo ka shkruar 19 libra, përfshirë disa shumë të shitur (njësoj si edhe motra e saj, Jackie Collins, e cila kishte vlerë rreth 120 milionë paund kur vdiq në 2015) dhe ka qenë kolumniste për revistën Spectator. Por Collins është e famshme edhe për jetën e saj private.

Percy Gibson është bashkëshorti i saj i pestë, 32 vjet më i vogël.

Bashkëshortë të saj më parë kanë qenë Warren Beatty, Ryan O'Neal, Marlon Brando dhe Harry Belafonte.

Keni takuar shumë budallenj në jetën tuaj?

Edhe jam martuar me ca prej tyre!

Por ju e keni gjetur njeriun e duhur tani?

Oh po, unë dhe Percy kemi 21 vjet të martuar dhe është thjesht e mrekullueshme.

Collins ka ruajtur fytyrën e rinisë. Me sy të gjelbër që shkëlqejnë si gurë të çmuar, buzë të kuqe të ndezura dhe lëkurë perfekte.

Nuk kam bërë asgjë. Unë nuk mund t'i bëja ato që bëjnë sot. Para së gjithash, unë e kam fobi gjilpërën. Nëna ime më mësoi të hidratoja lëkurën dhe të përdorja kremin e natës. Ua kam mësuar dhe dy vajzave të mia dhe të dyja kanë lëkurë përrallore. Dhe qëndroni larg diellit.

Por jeta nuk ia ka kursyer edhe vuajtjen. Collins ishte kaq e pafajshme - në çdo kuptim të fjalës - kur hyri në industrinë e kinemasë. Në moshën 17-vjeçare, ende e virgjër, ajo doli në një takim me aktorin 31-vjeçar Maxwell Reed. Pasi shkoi në banesën e tij, ajo rrëfen se ai e përdhunoi pasi i kishte hedhur rum në Coca-Cola.

Isha 17 vjeç, por mendërisht njësoj si të isha 12. Nuk kishim edukatë seksuale. Unë kurrë nuk kisha parë një penis derisa u përdhunova dhe më pas refuzova ta shikoja. Hahahaha! Nëna ime më kishte thënë se burrat duan vetëm një gjë dhe mendoj se ajo kishte të drejtë. Hehehehe!

​Çuditërisht, Reed u bë burri i saj i parë.

Ju u martuat me përdhunuesin tuaj?

Po, sepse unë vij nga një brez ku nëse do të bësh seks, martohesh.

Kur ajo zbuloi se ai po ua ofronte atë burrave të moshuar për 10,000 £ në natë, me kushtin që ai të mund ta shikonte, ajo vendosi të ndahej. Pas katër vitesh ata u divorcuan.​

Ende në fillim të të 20-ave, Collins vendosi të merrte kontrollin e jetës së saj dashurore.

Kam jetuar me disa burra, njëri pas tjetrit. Unë isha një monogame seriale.

E konsideronit veten si jokonvencionale?

Po, e kuptova se isha jokonvencionale. Mendova: nuk ka asgjë të keqe me këtë. Kam jetuar me Sydney Chaplin, pastaj Arthur Loeë Jr, pastaj kam pasur një lidhje me një burrë të martuar – ishte ferri vetë.

Ishte kjo hera e vetme?

Po, nuk do ta bëja më kurrë.

Çfarë ishte kaq ferr?

Mashtrimi. Ai ishte shumë i pashëm, shumë urban, tepër i zgjuar, magjepsës. Dhe tetë vjet më i madh se unë.

George Englund ishte në atë kohë regjisor filmash, i martuar me aktoren Cloris Leachman.

Nuk është më sekret. Unë shkova me Warren [Beatty] në njëfarë mënyre për të harruar George.

Katër burrat e saj të parë të gjithë e zhgënjyen në mënyra tronditëse. Ajo e donte Neëley-n, por më pas ai e bëri pjesë të kastit të një filmi, i cili ishte autobiografik dhe rrëfente martesën e tyre. Kur ajo u martua me Kass, ai sapo kishte humbur punën e tij si kreu i labelit të Beatles, Apple. Shumë shpejt ai u bë i varur nga paratë e saj, të cilat i përdorte për të blerë heroinë. Në vitin 1985, ajo u martua me bashkëshortin nr 4, ish-yllin e popit Peter Holm, i cili, sipas Collins, ishte një mashtrues abuziv dhe i uritur për para. Ajo i referohet atij vetëm si suedezi. Ata u divorcuan në vitin 1987.

A mund të bëni një renditje të burrave tuaj?

Epo, ju e dini se kush është më i miri - nuk kam pse ta bëj këtë.

Dhe më i keqi?

Maxëell Reed.

I dyti më i keq?

Suedezi.

Po të tjerët?

Jo, ata janë të dy baballarët e fëmijëve të mi. Nuk mund ta bëj këtë.

Kush nuk ju pëlqen nga aktorët?

Ben Kingsley! Askush nuk e pëlqen Ben Kingsley. Është e mahnitshme se sa të privilegjuar janë disa aktorë. E urrej këtë, sepse ata pak që janë të tillë na njollosin ne të tjerët.

Në 1984, ajo ka pozuar për Playboy, edhe pse thotë se ka ngurruar gjithmonë kur i duhej të zhvishej para kamerës. Por kur e pyesin si ka mundësi që nuk e refuzoi një ofertë të tillë, habitet nga pyetja dhe thekson: Unë jam paguar 100 000 dollarë.

Collin përmend një skenë seksi veçanërisht të pakëndshme.

E urreja veçanërisht ta bëja atë me George Peppard në "The Executioner", sepse ai më urrente mua dhe unë e urreja atë. Sepse ai më bëri një kërkesë para se të shkonim në set. Shumë aktorë mendonin se kishin të drejtë për të bërë seks me vajzat e roleve kryesore. Ne kishim qenë në një festë para-produksioni dhe ai kishte pirë pak dhe tha se do të më çonte në shtëpi, kështu që unë thashë OK.

Pastaj te dera ai bëri gjënë e zakonshme dhe unë i thashë: “Më fal, nuk mundem”, dhe ai më tha: “Çfarë ka që nuk shkon me ty?” Unë i thashë: “Unë jam e martuar dhe kam dy fëmijë.” Kur ai nuk e mori atë që donte, nisi të fliste keq për mua.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.