Shuhet Giorgio Napolitano, ish-presidenti i Italisë
Ish-presidenti italian, Giorgio Napolitano, ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare. Napolitano ndodhej në spitalin e Romës prej disa javësh.
Presidenti aktual, Sergio Mattarella, në një mesazh ngushëllimi tha se jeta e Napolitanos “pasqyroi një pjesë të madhe të historisë (të Italisë) në gjysmën e dytë të shekullit XX, me dramat e saj, kompleksitetin, objektivat dhe shpresat e saj”.
Napolitano është i vetmi politikan në Itali që është zgjedhur dy herë president.
Dikur anëtar i asaj që ishte për disa kohë partia më e madhe komuniste në Perëndim, Napolitano ka mbrojtur pozicione që shpesh devijonin nga ortodoksia partiake. Ai kërkoi dialog me socialistët italianë dhe evropianë për t'i dhënë fund izolimit të partisë së tij dhe u bë një nga mbështetësit e hershëm të integrimit evropian.
Gjatë Luftës së Parë të Gjirit, Napolitano shkeli pozicionin e liderit të Partisë Komuniste Italiane duke kundërshtuar tërheqjen e kontigjentit të vogël të Italisë.
Kjo përbënte një evolucion radikal për një politikan komunist, i cili në kohën e pushtimit sovjetik të Hungarisë në vitin 1956 e kishte përshëndetur shtypjen si të nevojshme. Reputacioni i tij politik u formësua nga pikëpamjet e tij reformiste.
Richard Gardner, ish-ambasador i SHBA-së në Itali, në 2006, kur Napolitano u zgjodh për herë të parë në krye të shtetit, e quajti atë "një besimtar të vërtetë në demokraci, një mik të Shteteve të Bashkuara". Gardner kishte ndihmuar në organizimin e takimeve sekrete me Napolitanon në një kohë kur çdo takim publik shihej si i turpshëm për komunistët italianë, si dhe për politikanët amerikanë.
Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, Napolitano ishte ndër mbështetësit më të vendosur të reformimit të partisë së tij, reformë që do të çonte në ndryshimin e emrit dhe heqjen e simbolit drapër e çekan.
Ashtu si shumë politikanë të tjerë të brezit të tij, Napolitano luftoi kundër fashistëve italianë dhe pushtuesve nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur mbaroi lufta, ai u bashkua me Partinë Komuniste dhe në vitin 1953, ai u zgjodh në Parlament, një detyrë që do ta mbante për 10 legjislatura radhazi.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Napolitano shërbeu gjithashtu si kryetar i Dhomës së Ulët të Deputetëve të Parlamentit dhe pesë vjet si ligjvënës në Parlamentin Evropian.
Në vitin 1989, ai shkoi në Shtetet e Bashkuara me sekretarin e partisë për vizitën e parë të një lideri komunist italian.
Në vitin 2005, paraardhësi i tij në Pallatin Presidencial, Carlo Azeglio Ciampi, i dha atij një nga nderimet më të mëdha të Italisë, duke e bërë senator të përjetshëm.
Një vit më vonë, Parlamenti e zgjodhi president të Italisë, duke e bërë ish-komunistin e parë – dhe deri tani të vetmin – që shërbente si kreu i shtetit dhe gardiani i Kushtetutës italiane.
Napolitano është vlerësuar për qëndrimin e ekuilibruar dhe sjelljen bprej xhentëlmeni.
Në Itali, presidenti ka rol kryesisht ceremonial dhe mandate 7-vjeçar. Në fund të mandatit të parë, pas përpjekjeve të dështuara të politikës për të gjetur pasardhësin e tij, Napolitano pranoi të vazhdonte detyrën, me kushtin që nuk do ta çonte deri në fund mandatin e dytë për shkak të moshës. Atëherë ishte 80 vjeç.
Add new comment