Edhe unë kam një mision!

Postuar në 19 Shtator, 2023 12:57

Jetojmë në kohë kur e qeshura nënkupton mjerimin, sepse është i vetmi mjet i mbetur për të konfirmuar të vërtetën që e fshehim pas gishtit. Dje kishim mundësinë që të dëgjonim një betim solemn nga një opozitar i vërtetë dhe me parime: Roland Bejko. Në një intervistë për Euronews Albania, Bejko ka deklaruar se PD-ja nuk bashkohet kurrë me Foltoren. Kushti është vetëm një: Largimi i Berishës dhe Berishizmit. Më tej Bejko ka komentuar se nëse PD-ja bashkohet me Foltoren vuloset përjetësisht Marrëveshja e vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës.

Z. Bejko ka qenë dikur një berishist i vijës së parë. Por kjo pranohet nisur nga fakti se në Shqipëri mendja ndërron shpesh dhe shpejt. Ajo që është qesharake në fakt, lidhet me faktin se PD-ja në të cilën aderon z. Bejko është një karikaturë e Foltores: për mënyrën sesi funksionon, sesi ka fshehur vulën, sesi Lulzim Basha u rikthye dhe rimori drejtimin e të gjitha gjërat me radhë.

Lulzim Basha, Edi Rama, Tom Doshi, Skënder Gjinushi në Akademinë e Shkencave, Erjon Veliaj në Bashki, janë të gjithë berishistë në modelin e drejtimit, në dëshirën për të mos u shkulur nga karrigia dhe për ta parë veten si të pazëvendësueshëm. Sepse është qyli, mjelja e parave dhe salltaneti që i mban aty. 

Ikja e Berishës padyshim që është tashmë nevojë politike, por në mënyrën që e shtron Bejko, një politikan që nuk përfaqëson asgjë veç vetes, do të hapte rrugën për thërmimin e elektoratit opozitar në një kontekst ku njerëz si Bejko e Basha, do rendin ta kapitalizojnë në emër të vulës që kanë në xhep. Berisha duhet të kishte ikur menjëherë pas zgjedhjeve të 14 majit, ai duhet të ikë tani me garë në parti. Atë që e quajnë të gjithë të paimagjinueshme, siç quanin të paimagjinueshme që dikur edhe Lulzim Basha të bënte atë që bëri.

Apeli dhe propaganda personale e Bejkos dhe Bashës nuk kanë lidhje fare me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, sepse asnjë prej këtyre, asnjë i vetëm nuk pranon parimin e zgjedhjeve. Këta kanë parti që nuk ka asnjë letër të shkruar, siç është edhe partia e Berishës, apo edhe Partia Socialiste, e cila nuk prodhon asnjë dokument të vetëm zyrtar, veç listës që i dërgohet KQZ-së. Këtu është e dobishme ndoshta që z. Bejko t’i kujtohet se duhet të ruhet nga vetja se mos nis e beson se e të vërtetë ai ka një mision opozitar si Basha, sidomos tani që ka njerëz që bërtasin nga amabasadat se “Shqipëria Bëhet”. Do ishte për të ardhur keq për moshën që ka.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.