Kurti: Kushtet që po na vë Serbia janë bërë qëndrimet e Lajçakut
Ka përfunduar pa sukses takimi në Bruksel mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës.
Albin Kurti deklaroi në përfundim të takimit se propozimi i tij për zbatimin e marrëveshjes bazë, Serbia nuk e ka pranuar, duke kërkuar fillimisht Asociacionin e komunave. Sipas Kurtit, i njëjti qëndrim po mbahet edhe nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Europian.
“Nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. S’është marrëveshja e vitit 2013. Qartë Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë 39 të tilla gjithsej. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet një e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, ka thënë ai para gazetarëve.
Kurti tha se propozimi i Serbisë, i dorëzuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, ka të paktën gjashtë muaj që është hartuar.
Vlerësimin më të saktë do të mund ta bëjë cilido prej juve pasi të lexojë propozimin tonë, hapat që duhet ndjekur e edhe kushtëzimin që e paska dhënë Beogradi para 6 muajve, dokumenti s'ka datë, por është e qartë se dokumenti është shkruar para se të bëhej Marrëveshja e Ohrit.
Kurti shtoi se ndërmjetësuesi i BE, Mirosllav Lajçak ka cenuar rolin e tij në proces me pranimin e kushteve të Serbisë.
Add new comment