Shqiptarizmi i Tiranës është më i rremë dhe anakronik se helenizmi i Belerit

Postuar në 29 Gusht, 2023 02:02

 Është lëshuar sot, apo dje, në gazetën “Dita” prof. dr.Irakli Koçollari me një rrotull kundër helenizmit të Fredi Belerit dhe shovinizmit të tij grekomadh. 

Zoti Koçollari shpërdoron në shkrimin e tij të gjithë arsenalin e “arsyes së shëndoshë”, të ngurosur në “leksema” ideologjike të një propagande që nuk lidhet më me asgjë veçse me imagjinatën e një grupi. E ka shpërdoruar sepse Beleri nuk hyn te kategoria e atyre që diskuton për identitetin, aq më tepër me një shqiptar, ai thjesht e ka bindje që deri sa të jetë në këtë tokë është grek. Dhe mbi këtë prerogativë elektorale fitoi. Kjo është çështja, pasi identiteti i një kandidatti, tematizuar si element taktik në zgjedhje, me rezultatin që morëm vjen e ngre pikëpyetje mbi Identifikimin dhe përfaqësimin e një komuniteti. 

Për një himarjot, apo edhe një pjesë sarandiotësh ta zëmë, çdo gjë që vjen nga Tirana kundërvepron me pasqyrën e një etike që vjen nga bota greke. Mjafton të shihet sa të helmuara janë relacionet mes banorëve të dikurshëm dhe atyre rishtarë për ta kuptuar sadopak këtë. 

Është një identitet në akulturim të vazhdueshëm pse është zonë kontakti e duke qenë e tillë vetëedukohet të interpretojë marrëdhënien me Tjetrin përtej kufizimeve të narrativës zyrtare. E kap marrëdhënien në dinamikën e vet njerëzore dhe sociale duke pasuruar një kuptim statik të Tjetrit dhe të Huajit që vijnë e ndërrojnë vende mbi premisa të afërisë kulturore e jo etnike. Kjo ka edhe diakroninë e vet, çka duhet konsideruar mirë kur i afrohemi një komuniteti që nuk sintonizohet me asgjë me qendrën politike të shtetit. 

Këtë z. Koçollari me kompani nuk e kupton, nuk do ta kuptojë dhe nuk i intereson ta shohë. Mbi dinamikën e një zone kufitare, pedagogjia nacional-frigoriferike e Tiranës shndërrohet në një broshurë pa kuptim që nuk i jep përgjigje asgjëje. Madje ajo me dogmatizimin e një pozicioni qendror të etnisë, pretendon se do ta shërbejë në pafundësi si stabilizues i kontratës sociale për të gjithë. Apeli “shqiptarë” jehon kudo për shkak të shqipes, por ai nuk tubon veçse ato komunitete që kanë arsye historike dhe sociale të angazhohen aty, por edhe janë të përfaqësuar. Edhe kur apeli vjen nga banditë me pushtet. 

Tirana politike është në Himarë dhe Bregdet për pronat, ku ka vilat e veta, hotelet dhe resortet dhe nuk dëshiron që këtë Pazar të plaçkitjes ta ndajë me Greqinë. Apo me aktorë që nuk i kontrollon dot. Ndaj hyn në lojë flamuri, ngrihet ai lart e më lart, dalin edhe rapsodët e dijes si Koçollari e gjaku të bëhet rrëshirë. 

Jepen leksione se çfarë e përcakton kombësinë. Por nuk kujtohet se në vitin 2011 Gjykata Kushtetuese e hoqi atë si element të dallueshëm në dokumente identifikimi nën argumentin politik se po ndryshohej ajo në masë. Vepron këtu e drejta demokratike, apo thjesht e ashtuquajtura arsye shetërore që vetëm me thelbin e problemit nuk merret?

Profesori flet me bindje se helenizimi në fasadë i pas 1990-ës erdhi sepse në Breg nuk shihej televizioni shqiptar. Kjo nuk është e vërtetë. Bregu u boshatis thuajse pas “90-s dhe në sprovën e 1997-ës nuk pati luhatje që të justifikojnë këto marrëzira. Si mund të reduktohet në këtë pikë diskutimi për identitetin e një zone? 

Ky është një diskutim që vazhdon prej vitesh dhe njësoj. Me të njëjtën gjuhë, formë dhe qëndrim. Jemi aty ku ishim sepse këta që kanë pushtetin në Tiranë, përveç agresionit të organizuar ndaj pronës së kujtdo, pretendojnë edhe primatin kulturor, duke u konfrontuar kështu me pjesë të caktuara të shoqërisë që nuk i binden kësaj narrative. Dhe që nuk u pëlqen fare telenovela që ofrohet nga Lana. Dhe këtë njeriu e ka të drejtë ta shprehë. 

Do të amortizohej kjo gjë, në mos eliminohej nëse shteti do të përgjigjej mbi standard reciprok shërbimesh: ta zëmë përmendet shpesh sesa të rregullt janë për detyrimet publike përfaqësues të komuniteteve të pakicës greke në Dropull dhe Vurg, por nuk pyet kush pse janë në masë edhe me PS-në ata. Është në mes një histori politike që e vendosi dikur minoritetin në kushte privilegjimi social dhe shndërrimi që do apo nuk do, sollën një marrëdhënie të re me regjimin komunist. Vota majtas përgjithësisht e tyre është jehonë e kësaj historie, ku shteti edhe pse Diktaturë, nuk ishte vetëm xhandar me hu në dorë. Edhe garantonte shumëçka që mungonte më parë. Për këtë mund të flasë mirë edhe z. Koçollari. 

Militantizmi i Himarës dallon në këtë kuadër, por nëse deri diku ai u shfrytëzua nga Athina për të shpikur një pakicë etnike aty ku do mjaftonte të flitej për dygjuhësi dhe ndikim të helenizmit, sot rezultati zgjedhor na thotë tjetër gjë. Na thotë po atë gjë që thoshte ai sondazhi i para disa viteve i OSBE-së se Enver Hoxhën e do një pjesë e popullsisë. Dhe në fund të fundit militantizmi i Himarës, edhe pse me karakteristika tregtie nuk është thjesht pozë siç është pozë nacionalizmi i elitës së Tiranës. 

Kjo lloj shqiptarie e ka njollosur shqiptarin, ajo është sëmundje e pashërueshme, për të cilën librat e referuara nga z. Koçollari dhe emisionet televizive që të tregojnë se çfarë je, çfarë duhet të hash, se pse flet ashtu e kështu, janë lënda e parë. Bibla e një nacionalizmi që flet me VKM dhe investime strategjike, pas flamurit, që po perverton edhe marrëdhënien me emigracionin shqiptar, të cilin e përdor për remitancat, për alibinë e amnistisë fiskale duke mos u kujtuar asnjëherë se vetëm të ardhmen nuk u siguroi dot. Dhe nuk deshi ndoshta. Është koha që të kuptohe Shqipëria për kompleksitetin që ka, përndryshe një narrativë që konkurohet sa nga shfaqjet e Himarës, aq edhe nga mërmërima e të tjera grupeve të stigmatizuara, vetëm kohezion social nuk gjeneron. 

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Himariotet jane ata, qe ata vete thone se jane. Nese thone se jane shqiptare, ashtu jane; nese thone se jane greke, po ashtu jane. Kam pershtypjen se shumica e tyre thone, mbase edhe ndihen vertete, qe jane greke. Nga ana tjeter, Himara eshte territor shqiptar. Pra, ndersa himariotet jane ata qe thone se jane, Himara eshte thjesht territor shqiptar. Dhe ketu duhej te mbyllej ky debat idiot. Duke i dhene me shume rendesi se cduhet kesaj ceshtjeje, nacionalistet shqiptare, a me sakte ata qe hiqen si te tille, tradhetojne ne fakt nje inferioritet turperues. Himariotet - thone keta - kane te gjithe cilesite me te mira qe mund t'i kete nje njeri apo popullate; duke e perseritur kete deri ne vjelje, nuk mund te mos vesh re, qe cilesia kryesore e ketyre njerezve, ne nenvetedijen e nacionalisteve shqiptare, eshte tek te pasurit dicka greke ne historine e tyre! Nga ana tjeter, eshte mjerane te flasesh per cilesira superiore te nje komuniteti, shumica e te cilit merr pension nga Greqia! Justifikimi qe nxjerrin nacionalistet shqiptare per keta rast, eshte se jane te detyruar nga varferia!!! Keshtu bien ne kurthin e fjaleve te tyre; sepse nuk mund te kesh cilesira te eperme dhe ne te njejten kohe te shitesh per 300 euro! Nese himariotet na qenkan shqiptare, por shiten per nje pension, atehere nuk i duhen as dreqit. Keshtu, per mua, me mire eshte te jene greke ( qe me c'duket me te vertete jane ne shumice), sesa kesilloj vemjesh qe shiten per nje grusht parash.

Submitted by Besnik (not verified) on

u ca termi, "shqiptarizimi i Tiranes", njesoj sikur te thuash "na u mbush Athina me greke, s'jetojme dot". Po sikur te ishte burr i mire ky Berljeli, ca do kishit bere me shume?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.