Kësaj qeverie i shkon vetëm Korrupsioni!

Postuar në 25 Gusht, 2023 14:40

Në një konferencë të gjatë për shtyp sot – e cila vazhdon – kryeministri Edi Rama, ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit duke e cilësuar atë si një ndër punët më të bukura që janë bërë.

Mos pyesni mua, por mjekët që më shkruanin se mos kontrata sekuestrohej. Që nuk ishte rasti

tha ndër të tjera z. Rama.

Ndoshta kryeministri nuk e di, pasi po rezulton që shumë gjëra nuk i di, se të pyesësh një zyrtar të qeverisë së tij, apo të punësuar në “shtet” siç është shprehja, do të duhet të marrësh leje nga zyra përkatëse, do bësh kërkesën e kështu me radhë. Pra do shkosh praktikisht tek Endri Fuga i Zyrës së tij. Sigurisht që tashmë kjo praktikë është globalizuar. Liderët e rinj të rrjeteve sociale, kanë vënë rend mbi prononcimet dhe deklarimet, ndoshta sepse e dinë vetë se çfarë do të thotë të vihesh përballë pyetjeve të papëlqyeshme. Megjithatë një qeveri që është kaq e çliruar nga barra e mëkateve të qëllimshme, por ka gabuar, apo njerëz të saj kanë gabuar, nuk ka pse të shtrëngojë kaq shumë informimin. Apo marrëdhënien për të vjelë informacion.

Nga të gjithë përfaqësuesit e saj, vetëm kryeministri aplikon sportin “më pyesni për çfarë të doni”, edhe pse “përgjigjem për çfarë dua”. Ministrat e tij i kemi parë të thonë në derë të Kryeministrisë se “kam dalë të flas për këtë çështje”, apo ministri i Mbrojtjes që deklaron se “unë nuk kam firmosur për këtë”, duke luajtur Pilatin.

Edhe më interesant është qëndrimi i z. Rama për akuzat për korrupsion që bëhen ndaj Ilir Beqajt, ish-ministrit të Shëndetësisë. Z. Rama deklaroi se "ne njerëzit i zgjedhim mbi bazën e asaj që dimë dhe që shohim". Pastaj siç tha ai:

ka natyra të ndryshme, karaktere të ndryshme

duke e quajtur pushtetin një kafshë të rrezikshme.

Pushteti është një kafshë shumë e egër, është e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka disa që nuk i rezistojnë tundimeve. Ne zgjedhim në bazë të asaj që dimë, pastaj në proces njerëzit janë natyra të ndryshme. Përgjegjësia është individuale

 Sigurisht që ka edhe pa karakter

Po a nuk është sistemi ai që korrupton? Sistemi të cilin z. Rama mori përsipër ta ndryshonte, meqenëse ishte shndërruar në shtamë të bacilit të korrupsionit? Mesa duket qenka pushteti dhe natyra e tij e pandryshueshme që po ia merr bashkëpunëtorët z. Rama, një pushtet që operon mbi të njëjtin sistem pandëshkueshmërie.

Inkoherenca te ky njeri është vetëm verbale, sepse në fakt korrupsionin të cilin zotëria po do ta kalojë si çështje epsiodesh të papëlqyeshme të individëve të caktuar, qeveria e tij e ka axhendë, e ka pjesë të ekonomisë informale të përfaqësuesve të vet. Pasi një presion në këtë drejtim, nuk do të mundej asnjëherë që të ushqente që në mandatin e parë këtë lloj abuzimi. Dhe që korrupsioni është axhendë këtë e provon fakti se sa votohet partia e z. Rama. Megjithëse është kapur në flagrancë. Është një ekonomi nga e cila askush nuk distancohet më. Dhe kjo nuk është pak për një popull që më në fund gjeti me çfarë ta lidhë veten me trojet e veta. Ata që mbetën kuptohet. Sikurse ky njeri tanimë i ngjan asaj tapës që përputhet me shishen që nuk duhet hapur se kutërbon. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.