Dossier/Korrespondenca e fshehtë Hrushov - Kennedy: Jemi në Arkën e Noes, duhet të lundrojmë bashkë

Postuar në 20 Gusht, 2023 15:04

Për krizën e Kubës është folur dhe shkruar gjatë. Përmendet shpesh se bota ishte në prag të luftës bërthamore dhe se tensionet u mbyllën me lëshime reciproke. Megjithatë Kuba mbeti komuniste, por pa dislokimet ushtarake sovjetike që u interpretuan si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA. Në një shënim të vetin më 20 gusht në "Russia Beyond the Headlines", Alexander Yegorov sjell një aspekt tjetër të krizës që ka të bëjë me marrëdhëniet personale mes Nikita Hrushovit, drejtuesit sovjetik dhe presidentit amerikan John Kennedy. Të dy kishin patur një kontakt të parë jo pozitiv në samitin e Vjenës të 4 qershorit 1961, por megjithatë duket se paragjykimet e krijuara nga referimet e këshilltarëve ishin davaritur.

Nisur nga graviteti i situatës dhe potenciali shpërthyes i krizës së Berlinit që mund të mos kontrollohej më në kushtet e mungesës së komunikimit, Hrushov mendon t’i shkruajë personalisht Kennedyt duke e siguruar se korrespondenca e nisur do të mbetej sekrete dhe nuk do të përdorej asnjëherë publikisht. Yegorov shkruan se letra ishte 26 faqe e gjatë dhe u konceptua nga lideri sovjetik në dhjetor 1961.

Kam menduar shpesh për takimet tona në Vjenë. Kujtoj se ju theksonit se nuk donit të ecnit drejt luftës dhe ishit në favro të jetesës në paqe me vendin tonë, duke konkuruar në aspektin civil. Dhe meqenëse ngjarjet që pasuan nuk ecën në rrugën që do të donim, mendoj se mund të jetë e dobishme që të qasem ndaj Jush në një mënyrë thjesht informale dhe personale për të ndarë me ju disa nga idetë e mia. Nëse nuk bini dakord me mua, mund të konsideroni se kjo letër nuk ka ekzistuar ndërkohë që natyrisht, nga ana ime, nuk do ta përdor këtë korrespondencë në deklarimet e mia publike. Në fund të fundit, vetëm në një korrespondencë konfidenciale mund të thuash se çfarë mendon pa patur mendjen te shtypi, gazetarët

citohet Hrushov.

Sipas autorit rus, ajo që ngacmoi pozitivisht presidentin amerikan ishte një krahasim i qëlluar i liderit sovjetik për bashkejetesën mes të dyja vendeve në kohën atomike. Ai hiqte një paralele mes botës së atyre viteve dhe Arkës së Noes, në të cilën hynë shumë kafshë, “të pastra” e “të papastra”, pork jo pak rëndësi kishte. Sepse rëndësi kishte që Varka të vazhdonte udhëtimin.

E pëlqej shumë analogjinë tuaj me Arkën e Noes, me “të pastër” e “të papastër” brenda, e vendosur të vazhdojë lundrimin. Pavarësisht se cilat janë dallimet tona, bashkëpunimi ynë për ruajtjen e paqes është po aq urgjent – në mos më shumë – sesa bashkëpunimi ynë për të fituar luftën e fundit

citohet Kennedy në përgjigjen e tij.

Nisur nga kjo përvojë e parë, lideri sovjetik mendoi të caktonte një ndërlidhës në Washington për të mbajtur kanalin privat të komunikimit me presidentin amerikan. Ky person ishte Gergy Bolshakov, formalisht zv.kryeredaktor i revistës sovjetike në SHBA, por në fakt një njeri i shërbimeve sekrete. Djali i Robert Kennedyt, kujton se Bolshakov vinte në shtëpinë e tyre pas njohjes që kishte krijuar me Kennedët në një pritje në ambasadën sovjetike në SHBA.

Ai mund të kërcente vallëzimin rus, kozak. Bënte garë pompash me babain tim, ngjitje me litar. E bënte këtë edhe për ne dhe na mësonte. Dhe ne e denim që ai ishte spiun po ashtu. Dhe kjo në kohën kur po dilnin filmat e James Bond…Kjo e tmerronte Departamentin e Shtetit…Hrushovi dërgoi letrën e tij të gjatë xhaxhait tim dhe ai nuk donte që ajo të kalonte përmes Ministrisë së tij të Jashtme dhe ambasadës së vet

citohet Robert Kennedy Jr.

Kjo miqësi nuk mund të kufizonte rivalitetin strategjik. Versioni sovjetik i ngjarjeve që i paraprinë krizës kubaneze thotë se ishte dislokimi nga SHBA i raketave PGM -19(Jupiter), me mbushje bërthamore, në Turqi që nxiti kundërveprimin e Kremlinit.

Lidershipi sovjetik e mori këtë lëvizje si një fyerje personale

shkruan Yegorov.

Çka mandej çoi në angazhimin e BS-së për të dislokuar thuajse në të njëjtën distancë nga SHBA. Në tetor të vitit 1962 Bashkimi Sovjetik kishte dislokuar tashmë në Kubë 40 koka bërthamore dhe 40 000 trupa. Mbi këtë gjendje që mandej iu bë e njohur mbarë botës, nisi korrespondenca e radhës e dy “njerëzve të fyer”:

Mendoj se do ta pranoni se hapat që kanë vënë në lëvizje zinxhirin aktual të ngjarjeve ishin veprimi i qeverisë suaj për furnizuar në mënyrë të fshehtë Kubën me armë sulmi

shkruan Kennedy më 23 tetor 1962.

Ty të shqetëson Kuba…sepse është 90 milje detare nga bregu amerikan. Por Turqia na ngjitet ne në tokë: patrullat tona kufitare shohin njëra-tjetrën. A e merrni parasysh pra se keni të drejtë të kërkoni siguri për vendin tuaj dhe kërkoni largimin e armëve që ju i quani ofensive, por nuk na ofroni ne të njëjtën të drejtë?

përgjigja e liderit sovjetik.

Që në mesazhin e vet të 28 tetorit do të shënonte:

…ne kemi besim se arsyeja do të triumfojë dhe se lufta nuk do të nisë. Paqja dhe siguria e njerësve do të garantohet

Sipas Yegorov, në të njëjtën ditë Robert Kennedy, Prokuror i Përgjithshëm i SHBA, zhvillonte një takim me ambasadorin sovjetik në SHBA, Anatoy Dobrinin për “të ofruar një marrëveshje paqeje" me kushtet si më poshtë: Hrushovi urdhëron largimin e armëvë bërthamore nga Kuba, ndërkohë që Presidenti Kennedy premton se do të heqë bllokadën nga Kuba dhe largojë raketat nga Turqia për 6 muaj.

Një marrëveshje verbale, pa firmë e pa tekst të shkruar që u ndoq megjithatë nga të dyja palët dhe më 20 nëntor në Kubë nuk kishte më as edhe një kokë bërthamore sovjetike. Pala amerikane mbajti premtimin duke ndjekur reciprocitetin që ishte mesa duket edhe shenjë e një besimi dhe vlerësimi reciprok personal mes dy njerëzve që kishin në dorë fatet e njerëzimit në atë kohë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.