"Numri 10 nuk ekziston më"

Postuar në 15 Gusht, 2023 15:55
Intervistoi: Walter Veltroni

 

Një intervistë që nuk ka nevojë për hyrje qëkur Platini thotë atë që lexohet në titull. Futbolli dikur jetohej, ishte sport dhe argëtim, sot biznes. Ndaj edhe ai numër ka vdekur.

Çfarë do të thotë ajo 10 në shpatullat e një lojtari futbolli?

Ai ka atë magji sepse identifikon, që nga fillimi i historisë së futbollit, të gjithë më të fortët: Pushkash, Pele, Rivera. Liderët e skuadrave, teknikë dhe karizmatikë, kishin këtë numër. Në ëndrrat e fëmijëve të epokës sonë kishte dy yje: numri 10 dhe portieri, role tërësisht të ndryshme. E kalova kohën time duke u përpjekur t’ua hedh portierëve, për çka nuk arrij ta kuptoj dashurinë për atë rol. Por njerëzit i donin...

Numrat 10 janë të gjithë njësoj...

Është numri 10 europian, që ishte më tepër një organizator, dhe ai amerikanolatin që luante më i avancuar, gati si pikë e dytë. Më tepër një 9 e gjysmë sesa një 10, një sulmues i dytë. Zidane, unë, Rivera, Pushkash ishim më tepër organizatorë të lojë, edhe pse kemi bërë shumë gola.

Ju keni lindur në Rue de Saint Exupery. Është vetëm një rastësi por sigurisht madhështore, sa i përket butësisë...

Më tepër se një vlerë, për mua butësia ka qenë një sentiment. Do të thosha një sentiment francez. Kur mbërrita në Itali kuptova se ju jeni të çmendur për topin, nuk flisni për gjë tjetër nga mëngjesi në darkë. Në Francë ishte thjesht një lojë, që bëhej në gëzim. Nuk kishte tifozë, por spektatorë. Franca nuk kishte fituar kurrë ndonjë gjë, ndoshta për këtë arsye. Ndaj nuk e kuptoja gjithë presionin që ishte te ju. Në Itali futbolli është i ndërlikuar për gjashtë ditë në shtatë, mandej vjen ndeshja. Në atë moment askush nuk të çan veshët me polemika dhe harutërinë. Ajo, ajo vetëm është e vërteta e futbollit. 90 minutat janë shumë të bukur. Pjesa tjetër, jo.

Gjyshi juaj murator emigrant nga Italia, babai juaj profesor matematike, ju kampion futbolli. Ngjan si historia e ‘900-s në një familje të vetme...

Gjyshi im erdhi në Francë në vitet ’20. Nuk di shumë, në të vërtetë. Kam keqardhje që nuk kam mundur të rindërtoj deri në fund historinë tonë. Ata nuk flisnin me dëshirë për këtë. Ishte Lufta I Botërore, pastaj e Dyta. Nuk ishte e lehtë në atë periudhë të ishe italian në Francë. Prindërit e mi, fëmijë italianësh, nuk flisnin gjuhën tonë, atë të gjyshërve të mi. Nëna ime punonte në Cafe des Sportifs, babai u mësonte dhe stërviste fëmijët, ndaj edhe nuk kemi patur asnjëherë ato drekat e mira gjatë të cilave tregohen historitë e familjes. Gjyshërit e mi nuk folën kurrë për jetën e tyre, kurrë.

Raporti juaj me Avokatin?

Sigurisht nuk ishte miku im, nuk ishte një person me të cilën përqafohesha, kishte shumë më tepër vite sesa unë dhe autoriteti i tij i padiskutueshëm. Do thosha kështu: e kam bërë krenar Avokatin. Është ai që më kërkoi. Besoj se mendonte, me vete, se kishte qenë ai, jo Boniperti apo të tjerë, që më zgjodhi dhe kjo që kishte bërë ishte konfirmimi se ai kuptonte nga futbolli dhe ndaj askush nuk mund t’i çante veshët mbi këtë temë. Ai më lejoi të kisha lirinë maksimale, në fushë dhe jashtë. Po, besoj se e kam bërë krenar. Dhe kjo më bën të lumtur.

Tardelli më ka treguar se mori vesh për vdekjen e Paolo Rossit në mëngjes nga një telefonatë e juaja...

Është e vërtetë, telefonova Marcon, Antonio Cabrinin, Zibi Boniek. E kisha parë Paolon pak kohë më parë në Forte dei Marmi dhe nuk m’u duk se ishte keq. Ishte një surprizë e tmerrshme, një shok i vërtetë. Paolo ishte me të vërtetë një person i mirë, i bukur. Ai nuk ishte i çmendur pas futbollit, me atë mund të bisedoje për gjithçka. I vidhja cigaret, ai inatosej shumë. Kanë qenë vite të veçanta, jemi argëtuar shumë dhe kemi fituar shumë. Jo vetëm luaja me lojtarë të mëdhenj, por me njerëz të veçantë, shumë prej të cilëve vijojnë të jenë miq të mi. Dhe atë mëngjes ishim sërish bashkë, për të ndarë absurditetin e ndarjes nga jeta të Paolos.

....

Ju keni qenë, për paradoks, i vetmi lojtar futbolli që u bë president i FIFA-s. Ishte një faj?

Nuk e di nëse ishte faj, sigurisht që administrata e FIFA-s u rreshtua kundër meje. Presidentët e federatave kombëtare më donin në krye, aparatet e FIFA-s, jo. Mund të kuptohet se pse. Dhe kërkuan diçka për të më bllokuar. Gjetën një pagesë të bërë pesë vjet më parë dhe këtu qëndron ironia: FIFA më parë më paguan për punën time dhe pastaj më ndëshkon pse më pagoi. Asburde, ky është maksimumi. Futbolli më donte, politika e futbollit, jo.

Çfarë mendoni për këtë zhvendosje të aksit të futbollit drejt botës arabe?

Futbollistët, ata më të mirët, janë si zogjtë që emigrojnë duke kërkuar vende ku të jetojnë më mirë. Dhe ku priten nga njerëzit, pra ku ka më shumë lekë. Unë erdha në Itali, ishte zemra e fubollit botëror. Maradona, Falkao, Ziko luanin këtu. Ishin vitet e Mantovanit, Berluskonit, të Avokatit(Giovanni Agnelli), axurët kishin fituar kupën e botës, ekonomia ecte mirë, terrorizmi po përfundonte. Ndihej një ajër i ringritjes, entuziazmi në shoqërinë italiane. Kështu edhe në futboll. Sot futbollistët shkojnë ku i paguajnë më shumë. Unë besoj se ka patur një gabim të KE-së në martesën integrale të Bosman pa një proejkt përfshirës për sportin europian. Sot të pasurit mund të blejnë kë të duan. Dhe ato vende janë të pasura, shumë të pasura.

...

Çfarë ishte për ju ajo humbje e atij Juventusi fantastik në finalen e Kupës së Kampioneve më 1983, në Athinë, kundër Hamburgut?

Boniek më thotë përherë se nëse do të kishim fituar atë ndeshje, do të kishim pushtuar Kupën e Kampioneve për katër vjet rresht. Dhe ka të drejtë. Ishte një finale, ndeshje unike, e komplikuar shumë. Sikur planetët të ishin rreshtuar keq. Ndodhi, për fat të keq.  Por kjo është edhe bukuria e futbollit. Në atë periudhë të gjithë mund të fitonin dhe të gjithë mund të humbisnin. Sot jo. Sot, tri apo katër skuadra fitojnë përherë kampionate dhe kupa sepse kanë më shumë lekë dhe ndaj lojtarë më të mirë.

Ka ndonjë lojtar sot që e pëlqeni?

Sot fubolli është i ndryshëm nga i yni. Luhet më mirë sepse lojtarët sot janë shumë më të përgatitur sesa në kohën tonë. Ne, në moshën 17 vjeçare, ishim rrugëve, sot në këtë moshë kanë 4 vjet në shkollë futbolli. Mbrojtësit e sotshëm janë më të mirët, luajnë me topin, nuk qëllojnë më, nuk mund të rrahin më. Messi, Neymar, Haaland, Mbappe janë futbollistë të mëdhenj.

Hiq Messin asnjë nuk është një numër 10.

Numri 10 nuk ekziston më. Sot është portieri apo mbrojtësi i qendrës regjizori, ai që organizon lojën.

Ka ndonjë lojtar të historisë së futbollit që do të donit t’i bënit një asist, dikë që do të donit të bënit të lumtur?

Në ëndrrat e mi si fëmijë ishte Johan Krujf. Ai luante në atë mënyrë të mrekullueshme në një kohë që ishte shumë e vështirë ta bëje. Nëse bëje një triblim në atë kohë, kishte gjasë të përfundoje në spital...Luajta për ndeshjen e tij të lamtumirës, Barcelona – Europa. Ishte shumë bukur. Ishte ëndrra ime kur isha 15 vjeç.

Nëse do telefonoje me magji Mishelin e vogël, çfarë do t’i thoshe, çfarë këshille do t’i jepje për jetën?

Pyetje e bukur kjo. Do t’i thosha të njëjtën gjë që më thanë prindërit e mi. “Argëtohu! Argëtohu në futboll! Futbolli është argëtim”. Ia dola të mbërrij aty ku mbërrita sepse e kam jetuar kështu futbollin. Ua them përherë fëmijëve: argëtohuni dhe nëse do jeni të zotë, nëse do dëshmoni talent, gjërat do vijnë te ju. Në fakt sot më parë duan të bëhen futbollistë profesionistë dhe pastaj të prekin topin. Në Francë, në kohën time, as nuk e dinim se ekzistonte futbolli profesionist. Këtë do t’i thosha Mishelit të vogël: “Argëtohu! Dhe nëse një ditë vjen Boniperti, firmos me Juven”!

Burimi: Corriere della Sera

Përkthimi me shkurtime: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.