Shpresa e të mjerëve te Demokracia Gjyqësore

Postuar në 01 Gusht, 2023 17:49

 Me hapjen e çështjeve penale për inceneratorët, ka një lloj prirjeje për ta parë këtë si opsion për ndryshime të elitës politike në vend. Madje në këtë kuadër mund të shihet edhe riqarkullimi i një hiçi si Lulzim Basha, apo takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit të njerëzve që përfaqësojnë vetëm zhurmën mediatike për çështje të caktuara.

Sepse prirja për ta parë këtë proces si shtysë për ndryshim elitash lidhet në të vërtetë jo me instinktin politik të një elite tjetrër, por vetëm me besimin e vobektë se kjo është lojë e amerikanëve.

Dhe këtu problemi është shumë më kompleks sesa ai që përjetojmë. Nëse elita e tanishme ka me qindra probleme, ajo është aty për shkak të vetes dhe Neve; ajo është aty me iniciativën e vet dhe për shkak të problemeve të mëdha që kemi si shoqëri. Kjo elitë ndërvepron me perëndimorët për të përfituar mbijetesën, por nuk e ka suksesin e vet parakusht të të huajve.

Ajo çfarë shpresohet sot është një miopi që vetëm një Shqipëri me intelektualë të tredhur dhe zhurmues dy lekësh mund ta duan dhe shpresojnë: një elitë të re të inkubuar dhe intubuar nga SHBA dhe Perëndimi për ta shpëtuar pra vendin nga korrupsioni galopant.

Po cila ligjësi e justifikon këtë që artikulohet këtu? Kjo nënkupton se ne duhet të pranojmë se zgjedhjet vdiqën dhe se jemi gati të kalojmë në një Demokraci Gjyqësore që zhdoganohet nga selitë diplomatike.

Mund të pyetet: a mund të bjerë më poshtë se kaq një shoqëri? A mund ta pështyjë më shumë se kaq veten njeriu?

Edi Rama nuk është i pamundshëm. Thjesht përballë tij nuk garoi kush: Sali Berisha nuk fiton dot sepse është e shkuara, Ilir Meta nuk është subjekt i vendit të parë dhe është i konsumuar aq sa asociohet me prangat në duar. Lëvizjet e tjera të çunakëve që pretendojnë se kanë vullnetin për një Testament të Ri, nuk dinë dhe duan të rriten përtej lojës së ekranit. Kështu që ai që prek vendin tej e tej dhe mandej me pushtetin që ka korrupton kë të mundet, është Edi Rama. Ai duhet mundur me zgjedhje, në zgjedhje. Përndryshe të gjitha këto haluçinacione dështakësh vetëm sa e legjitimojnë Edi Ramën që të bëjë dyfishin e kësaj që ka bërë sepse në fund të fundit ka rreth e qark vetëm budallenj politikë.

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Opinioni publik shqiptar ka nje narrative te veten persa i perket politikes, dhe jo vetem, e cila mbeshtetet ne mendimin gjeresisht te perhapur : te largohen te vjeterit, te vijne te rinjte! Kete idiotesi tipike shqiptare e degjon ne cdo studio televizive, e lexon ne shume shkrime analistesh. Per t'i vene kapakun, shume prej tyre jane vete te vjeter; analiste te fillimviteve nentedhjete, qe nuk ua leshojne vendin analisteve te rinj(!), madje edhe politikane qe po nga ato vite, dhe kjo eshte me absurdja, qe teksa drejtojne partizat e tyre te vogla, ka 20, 25 madje disa edhe me shume se vete Berisha dhe Meta ( degjoj edhe te urte-butin e mencur , tironsin Dashamir Shehi, i cili vete ka njezet vite kryetar partie, te thote te njejten gje, por as i shkon ne mendje qe vete ai t'ia leshoje karriken ndonje te riu!) qe nga 1991-shi, te cilet perserisin deri ne fyerje te padurueshme te intelektit te njejtin refren!!!
Kjo narative eshte sa idiote dhe e pakuptimte, po aq edhe deshperuese. Eshte kunder ligjit elementar te natyres njerezore, te organizimit social, politik, ekonomik te ketyre qenieve qe quhen njerez; eshte kunder ligjit te organizmit te botes se gjalle ne pergjithesi; edhe tek kafshet, "te rinjte" nuk largohen nga tutela e "te vjeterve" deri sa te mesojne sesi duhet te mbijetojne, a me sakte, deri sa ato vete te behen "te vjeter".
Une nuk njoh ndonje te urte, mendimtar a filozof te madh, qe nga antikiteti e deri me sot, ndonje fryme, rryme a shkolle mendimi qe shpetimin e shoqerise ta shohe tek drejtimi i saj nga te rinjte. Kete e thone vetem "mendimtaret" shqiptare. Po c'eshte ky budallallek, c'eshte kjo marrezi keshtu?
E ka nje shpjegim kjo idiotesi kolektive. Kjo narrative e turpshme i ka rrenjet ne kohen e regjimit komunist: e shtuquajtura perplasje mes brezit te ri dhe atij te vjeter, mes se rese dhe se vjetres; te rinjte, e reja triumfonte gjithmone; duhej te triumfonte; ishte domosdoshmeri te triumfonte. Grotesku shkonte gjer atje, sa vete vete klika sunduese e asaj kohe mbeshteste te rinjte, te rene...!!! Ama, veten e cilesonte si jashtekohe, dmth te paprekshme nga ky nderrim stafetash.
Ka ndonje te ri a te re, ne Perendimin e civilizuar, qe drejton nje parti. nje qeveri a shtet; por te mos ngaterrohemi: ata jane te rrethuar nga te gjitha anet nga te vjeter me shume eksperience dhe strukturat e tyre disashekullore te vjetra , te cileve e kane ta pamundur te mos ua marrin parasysh keshillat; mirepo, per paradoks, shembuj te tille nga Perendimi e ushqejne edhe me shume psiken e qenies shqiptare te deformuar nga propaganda e dikurshme totalitare, duke e bere te deliroje si ne jerm : te ikin te vjetrit, te vijne te rinjte!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.