Mbreti i Spanjës, mashkulli më elegant në botë
Mbreti i Spanjës ka një kurorë të dytë: atë të mashkullit të veshur më bukur. Në turneun e tenisit në Uimbëlldon, Filipi i Spanjës ra në sy për elegancën në veshje. “A është mbreti i Spanjës ikonë stili për meshkujt”, ishte tituli i “The Times”, Daily Mail gjeti rastin ta krahasonte me liderët që morën pjesë në samitin e NATO-s në Vilnius, ndërsa revistat e modës Tatler dhe Vanity Spain e vunë në kopertinë.
Paraqitja e tij e patëmetë u vu në pah akoma më shumë nga disa komente të Derek Guy, një ekspert i famshëm i modës mashkullore.
Veshja e mbretit i është besuar një rrobaqepësi në Madrid. Jaime Gallo është emri pas paraqitjes elegante të tij. Guy vë në dukje proporcionet e përkryera, në mënyrë të veçantë te xhaketa ngjyrë gri e hapur.
“Është shumë e rrallë të hasësh një cilësi pune të tillë në ditët e sotme, qoftë edhe te të pasurit”, thotë ai. Për më tepër, edhe kombinimi është i goditur: xhaketë gri e hapur mbi një këmishë të bardhë me kuadrate, pantallona të zeza dhe kravatë blu me të bardhë.
Filipi është veshur nga Gallon që nga mosha 11 vjeç deri ditën kur ai u nda nga jeta në vitin 2015. Gjithë ato vite i kanë shërbyer kodifikimit të stilit të tij, duke ia përshtatur veshjet tipit të tij dhe paraqitjeve zyrtare.
Detajet që vë në dukje Guy janë ato thelbësore për një veshje mashkullore: jaka e xhaketave gjithmonë “përqafon” qafën me një efekt shumë të butë; si jaka ashtu edhe xhaketa nuk rrinë ngushtë në asnjë përthyerje të trupit; xhaketat llogariten në mënyrë që pika e rënies të jetë afërsisht në gjysmën e distancës midis jakës dhe kockës së shpatullës.
Krahasimi me liderët e samitit të NATO-s i ngel në klasë të gjithë këta të fundit. “Shumica e presidentëve meshkuj mbanin veshur pantallona shumë të gjata për ta”, thotë Guy.
Mund të konsiderohet një nga meshkujt më elegantë të ekranit, por as Daniel Craig nuk ka elegancën e mbretit Filip.
“Craig mban veshje shumë të shtrënguara për trupin e tij. Ndaj shpesh vihet re shtrëngim te pjesa ku mbërthehen pantallonat apo jaka që duket sikur i merr frymën. Mëngët e xhaketave janë të shkurtra, sidomos e djathta. Kur përshëndet me dorë, shihet pulsi”, thotë Guy.
Add new comment