Europa, destinacion nga “dy kahe" të ndryshme. Rasti shqiptar dhe ai gjeorgjian

Postuar në 22 Korrik, 2023 00:28
Intervistoi: Skerdilajd Zaimi

 

Popuj pa kushërinj të mëdhenj, jashtë trungut të grupeve të mëdha si gjermanikët, apo sllavët, me gjuhë të veçanta. Madje të vetmuara nëse mund të themi kështu. Shqiptarët dhe gjeorgjianët, relativisht larg njëri-tjetrit, ngjajnë në në disa drejtime të fatit të tyre. E papritur megjithatë mund të tingëllojë ngjashmëria e narrativave të elitave post-perandorake, për shkak të dallimeve cilësore dhe gjeografisë. Një prej tyre është narrativa për Europën, lektisja e madhe për një tokë të premtuar të zhvillimit dhe lirisë, ku kurohet përfundimisht edhe ankthi për sigurinë e kombit dhe territorit.

Kjo optikë vjen përmes një punimi shumë të veçantë, “BITTERSWEET EUROPE. Albanian and Georgian Discourses on Europe, 1878-2008 (New York, Oxford: Berghahn Books, 2013)” (E hidhura, e ëmbla Europë. Diskursi shqiptar dhe gjeorgjian mbi Europën, 1878 – 2008), me autor asc. Prof. Adrian Brisku, lektor në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Charles University, në Pragë.

Përmes disa pyetje kërkuam nga z. Brisku të kuptojmë diçka më shumë për librin në fjalë, për pikënisjen e tij dhe përmbi të gjithë për arsyet historike të kësaj ngjashmërie në diskursin e elitave të të dy popujve, që janë afër dhe larg.

***

Si filim një pyetje që ka të bëjë me kuriozitetin fillestar mbi titullin: pse një histori krahasuese mes shqiptarëve dhe gjeorgjianëve?

Ideja për historinë krahasuese më lindi në kohën kur banoja për disa vjet në Tbilisi, midis 2001 dhe 2005. Meqë ky libër, i cili doli në botim ekzatësisht 10 vjet më parë, është rezultat i projektim tim të doktoraturës të mbrojtur në 2009 në Institutin Universitar Europian, në Firence, e mendova – kur dhe fillova të kuptoj nga pak gjuhën, kulturën, historinë, dhe politikën gjeorgjiane – së një projekt krahasues do të ishte me vlerë dhe iluminues jo vetëm për rastin e Shqipërisë ku ligjërimi dhe debati për identitetin Europian shqiptar, sidomos në dekadën e parë te mijëvjeçarit të dytë, ishte thjeshtëzuar e ngurtësuar, tipare që i vëreja dhe në Gjeorgji, por që të lidhej dhe me ligjërimet dhe debatet akademike dhe politike për identitetin Europian në mbarë kontinent. Vërejta se asokohe të dyja këto vende dhe pse në ligjërimet politike po futeshin në këto debate të gjera, në lëmin akademik ende nuk ishin. Në fakt, ky libër – me një qasje krahasuese sistematike – mbetet ende i rrallë nga këndvështrimi i rasteve krahasuese si në lëmin akademik shqiptar dhe atij gjeorgjian.

Është përvoja juaj mes dy vendeve dhe kulturave që e lidh “profesionalisht” këtë krahasim në një “rrugëtim” të përbashkët, apo ka me të vërtetë elementë, të ngjashëm dhe të dallueshëm që vlejnë të vihen në dukje mes dy kombeve tona?

Nëse mund të bëhet një përgjithësim i kujdesshëm i dalë nga përvoja vetiake e të jetuarit midis këtyre dy hapësirave kulturore mund të them se përveç gjuhëve që janë krejtësisht të veçanta, shumë elemente janë të ngjashëm: raportet njerëzore (familja, mikpritja). Por elemente të përbashkëta ndajnë dhe në këndvështrime strukturore: historikisht dhe gjeopolitikisht si kombe e shtete te vogla të gjendura nën ndikimin e perandorive e fuqive të mëdha, me zhvillime dhe problematika, relativisht të përafërta politike, ekonomike e shoqërore. Një element interesant që i lidh të dy kombet në një mënyrë simbolike, të cilën nuk e kam përmendur në libër, por që e vura në dukje në një artikull të botuar në gazetën “Panorama” të botuar në dy numra të saj të njëpasnjëshëm në 2018 – në vitin e Mbarëkombëtar të 650 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut – ka të bëjë me aktorin gjeorgjian, Akaki Horava, i cili luajti rolin e Skënderbeut. Ç’është domethënëse për me këtë rast është se jo vetem Horava mishëroi imazhin klasik dhe të vetëm kinematografik të Heroit kombëtar, por Horava e luante rolin e Skënderbeut pasi kishte luajtur rolin e nje figure historike gjeogjiane përafërsisht si Skënderbeu – por një shekull më vonë – i quajtur Giorgi Saakaxe, një strateg ushtarak e politikan i zhdërvjelltë, i cili iu kundërvu mbretërisë gjeorgjiane dhe feudalëve të saj që ishin nën kontrollin e Perandorisë perse.      

Është një krahasim mes relacioneve të njërit vend dhe tjetrit me Europën, apo një krahasim narrativash?

Më së shumti është një krahasim narrativash. 

Në hyrje ju theksoni atë aspekt që përcakton si të thuash paradigmën e njëjtë për shqiptarët dhe gjeorgjianët në këto 100 vjet: Që nga fillim i historive të tyre moderne, gjeorgjianët dhe shqiptarët, kanë vijuar të artikulojnë, instrumentalizojnë dhe ta përjetojnë Europën si një entitet të tendosur me tri pamje: si gjeopolitikisht të rëndësishme; si një fanar të progresit dhe si një simbol të qytetërimit dhe kulturës së lartë – të gjitha këto me shpresa dhe zhgënjime ndaj saj dhe vetes.

Si ndodh që në dy popuj si gjeorgjianët dhe shqiptarët, me histori qindra vjeçare nën regjime pushtimi, Europa u shfaq në horizontin e imagjinatës së tyre politike?

Kjo ndodhi në kontekstin e zhvillimit të nacionalizmit kulturor e politik në të dy hapësirat që fakt fillon të kulmojë nga çerekut të fundshekullit të nëntëmbëdhjete, që është dhe periudha e parë krahasuese në libër. 

Si në kontekstin otoman-shqiptar dhe mbarëshqiptar të kësaj periudhe, që në historigrafinë shqiptare njihet si Rilindja Kombëtare, dhe në të Gjeorgjisë cariste-romanove, me grupe intelektuale që në historiografinë gjeorgjiane njihen si tergdaleulebi [ata që kaluan lumin Terek në Kaukaz për të studiuar në Rusinë europiane, Shën Peterburgu] kemi prurje idesh liberale, nacionaliste, kulturore, e zhvillimore nga hapësirat politike e kulturore, kryesisht në Europën perëndimore, të cilat filluan të reflektohen në të njëjtën kohë me krijimin e vetëdijeve kombëtare.

Në këtë proces të koklavitur identitetet kombëtare që po krijoheshin, përkatësisht shqiptare e gjeorgjiane, u lidhën, u përballën me elementë të një Europë me një trashëgimi kulturore e historike (antikiteti, krishtërimi) si dhe me një Europë të së ardhmes (rrymat iluministe, ideologji polike e zhvillimore) dhe po ashtu me trashëgimi dhe gjurmë historike të qytetërimeve orientale, të cilave në shumicën e rasteve mundoheshin t’i shmangeshin. Gradualisht dhe në të njëjtën kohë me zhvillimin e nacionalizmit politik, ideja e krijimit të shtet-kombeve përkatëse, një dimension i tretë i Europës – ai gjeopolitik, e shteteve të mëdha (perandorake/imperisaliste), të cilat kanë të dorë fatin për mbështetjen e krijimit dhe të mbijetesës së shtet-kombeve shqiptare e gjeorgjiane – bëhet edhe më dominante në imagjinatat polike, jo vetem në këtë periudhë të parë të deri në krijimin e shtetit shqiptar (1913) e gjeorgjian (1918) por edhe në periudhat e midis dy luftrave botërore, si dhe komunizmit e post-komunizmit.     

Është ky lloj ankorimi një tipar i atyre që janë quajtur popuj të Frontierës?

Mund të thuhet më shumë se është tipar i popujve të vegjël gjë gjenden midis ndikimeve të qytetërimeve dhe shteteve të mëdha.

Në ‘bregun politik dhe kulturor europian’, shqiptarët dhe gjeorgjianët janë nisur duke ikur apo arratisur nga osmanët, Orienti me këtë rast (edhe persët te gjeorgjianët), dhe bota sllave. Jemi të saktë në një histori të tillë lineare? A kanë ndikuar këto dy “milieu” në imagjinimin e një identiteti apo të ardhmeje europiane për të dy popujt?

Po mund të bëhet dhe një pohim i tillë për të dyja rastet. Nuk është rastësi që në të dyja vendet, në periudhën post-komuniste gjejmë ligjërim të njëjtë, ‘rikthim në Europë.’ Por duhet patur kujdes, nuk mund të thuhet që është aq lineare dhe gjithmonë ‘eurocentrike.’ Në rastin shqiptar, në lëmin kulturor të periudhës së dy luftrave botërore, kemi neo-shqiptarët që flasin për një braktisje të Lindjes, gjejmë edhe momente si një vargjet e "Rubariave" të Nolit, që vlerësojnë pasurinë dhe ‘mençurinë’ e Lindjes (në ketë rast atë të kulturës përsiane), apo dhe më herët me Sami dhe Naim Frashërin, sidomos Samiu që theksonte se si qytetërimi islamik, me anë të përkthimeve të teksteve të grekërve të vjetër në gjuhën arabe, mbarti dhe përçoi ato ide të cilat bënë të mundur Rilindjen Europiane dhe të qytetërimit modern europian.

Në rastin gjeorgjian kemi rryma intelektualësh, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, siç ishin ata të vetëquajturit ‘Brirët e kaltër,’ të cilët ishin për gjithçka europiane (ndër të tjera dhe vlera e racionalizmit) të cilëve iu kundërvunë të tjerë që ishin për mbajtjen e vlerare të qytetërimit lindor (ndër to sensualiteti, misteri). Në fakt, në krahasim me ligjërimet shqiptare të kohës, në ato gjeorgjiane u shfaqën dy moto kundravënëse: ‘drejt Europës e drejt Azisë,’ të ndjekura dhe nga një ligjërim i një kulture apo identiteti që ishte diçka ‘midis të dyjave.’

Në ‘bregun politik,’ e gjithë periudha komuniste/socialiste, për të dy kombet, përfaqëson në një mënyrë kontradiktore, në prizmin e qytetërimin dhe modernitetit politik, një alternativë brenda atij europian; në prizmin gjeopolitik ishte një orientim lindor, të cilët disa shqiptarë dhe gjeorgjianë në hapësirat e tyre përkatëse i ndoqën.        

Për sa i përket asimilimit të narrativës europiane te të dy popujt: si ka ndikuar feja? Gjeorgjianët në shumicë kristiane, shqiptarët myslimanë në shumicë të deklaruar, por me një devijim unik drejt ateizimit në një periudhë 23 vjeçare?

Më shumë se ndikimi, ka qenë perceptimi që intelektualët apo edhe politikanët i kanë bërë, e i kanë dhënë fesë në lidhje me narrativën europiane. Dhe këtu ka një diferencë midis të dy rasteve. Dihet që të popujt janë me përbërje shumëfetare, por Shqipëria me një përqindje relativisht të madhe myslimane (sunite dhe bektashi/shiite) dhe relativisht të vogël të krishterë (ortodokse e katolike), ndërsa Gjeorgjia anasjelltas, ndërkohë që dhe sekularizmi e ateizmi i periudhës komuniste pati ndikim të fortë në të dy vendet. Kështu që, në narrativat europiane, esencialiste, sidomos në periudhën post-socialiste, të përfytyruara vetëm me kristianizmin dhe kulturën kristiane, disa intelektualë e ligjërues shqiptarë e kanë parë si problematike njëtrajtëzimin e identitetit shqiptar me atë europian, ndërsa ata gjeorgjianë, duke e neglizuar krejtësisht ekzistencën e identitetin mysliman gjeorgjian, në kontekstin e ligjërimit europian gjeorgjian, i mëshojnë fort sesi kristianizmi përbën thelbin e identitetin europian gjeorgjian.             

Si ka ndikuar epoka e komunizmit në qasjen ndaj Europës së elitave dhe shoqërive? Në rastin e Gjeorgjisë ka një specifikë unike që lidhet me emrin e Stalinit, Berias, Orxhonikixes, Mdivanit dhe më vonë edhe Shevarnaxes, që ishin si të thuash historia gjeorgjiane e kohës sovjetike?

Në përgjithësi, elitat post-komuniste gjeorgjiane dhe shqiptare, ndryshe nga sa sqarova më lart, e shikojnë periudhën komuniste si largim nga identiteti dhe orientimi Europian, prandaj dhe ligjërimi i fortë i ‘kthim në Europë.’   

Si popuj që u takuan apo e njohën njëri-tjetrin në kohën otomane, për një kuriozitet të themi, hasen konsiderata reciproke? Në historinë e shqiptarëve, gjeorgjianët dalin në të paktën dy momente me rëndësi: Hursid Pasha që i dha fund Ali Pashës  dhe Mehmet Reshid Pasha që nënshtroi Toskërinë, ndonëse nën petkun e otomanit.

Po këto janë disa raste. Por në kohët më moderne duhet të përmendim edhe Stalinin, që nën petkun e perandorive dhe shteteve të mëdha, tregojnë sesi figura të tilla me etnicitet gjeorgjian kanë ndikuar në historinë e thellë të popullit shqiptar, dhe siç përmenda më lart dhe aktori Akaki Horava që luajti rolin e Skënderbeut. Mendoj se emri i Horavës duhet memorializuar në kujtesën publike shqiptare duke ia dhënë emrin një sheshi apo rruge në Tiranë, Krujë apo diku tjetër.    

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.