Një kompani spanjolle, spiune e CIA-s për liderët e Amerikës Latine
Një kompani spanjolle është nën hetim, me dyshimin se ka disa ish-krerë shtetesh të Amerikës Latine. Lajmin e bën të ditur El Pais, sipas të cilës UC Global, S.L. dyshohet të ketë spiunuar edhe bashkëthemeluesin e Wikileaks, Julian Assange me urdhër të CIA-s.
Dyshimet e kanë origjinën te laptopi i David Morales, kreu i UC Global, S.L., për të cilin një gjykatës në Spanjë kërkoi një ekzaminim të dytë.
Morales është hetuar njëherë në vitin 2019, me dyshimin për spiunazh në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku strehohej Assange, por policia nuk arriti ta merrte të gjithë informacionin që përmbante MacBook-u i tij.
Provat e reja tregojnë se Morales dhe punonjësit kanë mbajtur fshehurazi nën monitorim ish-presidentin ekuadorian, Rafael Correa, me katër ish-krerë shtetesh: argjentinasen Cristina Fernandez de Kirchner, brazilianët Lula da Silva dhe Dilma Rousseff dhe Jose Mujicën e Uruguait.
Sipas gazetës, Morales dhe punonjësit e tij instaluan fshehurazi viruse trojan në telefonat celularë të dy vajzave të Correas dhe falë kësaj morën akses në mesazhet e tyre.
El Pais, duke cituar gjetjet e hetimit, raporton se Morales kishte përpiluar raporte në anglisht mbi takimet e ish-presidentit. Sipas artikullit të botuar më 18 korrik, emri 'CIA' shfaqet disa herë në një hard disk të jashtëm që i përkiste kreut të UC Global, të cilin autoritetet spanjolle e kishin analizuar njëherë.
Të dhënat e reja të zbuluara i lënë vend supozimit se bisedat e Assange në Ambasadën e Ekuadorit në Londër kanë përfunduar në zyrat e CIA-s.
Add new comment