Sanksione dhe ftesë për bashkëpunim. Paradoksi i politikës së BE në Ballkanin Perëndimor

Nga takimi i datës 17 korrik në Tiranë, rezultoi se me Samitin e Procesit të Berlinit në tetor, do të synohet një shtysë më e madhe e financimeve europiane për Ballkanin Perëndimor. Ky është një lajm i mirë që mbetet për t’u konfirmuar sikundër me interes do të jetë edhe shpërndarja e fondeve për secilin vend.
Megjithatë samiti afron në një kontekst disi paradoksal. Situata në Veriun e Kosovës mbetet ende e pazgjidhur dhe Kosova është nën një valë sanksionesh minimale, por që kanë prekur financimet e saj. Edhe Serbia është paralajmëruar se do t’i nënshtrohet sanksioneve nëse bën veprime përshkallëzuese. Kriza kërkon ende trajtim politik dhe ndërmjetësim dhe ajo ecnë tashmë paralel me instrumentet shtrënguese.
Në këto kushte, BE-ja ka futur veten në një pozitë jo shumë të besueshme, përderisa shpall masa ndërkohë që fton të gjitha vendet të jenë pjesë e financimit në kuadër të Procesit të Berlinit, që ofron fonde nga BE-ja. Situata e krijuar është në një lloj ngrirjeje perspektiva e së cilës mund të jetë gjithçka, por e sigurtë është se BE-në tanimë, një pjesë e aktorëve rajonalë po e marrin seriozisht vetëm për paratë, jo për politikën e vet. Aktualisht masat ndaj Kosovës nuk janë hequr, ndonëse situata në terren është më e qetë, duke krijuar një gjendje formaliteti që e cenon autoritetin e të gjithë atij presioni që u bë disa javë më parë. Po kështu ne nuk dëgjojmë më nga Serbia të flitet për tortura e spastrim, diçka krejt jo serioze dhe pa sens real politik.
Add new comment