Shenjat e para të lodhjes nga lufta
Në samitin e NATO-s në Vilnius, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i kujtoi Ukrainës të mbajë parasysh realitetin politik në disa vende, ku mbështetja për furnizimin me armë dhe mbështetjen financiare për të luftuar pushtimin rus nuk është gjithmonë universale. Wallace tha se Ukraina duhet të jetë më mirënjohëse ndaj aleatëve të saj, kur është fjala për furnizimin me armë. Në këtë pikë, Wallace gjeti rastin t’i kujtonte Kievit se Britania nuk është "Amazon" për furnizimet ushtarake.
Në sfondin e zhgënjimit të Ukrainës, për të cilën samiti dy-ditor i NATO-s në Vilnius nuk prodhoi ftesë për t’i bashkuar aleancës brenda një kornize kohore të qartë, komentet e Wallace ngritën pikëpyetje për marrëdhëniet mes dy vendeve.
"Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, njerëzit duan të shohin mirënjohje," tha Wallace për mediat britanike.
“Lufta është fisnike dhe ne po e shohim teksa ju bëni një luftë jo vetëm për veten tuaj, por edhe për liritë tona. Por ndonjëherë ju duhet t’i bindni ligjvënësit në Amerikë", tha Wallace duke iu referuar Kongresit të SHBA.
“Duhet të bindni edhe politikanët dyshues në vendet e tjera se ia vlen”, shtoi ai.
Wallace, i cili deri muajin e kaluar ka qenë i zgjedhuri i Mbretërisë së Bashkuar për të qenë kreu i ardhshëm i NATO-s, kujtoi se pasi mori një listë kërkesash për armë nga Ukraina vitin e kaluar, u tha zyrtarëve në Kiev: "Nuk jemi Amazon", duke iu referuar gjigantit të shitjeve online.
“Besoj se ne i kemi qenë gjithmonë mirënjohës Mbretërisë së Bashkuar. Ne i jemi gjithmonë mirënjohës kryeministrit – ose kryeministrave – dhe ministrit të mbrojtjes”, ishte përgjigjja e presidentit Zelensky.
Në ditën e dytë të samitit të NATO-s, udhëheqësit e vendeve të Grupit 7 u zotuan të ofrojnë mbështetje ushtarake "të qëndrueshme" për të ndihmuar Ukrainën të mposhtë forcat pushtuese ruse. Presidenti Zelensky i mirëpriti garancitë e sigurisë, por nuk e fshehu faktin se do të kishte preferuar një afat të qartë kohor për anëtarësimin në NATO.
Add new comment