Hajde në Tiranë se të duan më shumë!

Postuar në 05 Korrik, 2023 17:54

Beogradi, është një palë që Prishtina e ka kthyer në armik të përjetshëm sepse Prishtina e Kurtit tenton konflikt të përjetshëm në kufi, e ka të domosdoshëm.

Por në rrethanat e tanishme, siç është vënë re, qeveria e Vuçiç ka një tolerancë mjaft më të dukshme, ka një marrëveshje mjaft më të dukshme me evropianët.

Ka një gatishmëri për ta zgjidhur çështjen, të paktën diplomatikisht. E gjithë pesha sot për sot, pesha e fajit, pesha e kryqit, ndodhet në Prishtinë, tek qeveria Kurti

Këto deklaronte Frrok Çupi në ABC News sot.

Ndërkohë gazeta “Tema” online ka nxjerrë një raportim të gazetës serbe “Danas” për gjendjen në parlamentin serb. Ndër të tjera është raportuar se:

Përplasjet verbale janë pasuar nga një konfrontim fizik në seancën e sotme të parlamentit serb. Partitë opozitare kishin kërkuar largimin nga salla të ministrit të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandër Martinovic i cili refuzoi ta bënte një gjë të tillë.

Gazeta Danas shkruan se gjatë seancës, ligjvënësit e opozitës kanë përmendur edhe emrin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Punimet e parlamentit të Serbisë vazhduan mes zhurmës e pështjellimit, thotë gazeta.

Deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë e kanë thirrur “Vuçiç ik”, teksa kërkonin edhe largimin nga seanca të Martinovic, për shkak të fyerjeve të bëra një dite më parë ndaj ligjvënësve dhe aktivistëve politikë.

Dragan Markovic Palma, deputet i Serbisë së Bashkuar, u përpoq të shpjegonte se Martinovici është ministër dhe askush nuk mund ta nxjerrë nga salla. E këtu përmendi Kurtin.

“Kështu i dërgoni një imazh Albin Kurtit dhe gjithë botës se asgjë nuk është në rregull në Serbi. Ky është programi juaj”, u shpreh ai. Pas mosmarrëveshjeve mes tyre, situate degjeneroi në përleshje fizike.

Siç shihet miqësia e disa shqiptarëve me Aleksander Vuçiçin, apo më saktë mirëkuptimi i disa shqiptarëve me politikën e tij rezonon me shqetësimet antiopozitare në Beograd, pasojë mesa duket e homogjenizimit të optikës politike në rajon për marrëdhëniet e pushtetit me kundërshtarët. Është e sigurtë se pavarësisht çdo gjëje që ndodh në Serbi, do gjenden përherë në Tiranë njerëz “me mendje”, që do shohin te çdo manovër e Beogradit një mençuri të rrallë diplomatike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.