Mirë keq, Vuçiç dhe Kurti janë më të besueshëm se “ndërmjetësit” dhe zëdhënësi i tyre pa honorar

Postuar në 30 Qershor, 2023 00:00

Kishte një lajm sot në media të ndryshme ku citohej sekretari i Departamentit të Shtetit, Blinken, sipas të cilit amerikanët i kishin thënë Izraelit të mos përshkallëzonte marrëdhëniet me palestinezët se kjo do çonte në acarim të relacioneve me botën arabe. 

Me siguri që Netanyahu nuk e kupton kaq. Probleme të theksuara autizmi, ndaj edhe Blinken shfaqet përherë e më shumë si promovues i politikës së tautologjisë. Thotë ato që dihen. 

Tema e përshkallëzimit është familjare tashmë edhe për veshët tanë. Kosovën po e syrgjynosin nga parajasa e Lajmit të Mirë pse përshkallëzon situatën. Ose më mirë: pse ashtu interpretohet situata në momentin që flasim. 

Ja p.sh edhe një burim diplomatik shumë i rëndësishëm i ka thënë gazetës online të Baton Haxhiut, “Albanian Post”, se nëse Kosova vazhdon kështu, atëherë Perëndimi do ta quajë atë një sjellje me thikë pas shpine. Duhet besuar edhe kjo, sidomos kur p.sh po dje të Dërguarit të BE-së për Dialogun, Lajçak, i kujtuan në Parlamentin Europian, se Sllovakia, vendi i tij, nuk e njeh Kosovën. Po as Spanja, vendi i Borrell. Dhe këto janë “hollësi” që nuk kalojnë pa u vënë re. 

Për ta plotësuar të gjithë këtë mishmash gojësh që gjenden në kokë njerëzish që dalin shpesh në televizor dhe vishen me kostume zakonisht, kemi z. Rama, që flet me thumba. Media shqiptare vdes të gjëmojë e kapë thumbat e njërit apo tjetrit, meqenëse komunikimi ynë publik është në fakt një thumb në trutë në konvaleshencë të njerëzisë. 

Politikanët e Ballkanit duhet të japin prova se i shërbejnë Berlinit, jo Kremlinit

citohet z. Rama. 

Të gjithë kanë një axhendë, por më legjitimet janë ato të Kurtit dhe Vuçiçit. Sepse këta janë në presionin realisht të vërtetë politik, si brenda ashtu edhe nga jashtë. Të tjerët kanë axhendën e saraqineskës ballkanike që duhet mbyllur tani edhe me lidhje të sforcuar. Por kjo si nevojë imediate publike, anketimi, sesa për ndonjë kërcënim real. Llafazanë si Edi Rama, oportunistë që synojnë të shfaqen si zëdhënës të Perëndimit në një rajon që ka probleme, priren të shndërrohen në llafazanë të padobishëm, shejtan budallenj që I gatisin vetes një vend për të bler me kleringun e deklarimeve politikisht korrekt, kredenciale për veten. 

Është më shumë e vërtetë kjo në kushtet kur Perëndimi nuk ka një strategji për asgjë më, por vetëm improvizon. Sajon dhe qep e arnon pa kuptim në konsum energjish dhe kohe që nuk çojnë gjëkundi. Ta zëmë një ditë pas vizitës së Blinken në Kinë, e cila u cilësua si shumë e dobishme, Biden deklaroi se Xi Jinping është diktator! Cila strategji e justifikon këtë? Dhe nëse e shohim Perëndimin për atë që është, një bursë e rënë ku shitet e blihet gjithçka, e kuptojmë që z. Rama me Borrell e Lajçak, kanë hyrë për karrierat e veta, sesa nga ndonjë vizion për paqen. Si mundet që një propozim si ai për draft asocacionin të mbahet sekret, kur interesi është që të diskutohet mbi të? Si mundet që kriza e Kosovës nuk ka vëmendje ndërkombëtare publike për aq sa e trumbetojnë këtu? Pse nuk prononcohet asnjë politikan i rajonit për krizën aktuale? 

Nuk është për t’u habitur që me një krizë që vijon një njeri si Kurti të nisë e të kuptohet më mirë me një si Vuçiç, pavarësisht bien apo jo dakord. Pasi përtej lojës së tyre që lidhet ngushtë me sigurinë e qytetarëve përkatës ka vetëm llozhra që bëjnë pis. Toksina të sherrit e shamatës, si ai burimi shumë i rëndësishëm që i ka folur Baton Haxhiut, që dikur ndante kufijtë në hartën dixhitale të një emisioni televiziv. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.