Plan për kapjen e dy liderëve të ushtrisë ruse
Hyrja në Moskë ishte vetëm hapi i parë i planit të Yevgeny Prigozhin, lideri i grupit Wagner, i cili fundjavën e kaluar u rebelua papritur, duke iu kthyer kundër presidentit rus. Dy nga udhëheqësit kryesorë ushtarakë të Rusisë ishin objektivi pas hyrjes në kryeqytetin rus. Zyrtarë perëndimorë i kanë thënë gazetës Wall Street Journal se Prigozhin kishte planifikuar të kapte ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjeneralin Valery Gerasimov, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm.
Megjithatë, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) e zbuloi ekzistencën e planit të Prigozhin dy ditë para afatit të përcaktuar për t’u zbatuar, kështu që lideri i Wagner veproi më shpejt nga sa kishte planifikuar fillimisht dhe pushtoi qytetin rus të Rostovit - qendra logjistike e Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke pasur parasysh afërsinë me kufirin.
Në ditët para rebelimit, Prigozhin raportohet se mblodhi sasi të mëdha municionesh, karburant dhe pajisje, mes të cilave tanke dhe automjete të blinduara.
Prigozhin mund të ketë qenë i bindur se shumë të tjerë do t’i bashkoheshin në këtë rebelim kundër Putinit. "Journal"dhe "New York Times" citojnë zyrtarë amerikanë, sipas të cilëve Prigozhin nuk do të kishte nisur rebelimin pa besimin se njerëz të tjerë të fuqishëm do ta ndihmonin.
Në këtë pikë po shikohet roli i gjeneralit Sergei Surovikin - udhëheqës ushtarak, ish-komandant i lartë rus në Ukrainë – i cili mund t ketë ndihmuar Prigozhin në rebelimin e tij.
Add new comment