MEK: Sulmi në Manëz, me urdhër të Iranit
Këshilli Kombëtar i Rezistencës Iraniane, NCRI, me seli në Paris, e quan sulm të papritur operacionin e policisë shqiptare në kampin e Manzës. Në një deklaratë, NCRI, e cila njihet si krahu diplomatik i MEK, akuzon policinë shqiptare për vrasjen e një prej muxhahedinëve të kampit dhe plagosjen e 100 të tjerëve, ndërsa shton se gjithçka është bërë me urdhër të Iranit.
Më shumë se 100 persona u plagosën nga gjuajtja me sprej piper, disa prej tyre janë në gjendje kritike
Me urdhër të fashizmit fetar që sundon Iranin, mëngjesin e sotëm, rreth 1000 policë shqiptarë sulmuan Ashrafin në një sulm kriminal dhe shtypës. Ata thyen shumë dyer, dollapë dhe pajisje, dhe sulmuan banorët me gaz lotsjellës dhe sprej piper. Shumë kompjuterë u prishën ose u morën.
Si rezultat i këtij sulmi kriminal, një anëtar i Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), z. Ali Mostashari, u vra dhe më shumë se 100 njerëz u plagosën për shkak të gjuajtjes së policisë me sprej piper. Shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa disa janë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Veprimet e policisë shqiptare kujtojnë sulmet kriminale të forcave të Nouri al-Maliki në kampin Ashraf në Irak midis viteve 2009 dhe 2015.
Në deklaratë, NCRI kërkon nga SHBA dhe OKB të dënojnë atë që e cilësojnë “sjellje kriminale dhe barbare” nga ana e policisë shqiptare.
Deklarata erdhi vetëm pak minuta pasi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, doli në një konferencë për shtyp në lidhje me ngjarjen, ku theksoi se asnjë prej anëtarëve të MEK që strehohen në kampin e Manzës nuk është prekur me dorë nga punonjësit e policisë.
Add new comment