Profilaktikët e oportunizmit amerikan të 2023-it

Postuar në 09 Qershor, 2023 12:33

Lajmi për një draft për Asocacionin për Komunat serbe në Kosovë ka nisur të propagandohet në Tiranë sikur të jetë zgjidhja e artë për një krizë e cila është artificiale. Nëse e shohim nga distanca e ditëve me protestat e dhunshme, ne mund të kuptojmë se të ashtuquajturat tensione në Veri në fakt janë përshkallëzuar nga amplifikimi retorik dhe deklarativ i Perëndimit që ka kaluar në një ndërmjetësim krejtësisht të njëanshëm. Duke qenë se ekziston frika që Kurti mund ta shfrytëzojë elektoralisht dhe politiksht përballjen e tij me kërkesat autike të Perëndimit, në veprim është futur Edi Rama, që i sëkëlldisur nga roli që i kanë dhënë për të bërë atë që thyen xhamet me llastiqe, e përdori draftin për asocacionin si amballazh të arsyes së vërtetë të daljes së tij që është: izolimi i Albin Kurtit në Kosovë.

Zoti Rama hoqi një bast: ai tha se Kosova, që u kujtua ta quajë pjesë të kombit të vet, është në rrezik. Ndaj edhe ai nuk mund të rrijë duarkryq. Mirëpo në kushtet kur Kosova është shtet më vete dhe ka institucione që zgjidhen këto lloj kontributesh jepen kur kërkohen. Jo a priori. Ajo që po ndodh tani pas deklaratës së Ramës, pra shqyrtimi mbi cilësinë e tekstit dhe aktualizimi i tij si lajmi i ri diplomatik në mes të një krize që nuk ekziston më në intensitetin dramatik të ditëve të para, është asgjë më shumë sesa animi i peshores së negociatave nga kërkesa serbe për Asocacionin. Kujt i shërben këtu kryeministri shqiptar me këtë që bëri? Ngazëllimit të Brukselit zyrtar që me burime ka përcjellë vlerësimet e veta për draftin, apo Beogradit që i duhet tani të ruajë edhe më shumë ekuilibrin me situatën që ka brenda në Serbi?

Ambasadori amerikan në Serbi, Hill flet për Serbinë që po bëhet “përherë e një partner më i mirë” për SHBA-të. Në kohën e protestave të mëdha kundër regjimit të Vuçiç kjo vjen si një shuplakë në fytyrë për Serbinë normal

shkruante sot në tuiter vedran Dzihic, lektor në Universitetin e Vjenës.

Vallë të gjithë anti-amerikanë janë ata që kundërshtojnë këto që po dirigjohen jo nga forca e SHBA, por nga kaosi I krijuar prej saj?

Çfarë nuk po sheh dot Amerika pra që ka vënë një segment shumë të madh të shoqërisë serbe dhe Kosovën zyrtare në një pozitë që nuk arrijnë ta kuptojnë politikën e saj dhe të mos bien dakord me qëndrimet e fundit të Perëndimit? Pse duhet që iminienca e një situate në Ukrainë të katalizojë pasoja negative në Ballkan, ku krizat janë episodike dhe aktualisht nuk kanë potencial shpërthyes në sensin e sigurisë? Sepse Serbia e Vuçiç ka tregtuar çështje të ndryshme të vetat me SHBA?

Nëse ka dritshkurtësi sot në Ballkan, ajo nuk vjen nga Prishtina zyrtare që në fund të fundit po e bën të qartë se po mbron atunë e një shteti e që nuk ka pse të përdoret sot si letër pastrimi për t’u ricikluar më vonë, por vjen nga SHBA. E cila mund të kërkojë të miqësohet me Serbinë, por nuk ka për të fituar në Serbi miqësi; mundet e shumta të akomodojë disa interesa momentale. Është fatkeqësi dhe dramë që politika e një fuqie të madhe të udhëhiqet nga oportunizmi, pasi kjo zakonisht ndodh me vendet e vogla. Dhe brenda këtij oportunizmi përdoren profilaktikë si z. Rama që në të vërtetë me prononcimet e tyre, të djersitur nga vetëdija për atë që janë, sjellin vetëm një të mirë: zbulojnë rolin që u është dhënë, atë që dinë të bëjnë. Pasi për të qenë të pabesë nuk ka shumë faj, shqiptari e ka dhunti.

s.zaimi

Comments

Submitted by Selim (not verified) on

Pra po te mos ishte Rama asociacioni nuk do te behej. Cfare krimineli.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.