“Do të habitesha nëse Britania shmang recesionin në dy vitet e ardhshme”
Brexit ishte “gabim historik ekonomik” që ka ndikuar në rritjen e inflacionit të lartë në Britani, thotë ish-shefi i Thesarit në SHBA, Larry Summers.
Ai shprehet se do të ishte "shumë i befasuar" nëse Britania shmang një recesion në dy vitet e ardhshme, pasi problemet ekonomike të saj janë “sinqerisht më akute se sa në shumicën e vendeve të tjera të mëdha”.
“Politika ekonomike e Mbretërisë së Bashkuar ka pasur të meta thelbësore për disa vite,” tha ai për programin "Today" të "BBC Radio 4".
“Brexit do të mbahet mend si një gabim historik ekonomik që uli konkurrueshmërinë e ekonomisë së Britanisë së Madhe, ushtroi presion në rënie mbi paundin dhe presion në rritje mbi çmimet, kufizoi mallrat e importit dhe kufizoi në një farë mënyre ofertën e punës”, citohet Summers nga Bloomberg. “Të gjitha këto kontribuan në rritjen e inflacionit.”
Summers, i cili ka qenë këshilltar i presidentëve Bill Clinton dhe Barack Obama, kritikoi Bankën e Anglisë, duke sugjeruar se normat e interesit janë mbajtur shumë të ulëta për një kohë të gjatë. Banka e Anglisë i ka rritur normat 12 herë që nga fundi i vitit 2021 – duke e çuar atë në 4.5 për qind muajin e kaluar. Në maj, çmimi mesatar i banesave në Britani regjistroi rënien më të madhe vjetore në gati 14 vjet. Çmimi mesatar i shtëpive ra me 0.1 për qind në muaj në 260 736 £, sipas indeksit Nationwide.
Robert Gardner, kryeekonomist i Nationwide, thotë se numri i hipotekave të miratuara për blerje shtëpie në mars ishte ende rreth 20 për qind nën nivelet para pandemisë.
Add new comment